Kisha Orthodhokse dhe konfliktet etnike.

 

Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Joani Tempulli nr. 9, Korçë, 2004.

 

I

 

    Shekulli 21 me globalizimin, teknologjitë e reja, humbjen e vlerave tradicionale, pluralizmin kulturor dhe fetar, paraqet sfida të ndryshme për të gjithë komunitetin njerëzor, në përgjithësi dhe nga këto sfida, pa dyshim, nuk mund të përjashtohet edhe Kisha Ortodokse. Asaj i duhet që të përballohet me këto sfida jo vetëm thjesht për t’u mbrojtur, siç fatkeqësisht ka ndodhur shpesh, por edhe të gjejë zgjidhje origjinale dhe krijuese si pjesë e përgjegjësisë së saj globale. Në përgjithësi, Kisha Ortodokse, shpesh herë edhe nga vetë anëtarët e saj, është vlerësuar duke u mbështetur kryesisht vetëm në historinë e dy shekujve të fundit të saj, si një Kishë e lidhur ngushtë me një kulturë të vetme, në një vend të caktuar gjeografik dhe të interesuar vetëm për të shkuarën. E parë vetëm në këtë aspekt, unë mendoj se i bëhet një padrejtësi e madhe traditës së pasur të kësaj Kishe.

     Në fakt, historikisht, Kisha Ortodokse ka lindur, është zhvilluar dhe jetuar në një ambient pluralist dhe ekumenist. Në perandorinë romane dhe më pas në atë bizantine, përfshirë këtu edhe perandorinë osmane, ekumenizmi dhe globalizmi, qoftë edhe ai rajonal, ishte diçka e zakonshme. Kështu që Kisha Ortodokse, kishte një mision global jo vetëm në kuptimin doktrinal, por edhe jetonte në një botë globaliste dhe ekumeniste. Popujt e Ballkanit, ku është përqendruar një pjesë e madhe e ortodoksëve, jetonin në një bashkësi (commonwealth) me lidhje të ngushta me njëri-tjetrin. Për më tepër, ata kishin lidhje kulturore dhe tregtare me pjesë të tjera të Europës, Afrikës dhe Azisë. Deri në kohën kur shën Kozmai po predikonte dhe kryente shërbesën e tij apostolike në Ballkan, vetëndijimi i popullsisë ortodokse ishte globalist dhe ekumenik. Nëse dikush pyetej se çfarë ishte, përgjigja e parë do të ishte përkatësia fetare. Vetëm në pyetjen e tretë ose të katërt mund të dilte identiteti etnik. Njerëzit e identifikonin veten nga perspektiva e besimit. Fjalët elinas dhe turk i referoheshin besimit dhe jo etnisë.

    Nacionalizmi dhe kuptimi i ngushtë etnik janë diçka e re në Kishën Ortodokse të popujve të Ballkanit dhe lidhen me ardhjen e ideve nacionaliste të shek 19 nga një intelegjencia e sekularizuar, e cila e pa Kishën vetëm si një mjet për të arritur qëllimet e tyre nacionaliste, mënyrë që fatkeqësisht edhe sot nuk ka ndryshuar. Fillimisht Kisha nuk ishte entuziaste nga këto lëvizje sepse e ndjente që ato nuk përkonin me natyrën universale të Ortodoksisë.

   Por asaj, si shprehet Atë Joan Mejendorf: “I mungonte dukshëm forca intelektuale, dallimi teologjik dhe strukturat institucionale të cilat mund t’i nxirrnin jashtë demonët e revolucioneve nacional … Kështu patrikët, peshkopët dhe kleri i famullive – u bashkuan me këtë lëvizje të gjerë nacionaliste, duke u përfshirë direkt në sukseset e saj politike, por, gjithashtu, më e rrezikshme, duke pranuar pozicionet e saj ideologjike” .

