Shumica e njerëzve, kurdoherë, nisin të pyesin për kuptimin e jetës – duan të dinë nëse jeta ka një plan të fshehtë a një qëllim në vetvete. Për mua, ky kërkim për kuptimin dhe qëllimin e jetës zuri fill në Universitet. Aty nga fundi i vitit të parë, isha i gatshëm të ndryshoja rrënjësisht. E dija se Krishti kishte të drejta të ligjshme mbi jetën time. Dhe kisha filluar të kuptoja se jeta larg Tij – madje edhe çastet më të lumtura dhe më të suksesshme të saj – ishin të zbrazura nga domethënia dhe kënaqësia. Shikoja brenda vetes, kërkoja jashtë vetes, por gjithnjë i gatshëm për t’ia filluar nga e para. Atë pranverë, me vetëdije të plotë ia përkushtova jetën time Krishtit. Pranova që e kisha nxjerrë jashtë jetës sime dhe se më vinte vërtet keq që nuk e kisha ndjekur dhe se dëshiroja që Ai të merrte në dorë drejtimin e jetës sime.

Pa e kuptuar shumë mirë se çfarë po merrja përsipër, i thashë “Që tani e tutje, jam i Yti”.

    E kam të vështirë t’i përshkruaj rrjedhojat e brendshme të mendimit tim fillestar dhe besimin në Krisht. Disa njerëz përjetojnë ndryshime rrënjësore dhe dramatike, të tjerë përjetojnë pak ose aspak ndjenja shpirtërore. Në rastin tim, nuk pati as vetëtima e as dallgë të fuqishme, por ajo që ndjeja ishte vetëdija e qartë e pranisë së Zotit, dhe një paqe e përhershme në zemrën dhe jetën time. Dashuria për Zotin dhe dëshira për ta kënaqur Atë – përvoja të harruara që në fëmijëri – u rindezën. Që nga ai çast kisha shumë dëshirë për të njohur Perëndinë, të jetoja vetëm për të dhe të arrija tek Mbretëria e Tij Qiellore.   

    Sigurisht që kthimi tek Krishti nuk është diçka e re, as për njerëzit e kohës sonë e as për ata të shekujve të kaluar. E vërteta është se Jisu Krishti ka ndryshuar jetë të panumërta burrash e grash gjatë këtyre dy mijë vjetëve. Njerëzit njihen me Krishtin dhe jeta e tyre nuk është më ajo e para. Jetët e tyre shndërrohen. Kaq i thellë ka qenë ndikimi i Krishtit në pasuesit e tij, saqë miliona prej tyre kanë dhënë jetën për Të – dhe e kanë quajtur nder. Përse? Kush është ky njeri, që erdhi në botë kaq përulësisht e megjithatë arrin të na ndryshojë kaq rrënjësisht? Kush është ky, që largon vetminë tonë, fal fajet tona, rregullon dhe qetëson mendjet dhe zemrat tona, madje na çon në Mbretërinë e Perëndisë?

    Një jetë e pashoqe

    Shesh herë kur mendojmë për jetën e Krishtit, fillojmë të përfytyrojmë: dy mijë vjet më parë, një grazhd në Lindjen e Mesme, Fëmijën, Dijetarët, yllin. Këto kanë të bëjnë me lindjen e tij tokësore, ndërsa historia e Tij e vërtetë nis me Përjetësinë. Sepse para se të kishte kohë, para se të bëhej bota, përpara fillimit, Krishti ishte! Sepse nuk ka pasur kurrë një kohë që Ai nuk ka qenë. Fjalët e para në Bibël thonë, “Në fillim Perëndia…” (Zanafilla 1:1). Perëndia ishte që në fillim, gjithmonë i Trepersonshëm: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Nga Perëndia Atë, para gjithë kohërave u lind Perëndia Bir. Dhe përjetësisht nga Perëndia Atë buron Perëndia Shpirti i Shenjtë.

    Ndërsa bëhet krijimi i sojit njerëzor, shohim Perëndinë që thotë “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën Tonë, sipas ngjashmërisë Tonë” (Zanafilla 1:26). Vini re shumësin e përdorur për të treguar personat Perëndi. Kështu, që përpara gjithë kohërave, Perëndia Bir – i quajtur në Shkrimet e Shenjta Fjala e Zotit, – së bashku me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë sundonin mbi gjithçka. Kjo na qartëson edhe për atë që thonë Ungjijtë se Perëndia Bir, Jisu Krishti, erdhi ndër ne për të na e zbuluar Atin dhe për të na dërguar Shpirtin e Shenjtë, Ngushëllimtarin.