    Në fillim këto ide të reja, duke zgjuar një ndërgjegje kombëtare, ndihmuan në luftën e popujve ortodoksë të Ballkanit për t’u çliruar nga pushtimi turk dhe Kisha, duke përkrahur popullin e saj në këtë luftë, filloi të merrte tepër e më tepër një karakter etnik. Kështu duke patur një besim të vetëm, besimi dhe kombi u lidhën ngushtë dhe filluan të mos dalloheshin nga njëri-tjetri, duke krijuar një konfuzion të kategorive. Dhe ky konfuzion pati koston e tij sepse më vonë, nacionalizmi, që në fillim ishte dukur si një forcë çlirimtare dhe i ndihmoi këta popuj në çlirimin e tyre kombëtar, u bë një faktor ndarje dhe urrejtje. Madje nacionalizmi nuk ishte drejtuar vetëm kundër popujve të një besimi tjetër, qofshin këta pushtues ose jo, por edhe kundër kombeve të tjerë të të njëjtit besim, sepse një nacionalizëm i veçantë është i shurdhër ndaj nacionalizmave të tjera. Arsyet që ai gjen për të justifikuar nacionalizmin e tij nuk i pranon për të tjerët, duke u kthyer kështu në një konflikt etnik të pandërprerë. Në Ballkan, ashtu si edhe në pjesët e tjera të Europës nacionalizmi, sipas fjalëve të Patrikut Bartolomeo: “U kthye në një shpatë me dy tehe; në duart e tiranëve ka qenë shkatërrimtar – me të vërtetë, forca më shkatërruese në historinë njerëzore, duke vrarë 75 milionë qenie njerëzore vetëm ndërmjet viteve 1914-1945. Tashmë duhet ta pyesim veten hapur dhe ndershmërisht: A nuk është koha t’u vihetfre ekseseve të nacionalizmit?”

    Mbas rënies së komunizmit, në shkatërrimin institucional, ekonomik dhe politik dhe në vakumin e madh moral dhe shpirtëror që u shkaktua nga kjo rënie, nacionalizmi ekstrem gjeti një terren të përshtatshëm. Grupime të ndryshme politike u përpoqën të shfrytëzonin ndjenjat kombëtare dhe fetare për të realizuar qëllimet e tyre politike, duke krijuar kështu një vorbull të madhe urrejtjeje, konfuzioni dhe vuajtjeje. Urrejtja e madhe që kishte karakterizuar luftën e klasave filloi të zëvendësohej nga një urrejtje tjetër: urrejtja etnike. Është me interes të theksohet se grupet e nacionalizmit ekstrem u mbushën në masë të madhe nga po ata që më parë kishin nxitur urrejtjen klasore. Gjithashtu luftërave të tyre ata u përpoqën t’u japin ndonjëherë edhe karakter fetar, duke dashur të shfrytëzojnë, duke e deformuar, energjinë e madhe që lind kur dikush mendon se po i preket besimi. Madje, me shaka, shumë njerëz në Ballkan i kanë quajtur këto luftëra “luftërat fetare të ateistëve” .

    Kështu që një nga sfidat më të vështira që ka hasur dhe po has akoma edhe sot Kisha Ortodokse është qëndrimi i saj në lidhje me Konfliktet Etnike. Sidomos në dekadën e fundit përgjigja ndaj kësaj sfide po bëhet akoma edhe më shumë urgjente, ngaqë në shumë vende të Ballkanit dhe të Europës Lindore, ku pati dhe ka akoma konflikte etnike nga më të përgjakshmet, popullsia ortodokse është me shumicë. Por edhe kësaj here, Kisha Ortodokse, si pasojë e një persekutimi të gjatë,u gjet e dobësuar dhe e papërgatitur. Madje në disa raste, përballë kësaj sfide të madhe ajo u gjet e tërhequr. Ajo u gjet në një situatë pak a shumë të ngjashme me situatën kur filluan lëvizjet nacionaliste të shekullit 19, ndonëse tani, akoma edhe më keq, vendin e entuziasmit të çlirimit nacional, gjë që e kishte lehtësuar pjesëmarrjen e Kishës në atë lëvizje, e kishte zënë tashmë urrejtja e nacionalizmit ekstrem.

    Por duhet pasur gjithmonë parasysh se kjo është një çështje komplekse, e cila nuk mund të gjykohet thjesht dhe në mënyrë sipërfaqësore. Dhe, për më tepër, kur flasim për Kishën Ortodokse, duhet të kemi parasysh se ajo përbëhet jo vetëm nga hierarkia kishtare, por edhe nga një masë e madhe ortodoksësh nominalistë, ku përfshihen individë të ndryshëm me nivele të ndryshme besimi dhe përjetimi të besimit.

 

II

 

    Lidhjet ndërmjet Kombit dhe Kishës janë komplekse dhe të pandara, sepse anëtarët e Kishës janë pjesë e kombit. Ato bëhen edhe më të ndërlikuara kur i gjithë kombi është pjesëtar i një kishe. Por, ndonëse është folur shumë, përsëri mbetet për të folur rreth problemit të raportit ndërmjet identitetit kombëtar dhe Kishës. “Nga një pikëpamje dogmatike dhe mistike, çështja e Kishës dhe e identitetit kombëtar është vetëm një pjesë e çështjes së madhe të lidhjes së Kishës me historinë njerëzore dhe krijimin kulturor. Sado e habitshme të duket, edhe mbas dy mijë vjet histori të krishterë, kjo çështje, megjithë rëndësinë dhe aktualitetin e saj, nuk ka gjetur akoma një përgjigje konciliare brenda Kishës. Nuk e ka gjetur, sepse kjo pyetje nuk është ngritur. Nuk është ngritur sepse nuk është menduar.”  Prandaj, në sfidën e madhe të konfliktit etnik, Kishës Ortodokse i duhet të flasë hapur dhe qartë dhe ta shpalosë mësimin e saj të çmuar tek të gjithë besimtarët e saj. Asaj i duhet t’i ndërgjegjësojë ata për kuptimin ortodoks të Kishës, të kombit dhe të luftës, që këto të mos mbeten vetëm çështje të rretheve të ngushta të teologëve dhe të teksteve dogmatike të Kishës. Le të ndalemi pak në kuptimin ortodoks të kombit dhe të luftës, ngaqë konflikti etnik mbështetet në deformimin e këtyre të dyjave.

a)    Antropologjia e krishterë mbështetet në Zbulesën Hyjnore ku thuhet se Perëndia e krijoi njeriun sipas ikonës dhe ngjashmërisë së tij (Gjen. 1:26; 5:1). Mishërimi i Zotit dhe vepra e tij shpëtimtare treguan se Perëndia nuk është vetëm Perëndia i Judejve, por edhe i Kombeve (Rom. 3:29), kështu që Kisha e themeluar në këto themele nuk i ndan njerëzit në baza etnike ose klasore: në atë ”nuk ka më as Grek as Jude, rrethprerje dhe parrethprerje, Barbar, Skith, shërbëtor apo i lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë” (Kol. 3:11). Kështu që Kisha, nga vetë natyra e saj, është universale dhe prandaj edhe mbikombëtare. Në Kishë “nuk ka dallim ndërmjet Judeut dhe Grekut” (Rom. 10: 12). Mbi këtë ngrihet edhe kuptimi i krishterë mbi kombin dhe racën. Dëshmitë e Shkrimit të Shenjtë si edhe tekstet e ndryshme të krishtera apostolike dhe pas-apostolike janë dëshmi e vetëdijes së Kishës së hershme. Letra eDiognetit nuk është vetëm një nga dëshmitë më të vjetra të kësaj vetëdije, por edhe një nga dëshmitë më të qarta.

    Mbitheksimi i kombit, madje ndonjëherë edhe mbi Kishën, jo vëtëm që është një fenomen i ri, por është në kundërshtim të hapur me ethosin e Ortodoksisë dhe një mohim i saj. Ky mbitheksim i nacionalizmit i ka bërë dëme të mëdha jetës kishtare dhe unitetit të brendshëm të Kishave Ortodokse, ngaqë ka bërë që shpesh këto Kisha të shohin më tepër interesat kombëtare sesa tërësinë ortodokse. Atë Aleksandër Shmeman shkruan: “Duke pranuar vlerën pozitive të nacionalizmit në Krishterim, ne nuk duhet të biem në kurthin e idealizimit të historisë, duke i fiksuar sytë tanë në dritë dhe duke i mbyllur kur është errësirë. Progresi dhe jeta tokësore e kishës nuk është një idil. Përkundrazi, ajo kërkon përpjekje dhe një ndërgjegje kishtare vigjilente … Rreziku i nacionalizmit qëndron në ndryshimin e hierarkisë së vlerave në mënyrë të pavetëdijshme, kështu që kombi nuk i shërben më drejtësisë dhe së vërtetës së krishterë dhe nuk e vlerëson mëjetën e tij sipas këtyre cilësive. Por, vetë Krishterimi dhe Kisha fillojnë të vlerësohen në masën që ato i shërbejnë shtetit, kombit etj.”