    Gjatë gjithë historisë së Izraelit të lashtë, Profetët kishin parathënë ardhjen e Atij, që do të ishte Mesia e Izraelit, i Zgjedhuri. Ata parathanë lindjen e tij në Betlehem (Mikea 5:2), parathanë se si shenjë e Ardhjes së Tij do të ishte lindja prej një virgjëreshe (Isaia 7:14) dhe se do të vuante dhe do të vdiste për mëkatet e gjithë njerëzve (Isaia 53:5, 6). Në Dhiatën e Vjetër gjejmë rreth 300 vende, ku flitet për ardhjen e Tij, të gjitha të shkruara qindra vjet para se Ai të vinte realisht në tokë. Më pas, pikërisht siç ishte premtuar, në kohën e duhur, engjëlli iu shfaq një virgjëreshe të perëndishme hebre, të quajtur Mari dhe i tha se ajo do të lindte një djalë. “Do ta quash Jisu” i thotë engjëlli “sepse Ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet” (Mattheu 1:21). Kështu në mitrën e virgjëreshës Mari, u formua njerishmëria e Krishtit. Biri i Perëndisë u bë si ne me përjashtim të mëkatit, me qëllim që ne të mund të merrnim gjithçka që kishte Ai vetë. Siç shkruan edhe Shën Joani “Fjala mori trup dhe banoi ndër ne” (Joani 1:14). Perëndia u bë njeri, që të na vetëzbulohej.

    Shumica prej nesh, herët a vonë pyesim veten “A ka një njeri në botë që mund të më kuptojë mua?” Mishërimi i Birit të Perëndisë i përgjigjet kësaj pyetje, një herë e mirë, me një po të fuqishme!! Sepse Jisu Krishti është Perëndi i vërtetë dhe Ai di gjithçka, madje edhe numrin e fijeve të flokut në kokat tona (Lluka 12:7). Ai na ka krijuar. Dhe sepse është njeri i vërtetë, i di dobësitë tona, zhgënjimet tona, vuajtjet tona. Ai e di ç’është mohimi, vetmia, uria dhe vdekja, sepse i ka përjetuar vetë. Profeti Isaia shkruan “Ai ka mbartur dhimbjet tona dhe ka marrë mbi vete brengat tona” (Isaia 53:4).

    Duke qenë se mori trup nga e shenjta nënë e Tij Maria, Jisui përjetoi lindjen dhe rritjen si të gjithë ne. Gjatë viteve të tij të para, provoi të shërbyerit dhe çirakërinë, kur punonte me atin e tij tokësor Josifin, si zdrukthëtar. Përparësi kishte bindjen dhe nënshtrimin e plotë ndaj Atit të tij qiellor, ndaj edhe në një rast na thuhet se ndenji në Tempull duke u marrë me punët e Atit të tij, në vend që të vazhdonte rrugëtimin me Marinë dhe Josifin, që po ktheheshin nga Jerusalemi.

    Ai i jetoi gjithë vitet e adoleshencës – e di çdo të thotë të jesh trembëdhjetë, katërmbëdhjetë – dhe u përball me rastet e nervozizmit, kompromiset morale, pandershmërinë, dhe kryengritjet e kohës së atëhershme. Ai e njeh dobësinë njerëzore, sepse ai u tundua në gjithë mënyrat, që tundohemi edhe ne, por asnjëherë nuk iu nënshtrua mëkatit. Në moshën tridhjetëvjeçare u pagëzua në lumin Jordan nga Shën Joan Pagëzori. Kështu, ai jo vetëm filloi misionin e tij, por e caktoi ujin një herë e mirë si mjet për të filluar një jetë të re me Krishtin, përmes Shpirtit të Shenjtë. Ja përse edhe Kisha, pasuesit e Tij në tokë, i pagëzon besimtarët e rinj me “ujë dhe Shpirt” (Joani 3:5). Pagëzimi është ai rit i dhënë nga Perëndia, që hap dyert për në Mbretërinë e Perëndisë, pushteti mistik i të cilit ndryshon jetët tona, aq sa mendja njerëzore nuk arrin ta kuptojë.

    Gjatë gjithë shërbimit të Tij mbarëpopullor, trevjeçar, Krishti kreu mrekulli të panumërta. Shëroi të sëmurët, iu dha dritë të pasyve, veshë të shurdhërve, dhe ndihmë të pashpresëve. Ai qetësoi stuhinë, dëboi djajtë, dhe ngjalli të vdekurit. Të gjitha këto mrekulli shpallën Mbretërinë e Perëndisë dhe dëftuan se Krishti ishte Perëndi. Ata që kishin vetëm pak kohë që e njihnin thanë “Ai çdo gjë e ka bërë mirë” (Marku 7:37). Madje edhe armiqtë e Tij nuk arrinin të gjenin ndonjë faj tek Ai (Joani 19:4,6). Jeta e zakonshme e qyteteve apo fshatrave, ndryshonte krejtësisht, sa kohë Ai ishte vizitor i tyre. Ishte e qartë se gjithçka varej prej Tij.

    Pasi kishin kaluar tre vjet nga koha kur Ai filloi shërbimin e tij, prijësit fetarë judaik nuk mund të duronin më. Ai ishte Perëndi dhe thoshte se ishte i tillë, ndaj edhe thirrjet për ta vrarë u shtuan shumë. Disa nga pasuesit e Tij, duke parë rreziqet që u kanoseshin, e braktisën. Vetë dishepujt e Tij, që i kishte zgjedhur me dorën e vet, i kthyen shpinën, madje njëri prej tyre e mohoi tre herë. Përfundimisht, autoritetet fetare dhe ato shtetërore u bënë bashkë, organizuan një gjyq të rremë dhe e kryqëzuan si një kriminel të rëndomtë, në mes të dy kusarëve. Pas pak orësh kishte dhënë shpirt. Askush nuk e kishte kuptuar se Ai kishte vdekur për gjithë botën, duke mbartur në varr gjithë mëkatet dhe paudhësitë tona.

    Më pas vjen pika më kulminante, ngjarja më e madhërishme dhe më e mbinatyrshme në gjithë historinë e njerëzimit. Tre ditë pas vdekjes, Jisu Krishti kthehet sërish në jetë. Ai u ngrit nga varri, ngadhënjimtar mbi vdekjen. Vdekja nuk do të mund ta cenonte më kurrë, sepse Ai kishte shfuqizuar pushtetin e saj. Dhe për të gjithë ata që bashkohen me Krishtin, Ai premton “Sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni” (Joani 14:19). Ai e kishte mundur përgjithmonë armikun tonë më të madh, vdekjen dhe këtë e kishte bërë me anë të vdekjes së Tij. Ndaj me ngjalljen e Tij, Ai u fal jetë jo vetëm të gjallëve, por edhe të vdekurve.

    Dyzet ditë pas Ngjalljes së Tij, u hap sytë dishepujve për ta kuptuar Shkrimin, u flet për Mbretërinë e Përjetshme dhe i porosit që ta përhapin Ungjillin në mbarë botën. I udhëzoi që të ndërtojnë Kishën e Tij, shprehjen e Mbretërisë së Tij në tokë dhe përmbush premtimin që u kishte bërë, dërgon Shpirtin e Shenjtë mbi tokë, që t’i ndihmonte në përmbushjen e detyrës.

    Vërtetësisht ajo, që Krishti la pas në këtë botë, është Kisha e Tij. Shkrimet e përshkruajnë Kishën si grumbullimin e popullit të Tij, një komb i ri, një kler mbretëror, banesën e Perëndisë në Frymë. Meqenëse ata që janë pjesëtarë të Kishës së Tij janë bashkëpjesëtarë të Ngjalljes së Tij, quhen Trupi i Krishtit, ndërsa Ai vetë është Kreu. Nga fundi i dyzet ditëve predikuese, dishepujt ishin bashkë me të dhe u bënë dëshmitarë të lartësimit të trupit të Tij të lavdëruar në qiell. Ai mbretëron në të djathtë të Atit të tij. Duke qenë episkopi ynë qiellor, Ai është edhe Zot i Kishës. Shën Pavli shkruan “Gjithë gjërat mbahen prej Tij” (Kolosianëve 1:17).

    Një ditë Krishti do të kthehet në tokë dhe do të përballet me të gjallët dhe të vdekurit. Tërë njerëzimi do të vijë përpara gjykatores së Tij të frikshme. Të drejtët do të trashëgojnë jetë të përjetshme, të ligjtë terr të pasosur. Mbretëria e Perëndisë do të vendoset kudo dhe Krishti do të sundojë përjetësisht me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë.