    Kisha Ortodokse e ka dënuar zyrtarisht rivalitetin nacionalist brenda Kishës së Krishtit. Në një Sinod të mbajtur në vitin 1872 në Konstandinopojë u dënua mëkati i filetizmit, duke u shprehur: “Ne e ndalojmë, e kundërshtojmë dhe e dënojmë racizmin, domethënë diskriminimin racial, armiqësitë etnike, urrejtjet dhe përçarjet nëKishën e Krishtit.” Sot ne duhet ta bëjmë këtë vazhdimisht, sepse ky ka qenë një nga problemet kryesore të Kishës që është “Një, e Shenjtë, e Përgjithshme (Katholike) dhe Apostolike.”

    Madje mund të thuhet, pa ndonjë teprim se, Kisha e Dhiatës së Re u ngrit mbi gjakun e derdhur nga konflikti ndërmjet kombit dhe universales. Judaizmi nuk e kuptoi misionin mesianik pannjerëzor dhe universal të Krishtit. Kaiafa profetizoi dhe tha se: “Ju nuk kuptoni asgjë, as nuk mendoni se është mirë për ne të vdesë një njeri për popullin dhe të mos humbasë gjithë kombi” (Joani 11:49-50).

    “Që nga ajo ditë, pra, na tregon Ungjillori, ata vendosën ta vrasin” (Joani 11:53). Dhe kështu, për të shpëtuar kombin, ata kryqëzuan vetë Zotin. Arsyet, gjoja për të shpëtuar kombin e vunë Kishën e Dhiatës së Vjetër dhe Kryepriftin e saj kundërZotit. Kjo ngjarje na thotë shumë neve sot: le të kemi kujdes dhe le t’u themi të gjithë besimtarëve tanë se shpesh herë arsyet gjoja për të mirën e kombit mund të na vënë edhe ne kundër drejtësisë dhe pse jo edhe kundër vetë Zotit. Nuk ka qenë diçka e rrallë kur arsye për të mbrojtur kombin dhe për një përfitim afatshkurtër të tij kanë lejuar dhe kanë nxitur që të bëhen krime dhe padrejtësi ndaj individëve apo kombeve të tjerë. Dhe çdo krim dhe padrejtësi është një rikryqëzim i Zotit të Drejtësisë. Të gjithë ata që kryqëzuan Zotin gjetën disa arsye: Kaiafa arsyen e kombit; Pilati atë të shtetit; ushtarët atë të disiplinës; populli sepse ashtu e mësoi udhëheqja. Dhe kështu të gjithë ata së bashku vranë një njeri në të cilin “nuk u gjetfaj”.

    Ndërsa Apostulli dhe Ungjillori i Kishës së Dhiatës së Re i përgjigjet profecisë së Kaiafas se Krishti nuk vdiq “… vetëm për këtë komb, por edhe për t’i mbledhur në një bijtë e shpërndarit të Perëndisë” (Joani 11:52). I gjithë njerëzimi u pa si bijtë e Perëndisë dhe asnjë komb i veçantë nuk mund të kishte monopolin e virtutit dhe shenjtërisë. Marrja e natyrës njerëzore nga Zoti i thërriste të gjitha kombet për të marrë pjesë në trupin mistik të Krishtit, në “NjëKishë, të Shenjtë, të Përgjithshme (Katholike) dhe Apostolike”. Krishti përfshin gjithë njerëzimin dhe jo vetëm atë aktual, por edhe ata që ishin dhe ata që do të vijnë. Krishti nuk është një lider tribal, autoriteti i të cilit do të lehtësonte unifikimin kombëtar, por Perëndia që na shpëton nga mëkati dhe vdekja. Një Krisht i kufizuar vetëm në një etni apo një grup etnish, ose vetëm në një periudhë apo disa periudha të historisë, do të ishte një Krisht i gjymtuar.