    Të njohësh Perëndinë Disa vite më parë po flisja për rëndësinë e besimit në Universitetin e Uashingtonit. Një student më drejtoi një pyetje të rëndësishme. “Çfarë kërkohet për t’u bërë një i krishterë i vërtetë – cili është çmimi që duhet paguar ?”

    I thashë se kishte dy përgjigje për pyetjen e tij. Nga njëra anë, shpëtimi është një dhuratë dhe jepet falas. Çfarë do që të bëjmë, nuk do të arrijmë deri atje, sa të meritojmë një marrëdhënie me Atin përmes Jisu Krishtit. Pikërisht këtë gjë na e thotë kryqi. Sepse kur Jisu Krishti vdiq për ne, Ai ngadhënjeu mbi pasojën e mëkatit, që është vdekja. Ai vdiq që të jetonim ne prej mëshirës së Perëndisë, na thonë Shkrimet, të gjithë ata që bashkohen me Krishtin marrin dhuratën e shpëtimit.

    Shën Joani e përmbledh shumë bukur, kur shkruan “Sepse Zoti aq e deshi botën, saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, dhe kushdo që beson te Ai të mos vdesë, por të ketë jetë të Përjetshme” (Joani 3:16). Shën Pavli kujton “Dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme në Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 6:23). Përmes Krishtit me pagëzimin hyjmë në një jetë të re. Na jepet një fillim i ri i jetës – falje e gjithë mëkateve, çlirim nga robëria e të ligut mbi ne, dhe mbushje me Shpirtin e Perëndisë, për të ndjekur një proces pjekurie në Krishtin, Zot. Mirësia e Tij është një dhuratë.

    Por, i thashë studentit, është edhe një përgjigje tjetër. “Do ta them sa më troç që të mundem” i thashë. “Ardhja tek Krishti do të të kushtojëgjithçka që ke. E tërë jeta jote duhet të ndryshojë dhe të jetë në ndryshim të përhershëm, derisa të bëhesh ashtu siç dëshiron Ai. Nëse bën jetë të shthurur, do të duhet të heqësh dorë. Nëse mashtron, duhet të ndalosh. Drogë dhe alkool – duhet të largohesh prej tyre. Dhe nëse je një njeri që parapëlqen të bësh për të tërhequr dhe nuk do t’ia dijë shumë për të tjerët – duhet të ndryshosh.”

    Jisu Krishti predikoi një mesazh thelbësor. Quhet Ungjill, lajmi i mirë dhe është ky: “Pendohuni se mbretëria e Perëndisëpo afron” (Mattheu 3:2). Të pendohesh do të thotë të kthehesh mbrapa, t’ia përkushtosh plotësisht jetën Krishtit, t’i thuash “PO” Zotit dhe ta thuash me tërë mend. Përse na bëhet thirrje për të jetuar në pendesë? Sepse për t’u futur në Mbretërinë e Perëndisë duhet të plotësojmë një kusht. Duhet të jemi të drejtë. Ne pendohemi sepse jemi mëkatarë – nuk arrijmë të bëjmë jetë të tillë, që të lavdërojë Perëndinë.

    A nuk ndodh që kur shohim jetët tona, të na vijë turp para Zotit për veprimet e kryera? Ne kemi zgjedhur vetë rrugën tonë, nuk kemi dashur t’ia dimë për vullnetin e tij dhe as për urdhëresat e tij, kemi kryer veprime që kanë dëmtuar të tjerët, madje në mënyrë të vazhdueshme. Ndonjëherë në vështirësi kthehemi tek Zoti, por sapo gjërat rregullohen, rikthehemi tek vullneti ynë dhe … e dimë këtë gjë. Kur pendohemi për herë të parë, kthehemi tek Zoti Jisu Krisht dhe i themi se na vjen keq nga zemra për mënyrën tonë të jetesës. Si mëkatarë të padenjë që jemi, i kërkojmë mëshirë dhe falje dhe e lëmë veten tonë në duart e përkujdesjes së Tij për sa kohë kemi jetë.