    Të duash kombin tënd nuk do të thotë të urresh dhe të përjashtosh të tjerët. Nuk mund t’i shërbehet një kombi duke dëmtuar një tjetër. Interesi i një vendi apo i një kombi nuk mund të vihet mbi drejtësinë. “Cilat janë interesat e vendit tonë, thotë Lactantius në Institucionet Hyjnore, veçse shqetësimet e një shteti apo kombi tjetër?  Madje jo vetëm që kombi nuk ndihmohet nga kjo gjë, por përkundrazi ajo do të kthehet në dëm të tij. Letra e patrikut Tikon, drejtuar besimtarëve ortodoksë të Rusisë , tregon se qëndrimi i Kishës në lidhje me raportin ndërmjet kombit dhedrejtësisë nuk ka ndryshuar, megjithë deformimet që mund të kenë ndodhur në kohë të veçanta.

b)    Nga pikëpamja e Kishës Ortodokse përvoja e luftës dhe kuptimi i saj është diçka komplekse dhe shumë e larmishme. Ndonëse në të gjitha kohërat Kisha i ka thirrur bijtë e saj ta duan atdheun e tyre tokësor dhe të mos kursejnë as jetën për ta mbrojtur kur ai është në rrezik. Ndonëse Kisha i ka nderuar shenjtorët-luftëtarë, ikonat e të cilëve mbaheshin në betejë nga ushtarët duke kënduar: “Jepu fitore të krishterëve kundër barbarëve”, përsëri në Kishën Ortodokse nuk ka ekzistuar ndonjëherë ideja e një “lufte të shenjtë” dhe madje as e “luftës së drejtë”. Në Etërit e Kishës së Lindjes dhe në traditën kanonike të Kishës Ortodokse nuk gjendet ndonjë shpjegim etik për “luftën e drejtë”. Nga pikëpamja ortodokse lufta është një mëkat dhe një e keqe, dhe kundër këtij mëkati dhe të keqeje Kisha duhet të luftojë. Në më të mirën e rastit lufta mund të jetë një e “keqe e domosdoshme”, ndonëse edhe ky term sjell shumë vështirësi dhe nuk është i saktë. Le të kujtojmë se edhe në Dhiatën e Vjetër, të mbushur me luftëra dhe gjakderdhje, Perëndia nuk e lejoi Davidin të ndërtonte Tempullin e Tij, sepse ai kishte derdhur shumë gjak, duke treguar me këtë se në gjakderdhjen nuk ka asgjë të “shenjtë” apo të “drejtë”.

    Në kanonet, që rregullonin jetën e klerit, Kisha ruante një standard ideal të asaj që duhet të ishte dhe që ndoshta shpesh ishte e vështirë të ruhej për laikët, si pasojë e dobësisë njerëzore. Kështu që përjashtimi kanonik i klerit nga çdo veprimtari ushtarake, ndonëse kjo veprimtari u lejohej laikëve, tregon qëndrimin etik të Kishës së hershme për luftën.

    Krishterimi i parë dënonte çdo lloj përdorimi të dhunës. Në shkrimet e Tertulianit, Origjenit dhe të gjithë apologjistëve, në përgjithësi, dëshmohet haptas për mospërdorimin e dhunës. Shën Vasi1i i Madh i vendoste një dënim kishtar personelit ushtarak që kishte marrë pjesë në luftë.  Dhe, ndonëse vrasja në luftë nuk konsiderohej një vrasje kriminale, siç shihet nga kanoni i Shën Vasilit, në të nukshihej ndonjë gjë “e shenjtë” apo “e drejtë” dhe pjesëmarrësve në të u ndalohej kungimi për tre vjet, për të treguar se edhe nëse ata nuk shiheshin si vrasës, përsëri ata kishin nevojë për pastrim për të takuar Zotin. Të krishterët predikonin ta mundnin të keqen me anë të së mirës dhe në vend të luftës lutjen dhe fuqinë e Perëndisë. Në perandorinë e krishterë, ndonëse ushtria mbahej për të mbrojtur shtetin dhe për të luftuar kundër barbarëve, përsëri lufta shihej si një e keqe e domosdoshme dhe kurrë nuk u zhvillua një doktrinë e një “lufte të drejtë”.