    Le të mendojmë kështu. Nëse Mbretëria e Perëndisë vlen sado pak, ajo vlen gjithçka. Ne na thërret vetë Krishti që të lëmë mënjanë gjithçka, që mund të na mbajë larg mbretërisë së Tij. Ja përse Krishti e krahason Mbretërinë e Perëndisë me një thesar të fshehur në një fushë. Sapo të kemi kuptuar vlerën e pabesueshme të asaj toke të çmuar, do të shesim gjithçka për ta blerë. Pikërisht kjo është pendesa: zhveshja e plotë nga çdo lloj prone tjetër. Heqim dorë nga ato që nuk mund t’i mbajmë, për të pasur pasuritë e pashoqe të Jisu Krishtit. Kjo është blerja më e mirë që mund të bëjmë ndonjëherë. Kur kthehemi kështu tek Zoti, atëherë fillojmë procesin e gjatë të njohjes së Perëndisë.

    Kujtoni Saulin e Tarsit, i cili jetoi në shekullin e parë. E njohim më mirë me emrin Shën Pavli, apostulli i Jisu Krishtit. I mirëarsimuar nga rabitë (mësuesit) më të njohur judenj, Sauli i ri i vuri detyrë vetes që të përndiqte të krishterët e hershëm në të gjitha mënyrat. Një ditë ndërsa ecte drejt qytetit të Damaskut, verbohet nga një dritë tejet e fuqishme. Jisu Krishti iu shfaq nga qiejt, duke i thënë: “Saul, Saul përse më përndjek?”. Sauli bie përmbys dhe thotë lutjen e tij pendestare, sigurisht duke u dridhur: “Zot çfarë kërkon prej meje?” Krishti e udhëzon që të shkojë në Damask dhe atje do t’i tregohej se çfarë duhej të thoshte. Profeti Anania e takon Saulin dhe atje ai pohon besimin dhe pendesën e tij. Sauli mbushet me Shpirtin e Shenjtë, i rikthehet drita e syve dhe pagëzohet (Veprat e Apostujve 9:1-19). Prej këtej, ai vazhdoi të çojë fjalën e Perëndisë tek një numër i pafund njerëzish.

    Ose kujtoni Polikarpin e dobët, i cili duhet të jetë pagëzuar fëmijë, rreth vitit 70 pas Krishtit, ende në kohën e Dhiatës së Re. Ai u rrit me frymën e shërbimit dhe dashurisë për Krishtin dhe u bë episkop i Smirnës në Azinë e Vogël, në fillim të shekullit të dytë. Ndërsa përndjekjet ndaj të krishterëve rriten aty nga mesi i shekullit të dytë, Polikarpi, tashmë një burrë i moshuar, vihet përpara dy mundësive, ose të mohonte Krishtin ose të digjej i gjallë. “I kam shërbyer Krishtit për tetëdhjetë e gjashtë vjet” thotë shenjtori “dhe asnjëherë nuk më ka keqtrajtuar. Si mundem të blasfemoj emrin e Mbretit, që më ka shpëtuar?” (Martirizimi i Polikarpit, kreu 9). I djegur, për shkak të besimit të tij, Polikarpi nuk është shembull i një ndryshimi dramatik dhe të vonuar i një besimtari, por shembull i një të krishteri të nderuar, që ka kaluar gjithë jetën e tij në paqe dhe pendim.

    Unë jetoj në qytetin Santa Barbara në Kaliforni, një qytet që mban emrin e Shën Barbarës (Varvarës), e cila jetoi në Nikomedi në shekullin e tretë. I ati ishte një pagan i flaktë, një adhurues fanatik i idhujve dhe e mbante të bijën të mbyllur brenda katër mureve, me qëllim që ajo të mos kishte kurrfarë lidhje me të krishterët. Por pavarësisht nga e gjithë kjo, Barbara dëgjoi për Ungjillin e Krishtit dhe u bashkua me Të, përmes pagëzimit të shenjtë. Kur i ati mësoi për kthimin e saj në Krishterim, e çoi tek xhelati, i cili i preu kryet, ndoshta në sy të të atit. Jeta e saj e kulluar dhe e perëndishme, si edhe gatishmëria e saj për të vdekur për Krishtin, i kanë dhënë lavdi Krishtit gjatë gjithë historisë.