    Mbas shkatërrimit të perandorisë bizantine dhe më vonë mbas shkatërrimit të perandorisë osmane, kur u formuan kishat autoqefale kombëtare, nën influencën e ndjenjave kombëtare, lufta u pa në një karakter më pozitiv. Ndonëse përsëri në Kishën Ortodokse nuk pati ndonjë doktrinë të “luftës së shenjtë” apo të “luftës së drejtë”, përsëri nuk pati zëra të fortë kundër luftës, nga që pati një ngatërrim të kategorive, ku u ngatërrua kombi me fenë. Vitet e fundit janë ngritur më shumë zëra kundër përdorimit të fesë në luftërat etnike të Ballkanit. Një nga zërat më të fortë është ai i kryepeshkopit Anastas të Shqipërisë, moto e të cilit: “Vaji i fesë nuk duhet të përdoret kurrë për të ndezur konfliktet, por për të zbutur zemrat dhe lehtësuar plagët”, është bërë tashmë një pohim klasik jo vetëm në Ortodoksi, por edhe më gjerë.

 

III

 

    Në këtë kohë globalizimi, fatkeqësisht edhe uniformizimi, shumë vlera tradicionale shihen të rrezikuara. Një nga këto është edhe ndijimi i rrezikimit të identitetit kombëtar, që shpesh shërben si burim i lindjes së frikës nga të tjerët dhe i ndjenjave nacionaliste. Dhe këto ndjenja nacionaliste mund të shkaktojnë fenomene të dëmshme si ksenofobia dhe armiqësitë ndër-etnike, të cilat mund të çojnë në kufizimin e të drejtave të individëve apo kombeve, në persekutime, në luftëra dhe në shfaqje të tjera të dhunës.

    Zgjidhja e këtij problemi duhet gjetur brenda mesazhit të krishterë. Misioni i Krishtërimit dhe i vlerave të tij është mision global dhe nuk duhet të trembet nga çdo lloj globalizimi. Sëmundjes së globalizimit sekular dhe të humbjes së vlerave duhet t’i përgjigjet jo duke u tërhequr, qoftë edhe në strehimin etnik dhe kombëtar, por me mjekimin e misionit të tij universal. Një i krishterë i vërtetë nuk mund të ndjehet i rrezikuar etnikisht, sepse globalizmi i krishterë nuk e mohon etnicitetin. Misioni globa1ist i krishtërimit nuk është uniformiteti, por uniteti.

    Ndonëse Kisha nuk e mohon etnicitetin, sepse mohimi i saj do të mohonte vetë misterin e personit dhe veçantinë e çdo individi, përsëri ajo e kapërcen atë. Kisha duhet ta shohë kombin dhe luftën sipas vlerave të saj absolute dhe të përjetshme, të gjitha vlerat e tjera, kushdo qofshin dhe sado bukur të motivohen, janë më të vogla dhe relative. Ndërsa Zbulesa Hyjnore dhe jeta në Krishtin nëpërmjet mistereve të Kishës janë absolute. Prandaj çdo vlerë tjetër relative, që cënon vlerën absolute, nuk duhet pranuar nga Kisha – atdheu qiellor është mbi atë tokësor. Shën Joani i Kronshtadit shkruan në lidhje me dashurinë e atdheut tokësor: “Duajeni atdheun tokësor … ai ju ka rritur, nderuar dhe pajisur me gjithçka; por kini një dashuri të veçantë për atdheun qiellor … ky atdhe është pakrahasueshmërisht më i çmuar nga ai tjetri.”