    Një shekull më vonë në Afrikën e Veriut, një e krishterë e quajtur Monika, lind një djalë, që e quan Agustin. Megjithëse rritet në një shtëpi të krishterë, Agustini si shumë prej nesh vendos të harrojë Perëndinë dhe të bëjë jetën e tij. Ky djalosh i talentuar bëri një jetë imorale, pati edhe arritje mbresëlënëse akademike, por rreth moshës njëzet e pesë vjeçare ndihej i zbrazët dhe i dëshpëruar. Në jetëshkrimin e tij klasik “Rrëfimet” na tregon për kthimin e tij tek Krishti. “Na ke bërë për veten tënde o Zot” shkruan ai “dhe zemrat tona nuk do të gjejnë prehje veçse tek Ti”. Atij iu desh të kalonte një proces asgjësimi për t’u kthyer tek Krishti. Asgjë tjetër nuk ecte. Nën përkujdesjen e atit të tij shpirtëror, Ambrozit, besimtari i ri rritej në hirin e Perëndisë. Më vonë Shën Agustini bëhet episkop dhe një ndër shkrimtarët dhe mendimtarët më të shquar të gjithë kohërave. Për mungesë vendi nuk do të flasim për Shën Ekaterinën e Aleksandrisë, Shën Joanin e Damaskut, Shën Maksim Pohuesin, Shën Kirillin dhe Metodin, Shën Grigorin e Pallamait, Shën Serafimin e Sarovit dhe mijëra e mijëra të tjerë, që u udhëhoqën nga Krishti dhe jetuan si bashkëtrashëgimtarë të Mbretërisë së Tij.

    Përveç dashurisë për Krishtin, këta njerëz kanë të paktën edhe një karakteristikë të përbashkët. Të gjithë e njohën dhe i shërbyen Krishtit brenda në Kishë. Kjo bie në kundërshtim të plotë me atë, që u mësohet shumë njerëzve nën maskën e Krishterimit. Për fat të keq, disa që ende mbajnë emrin e Tij, janë larguar aq shumë nga rruga që na la Krishti, saqë e kanë bërë gati të pamundur njohjen e Perëndisë.

    Lejomëni t’ju jap një shembull. E zëmë se jeni me pushime në Egjipt. Jeni ulur në një kafene dhe po pini qetësisht një kafe. Një djalosh, me theks disi të çuditshëm, ju pyet nëse mund të ulet në tryezën tuaj. Pak i hutuar, e ftoni të ulet. Mëson se quhet Uong Li dhe se është një komunist i thekur nga Kina, i cili gjendet në Kajro për pushimet verore. Uong Li ju pyet për jetën në Amerikë, si është jeta në një shtet demokratik. Nis e i tregon për mundësitë e shumta në fushën e biznesit botëror, mundësitë për të pasur gjëra etj. Pastaj vazhdon me politikën, votimet dhe procesin zgjedhor. I tregon për baraspeshën pushtetare mes degës ekzekutive, legjislative; për qeverisjen federale dhe mënyrën sesi bashkëpunon shteti me udhëheqjet vendore. Tregohesh i çiltër edhe për sa i përket të metave të sistemit dhe bën një paraqitje përmbledhëse të lirive thelbësore të individit në një shoqëri demokratike.

    Por para se të mbarosh, ai të ndërpret dhe thërret: “Kjo po! Kjo është pikërisht ajo që dua unë!” “Çdo të thuash?” e pyet i çuditur. “Dua të them se kam ndërmend të përkrah demokracinë. Është shumë herë më e mirë se komunizmi. Pikërisht tani, po të them se që tani e tutje, unë i përkushtohem demokracisë”. Ti ke shqyer sytë. Është hera e parë që sheh dhe dëgjon diçka të tillë. Para një ore ti as nuk e kishe idenë se kush ishte ky njeri. Tashmë para teje ke një të sapokthyer demokrat. Mendohesh për një minutë dhe nis e i jep ca ide. “Kjo do të thotë që duhet të mendojmë se si të të tërheqim në Amerikë dhe të të bëjmë shtetas amerikan.” “Çdo të thuash?” pyet Li. “E përse duhet të vij në Amerikë?” “Në mënyrë që të jetosh në demokraci, që të shijosh liritë dhe mundësitë që të jep ajo” shpjegon ti. “Shtëpia ime është në Pekin dhe nuk kam ndërmend të largohem që andej. Do ta studioj demokracinë dhe do të mësoj vetë. Do të mësoj përmendësh Kushtetutën dhe Kartën e të Drejtave. Dhe do të pajtohem tek Shënime të Kongresit”.