    Në konfliktet etnike Kisha duhet të ketë një zë të fortë profetik dhe me urtësi duhet ta diagnostikojë sëmundjen kur shikon se në popullin e saj, ose në një tjetër kanë zënë vend lëvizjet e sëmura nacionaliste, të motivuara dhe të ushqyera nga urrejtja. Në urrejtjen etnike, nga ku lind racizmi dhe fashizmi, Kisha nuk mund të tolerojë. Ajo duhet të luftojë pa mëdyshje kundër këtij demoni të urrejtjes. Një dashuri e vërtetë për kombin do të thotë që duhet kuruar sëmundja. Dhe ajo nuk mund të kurohet nëse nuk diagnostikohet. Ashtu si një mjek i devotshëm, që kërkon ta shërojë të sëmurit, pa u merakosur se çfarë do të mendojë i sëmuri për të, ashtu edhe një kishë e motivuar nga dashuria e vërtetë për kombin dhe njerëzit e saj, me fuqinë profetike të Shpirtit të Shenjtë, duhet t’i thotë diagnozën dhe t’i japë mjekimin, çfarëdo që të mendojnë njerëzit për të. Roli profetik i Kishës është të thotë atë që thotë Perëndia. Ne e dimë nga Shkrimi i Shenjtë sesa e kushtueshme ishte për profetët fraza “Kështu thotë Zoti”. Të gjithë ata u persekutuan dhe u vranë sepse thanë “Kështu thotë Zoti”, sepse thanë fjalët e Perëndisë. Mbretërit, sundonjësit, priftërinjtë dhe populli donin që profetët të thonin atë që ata donin të dëgjonin, por profetët thanë çfarë Zoti po thoshte. E vërteta mund të persekutohet, por ajo do të jetojë. Fjalët e saj janë të përjetshme, sepse “Kështu thotë Zoti”.

    Nisur nga antropologjia e krishterë, që Perëndia “i ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve” (Veprat 17:26), Kisha e sheh unitetin njerëzor më thellë dhe ndarjet etnike janë të sipërfaqshme. E vetmja ndarje është ajo kur “të gjitha kombet do të mblidhen para Tij dhe Ai do të ndajë njërin nga tjetri, ashtu si bariu ndan delet nga dhitë.” (Mateu 25:32).

    Prandaj do të doja ta përfundoja me fjalët e N. Berdajev: “Gjithmonë kanë qenë dy raca në botë; ato ekzistojnë edhe sot dhe kjo ndarje është më e rëndësishmja nga të gjitha ndarjet e tjera. Janë ata që kryqëzojnë dhe ata që kryqëzohen, ata që shtypin dhe ata që shtypen, ata që urrejnë dhe ata që urrehen, ata që shkaktojnë vuajtje dhe ata që vuajnë, ata që persekutojnë dhe ata që persekutohen. Nuk ka nevojë për shpjegim se në cilën anë duhet tëjenë të krishterët.”

____________________________

1    John Meyendorff, The Byzantine Legacy in the Orthodox Church,St. Vladirnir’s Seminary Press, 1982, p. 226-227.

2    Patriku Bartolomeo i Konstandinopojës. Nga një fjalim në Stamboll, Shkurt 8, 1994. Ribotuar nga For the Peace from Above:një Libër Ortodoks Referencash mbi Luftën, Paqen dhe Nacionalizmin, botuar nga Hildo Bos dhe Jim Forest (Syndesmos, 1999).

3    Kisha dhe Identiteti Kombëtar,nga A. Kartachov, Paris, 1934

4  “Sepse të krishterët nuk dallohen nga pjesa tjetër e njerëzimit, as nga vendi, as nga gjuha dhe as nga zakonet. Sepse ata nuk banojnë diku në qytete vetëm të tyre, as nuk përdorin ndonjë gjuhë të ndryshme, as nuk praktikojnë ndonjë mënyrë jetese jashtë të zakonshmes. As nuk zotërojnë ndonjë shpikje të zbuluar nga ndonjë mençuri apo studim i njerëzve mendjemprehtë, as nuk janë zotërues të ndonjëdogme njerëzore, siç janë disa. Por, ndonëse ata jetojnë në qytete të grekërve ose barbarëve, ashtu si u ka rënë shorti dhe ndjekin zakonet vendore në veshje, ushqim dhe në rregullat e tjera të jetës, përsëri përbërja e qytetarisë së tyre, të cilën ata e tregojnë, është e mrekullueshme, jashtë çdo parashikimi. Ata banojnë në vendet e tyre, por si të përkohshëm, ata i kryejnë të gjitha detyrimet si shtetas dhe i durojnë të gjitha vështirësitë si të huaj. Çdo vend i huaj është një atdhe për ata dhe çdo atdhe është i huaj. Ekzistenca e tyre është në tokë, por shtetësia e tyre është në qiell.”

5    A. Schmemann, Tserkov’ i tserkovnoye ustroistro, në Messager de I’Exarchat du Patriarche Russe en Europe Occidentale, March 1949, XIV.

“Cilat janë interesat e vendit tonë veçse shqetësimet e një shteti apo kombi tjetër, domethënë, të zgjerosh kufijtë tuaj, që u janë marrë të tjerëve me dhunë, të rritësh fuqinë e shtetit, të përmirësosh të ardhurat – të gjitha këto nuk janë virtute, por përmbysje e virtuteve: sepse para së gjithash, bashkimi i shoqërisë njerëzore prishet, pafajësia prishet, ndalimi i marrjes së pasurisë së tjetrit hiqet, së fundi, drejtësia prishet … Si mund të jetë i drejtë një njeri që dëmton, që urren, që plaçkit, që vret? Dhe ata që përpiqen t’u shërbejnë vendeve të tyre i bëjnë të gjitha këto gjëra …”

“Sa detyrë e vështirë por e nderuar është për një të krishterë të mbajë brenda vetes gëzimin e madh të mos-zemërimit dhe të dashurisë, edhe kur armiku i tij është mundur, kur martiri i persekutuar e përgatit veten të gjykojë persekutuesin dhe shtypësin e tij të mëparshëm. Providenca e Perëndisë i ka vënë tashmë disa nga bijtë e Kishës Ortodokse Ruse para këtij tundimi. Pasionet ngrihen … Rusi Ortodokse mos e lejo veten të prekesh nga ky turp! Mos të bjerë ky mallkim mbi ty. Duart e tua të mos kuqen nga gjaku, që thërret lart në qiell … Mos e lejo armikun e Krishtit, djallin, të të rrëmbejë me anë të pasionit të hakmarrjes dhe të njollosë përpjekjen e martirizimit tënd nga duart e dhunuesve dhe persekutuesve të Krishtit. Mos harro: pogromet janë fitore të armiqve tuaj. Mos harro: pogromet janë një turp për ju, një turp për Kishën! Për të krishterin, ideali është Krishti, që nuk përdori shpatë për tëmbrojtur Veten, që paqësoi bijtë e bubullimës, që u lut në Kryq për armiqtë e Tij. Për të krishterin, drita udhëzuese është urdhërimi i Apostullit të shenjtë, që pësoi shumë për Shpëtimtarin e tij dhe që e vulosi përkushtimin e tij ndaj Atij me vdekjen e tij: “Të dashur, mos u hakmerrni për veten tuaj, por lërjani atë zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti’. Në qoftë se armiku yt ka uri, jepi të hajë: në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur.”(Rom. 12:19-20). Letër pastorale besimtarëve të Kishës Ortodokse të Rusisë, 8/21 Korrik 1919, nga Shën Tikoni, Patrik i Moskës.

8   David i tha Solomonit: “Biri im, unë vetë kisha në zemër të ndërtoja një shtëpi në emër të Zotit, Perëndisë tim; por fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë: ‘Ti ke derdhur shumë gjak dhe ke bërë shumë luftëra; prandaj nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, sepse ke derdhur shumë gjak mbi tokë para meje'”. (l Kronikat 22: 7-8)

9   KANONI LXXXIII nga 85 Kanonet e Apostujve të Shenjtë thotë: Nëse një peshkop, presbiter ose dhiakon do të shërbejë në ushtri dhe do që të mbajë si magjistraturën romane ashtu dhe shërbesën priftërore, ai të zhvishet nga detyra; sepse gjërat e Qesarit i përkasin Qesarit dhe ato të Perëndisë i përkasin Perëndisë.

10   KANONI XIII: Etërit tanë nuk mendojnë se ata që kanë vrarë në luftë të konsiderohen si vrasës kriminelë; por përsëri unë mendoj se është e këshillueshme që të tillë të quhen fajtorë për atë dhe të ndalohen për tre vjet nga kungimi.

11    Cituar në Bazat e Koncepteve Morale të Kishës Ortodokse Ruse,II, 2.

12    Krishterimi dhe Anti-Semitizmi (Destinata fetare e Judaizmit), nga N. Berdyayev, Paris, 1935, p.30