    S’di ç’të thuash. Ajo që thotë nuk ka për të ecur kurrë dhe je i bindur për këtë. Si mund t’i përkushtohesh demokracisë dhe të vazhdosh të jesh krejtësisht i lumtur me faktin se jeton në një vend komunist? Është e pamundur. Por, po aq e pamundur është të bindësh Linë për këtë. Ai e beson demokracinë vetëm në planin mendor dhe kjo nuk ka për t’i sjellë atij asnjë të mirë. E tillë dhe më fatkeqe është gjendja e atyre, që rreken të ndjekin Krishtin, madje me zell të madh, por të shkëputur nga Kisha e Tij. Ka shumë mundësi që të jenë të sinqertë, por kanë shumë pak mundësi, që ta njohin me të vërtetë Krishtin. Sepse duhet të jetosh brenda Trupit të Krishtit, të ushqehesh me të shenjtat e Saj, të mësosh besimin e Saj të vërtetë dhe të përlëvdosh Perëndinë tek altari i Saj, për të arritur shenjtërinë dhe drejtësinë, që të çojnë tek portat e çelura të Mbretërisë.

    Ardhja tek Krishti dhe Kisha e Tij

    Për dymijë vjet Kisha e Krishterë Orthodhokse ka ruajtur të pacënuar plotësinë e Krishtit, për të cilën kemi folur më lart. Ajo ka ruajtur të paprekur këtë besim pavarësisht nga përndjekjet dhe vuajtjet e patregueshme. Brenda portave të Krishtërimit Orthodhoks mund të gjesh Besimin e pacënuar të Dhiatës së Re, Kishën Apostolike. Hiri i Perëndisë ka bërë që Besimi i Saj të mbetet i njëjtë dhe i pandryshuar. Nuk është shtuar, as hequr asgjë. Kisha Orthodhokse është ai vend, ajo zonë sigurie, ku nëse doni, keni mundësinë të njihni, doni dhe adhuroni Perëndinë e Shkrimeve, Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Një ndër etërit e shquar të Orthodhoksisë është Shën Joan Gojarti, mësues dhe predikues i Biblës, i shekullit të katërt, shkrimet e të cilit kanë bërë që mijëra e mijëra njerëz të arrijnë tek njohja shpëtimtare e Krishtit. Sa herë që dikush takohej me shenjtorin dhe dëshironte t’i kushtonte jetën Krishtit dhe të mësonte më shumë për Të, shenjti i tregonte për Besimin Orthodhoks, e pagëzonte dhe më pas e vajoste për të marrë dhuratën e Shpirtit të Shenjtë.

    Por përpara se t’ia niste mësimeve, bariu i shenjtë bënte një lutje dhe ia besonte Krishtit personin në fjalë. Kjo lutje përdoret edhe sot e kësaj dite, në fillim të shërbesës orthodhokse të pagëzimit. Vëreni fillimin e saj: “Në emrin tënd, o Zot, Perëndi i së vërtetës, dhe në emrin e Birit tënd të vetëmlindur dhe të Shpirtit të Shenjtë, unë vë duart mbi shërbëtorin tënd, që është parë i denjë, për të ardhur tek Emri yt i Shenjtë dhe për t’u strehuar nën mbrojtjen eflatrave të tua”. Lejomëni t’ju bëj një pyetje të hapur. A jeni i gatshëm të fluturoni drejt Jisu Krishtit për të pasur mbrojtjen e Kishës së Tij të Shenjtë, për ta njohur, për t’u larë nga mëkatet dhe për të ndryshuar? Nëse po, një jetë e re më Krishtin shtrihet para jush. Ajo që duhet të bësh është të takosh një prift orthodhoks në zonën tënde, i cili mund të të ndihmojë të përgatitesh dhe të mësosh për besimin e krishterë, dhe më pas të pret bashkimi me Krishtin në Pagëzimin e Shenjtë.

    Kërkoji personit, që të ka dhënë këtë librushkë të të njohë me një prift orthodhoks. Krishti tha: “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta. Askush nuk shkon tek Ati, veçse nëpërmjet meje” (Joani 14:6). Vendos të ndjekësh Krishtin dhe mëso të ecësh me Të në rrugën, që të çon drejt njohjes së Perëndisë. Sepse Krishti ka premtuar: “Ai që vjen tek Unë, nuk do ta flak tutje” (Joani 6:37). Dera ju është hapur dhe Krishti po ju pret si një ndër dishepujt (nxënësit) e Tij.

Përgatiti Atë Peter Gillquist, Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2001.