Vdekja! Torturoi filozofë. Stacioni më kryesor dhe i fundit i jetës sonë. Këndvështrimi i drejtë ose jo i saj është çështje jete dhe vdekjeje. Vdekja! Pritet filli i jetës; thyhet shtamba në burim; vyshket lulja dhe bie; peshku kapet papritur në rrjetë kriminale dhe zogu bie në grackë; jeta është hije dhe largohet. Kemi të bëjmë me imazhe të Dhiatës së Vjetër (Kishtari 12:6; Isaia 40:6-7; Kishtari 9:12; Jobi 14:2).

    Edhe poeti, Ati i madh Grigor Theologu filozofon mbi kufomën e vëllait të tij:

“Jemi ëndërr që nuk qëndron, vizion që nuk mbahet, fluturim sendi që kalon, anije që nuk lë asnjë gjurmë në det, pluhur, avull, vesë e mëngjesit, lule që herë shpërthen e herë shpërbëhet” (Is Kesarion epitafios, 19). Jashtë nga lirizmi, me anë të vdekjes “do kthehet dheu te toka, siç ishte [para krijimit] dhe shpirti do kthehet te Perëndia, që e ka dhënë” (Kishtari 12:7). Ndarja e dheut nga shpirti është “misteri i vdekjes, vërtet i frikshëm, sepse shpirti prej trupit ndahet dhunshëm nga harmonia; dhe pritet me vullnet të perëndishëm lidhja e natyrshme e bashkëqenies” (Shërbesa e Varrimit, Idhiomeli, Ting. IV). Si njeriu yt, që pak më parë e kishe dhe e shikoje të gjallë, dhe i flisje e të fliste, tani është i vdekur?!

    Megjithatë, siç e thamë, gjë e vdekur është vetëm trupi i vdekur, sepse u nda më dysh bashkimi unik dhe i pandarë deri atëherë shpirti edhe trupi.
Vdiq trupi, por kjo është vetëm “lipsan” ajo që mbeti nga “harmonia” [e dy përbërësve të njeriut]; – më e rëndësishmja, shpirti i pavdekshëm, rron. Për këtë do flasim më poshtë.

    Vdekja është e vetmja ngjarje e sigurt e të ardhmes sonë, kaq e sigurt sa edhe lindja jonë në të kaluarën. Lindja dhe vdekja janë dy stacionet më kryesore të jetës sonë. Të gjithë do vdesim, vetëm nëse na gjen fundi i botës. Por fatkeqësisht, si për paradoks, harrojmë të vetmen gjë të pashmangshme dhe vrapojmë pas gjërave të pasigurta dhe të paqëndrueshme. Edhe i biri i gruas së ve, të cilin kishte ngjallur Krishti dikur në fshatin Nain (Lluk.7:11-15), më në fund vdiq përfundimisht.

    Vdesin edhe të pasurit: “Ku janë … ata që depozitonin thesar ari, në të cilin kanë besimin njerëzit… U zhdukën dhe në Hadh zbritën” (Varuh 3:16-19). Një jetë e tërë me ankth për para, dhe kur i përvetësuan, prapë nuk i shijuan për shkak të kurnacërisë. Një jetë të tërë me privime dhe përfundimisht një fund i papërgatitur, pra i frikshëm: vdekja. Në qimitir, një mal me kafka e kocka. Sa nga ato iu përkisnin njerëzve që kishin iluzion për madhërinë e tyre, për veten e tyre! Ushqenin pseudoiluzione se ishin njerëz – fenomene, kërthiza e tokës, qendra e botës! Mbas largimit të zotërisë së tyre do përmbysej bota!

    Por e vetmja gjë që ndodhi më pas, ishte se vetë u kthyen në “ushqim krimbash dhe kundërmonin erë të keqe” (Shërbesa e Varrimit, Lumturimi) dhe pastaj kocka të pavlefshme, as pleh për tokën, siç është mishi.

    Vdesin edhe të lumturit: “O vdekje, sa i hidhur është kujtimi yt te njeriu që jeton me paqe në ato që ka, te burri pa kokëçarje dhe që ka sukses në të gjitha” (Sirak.41:1).

    Vdesin pleq, por edhe të rinj: “Ky është vendim [i vdekjes që u dha] prej Zotit për çdo mish … si për dhjetë, ashtu dhe për njëqind … vjet” (Sirak.41:4).

    Vdesin ato dhe ata që kanë paraqitje trupore tërheqëse: “Çdo trup [është si] bar … U tha bari, dhe lulja ra”, siç na tha Isaia (40:6-7).

    Vdesin të lavdishmit dhe të fuqishmit: “Nuk ekziston pushteti ditën e vdekjes”, sillet mizorisht mbreti Kishtar Solomon (8:8); “as do të zbresë bashkë me të [në varr] lavdia e tij”, plotëson Psalmisti (48:18), babai i tij, mbreti David.

    Në ikonografinë bizantine oshënar Sisoi pasqyrohet gjithmonë në një mënyrë veçanërisht apokaliptike: Vuan sipër skeletit të Aleksandrit të Madh brenda varrit të hapur të tij. Ky çast i jashtëzakonshëm dhe i shprehshëm është i fiksuar dhe tregon tmerrin e shenjtit për “paqëndrueshmërinë e kohës dhe të lavdisë së përkohshme” dhe duke kapur me duart e tij kokën mendon dhe thotë: “Duke të parë ty, o varr, trembem nga pamja jote dhe derdh lot të zemrës duke menduar detyrën e përbashkët [të vdekjes] që kemi borxh. Si vallë mund ta kalojë një gjë të tillë? Eh, vdekje, kush mund të të shmanget?”

    Kjo temë e kësaj natyre nuk ndeshet në asnjë vend tjetër në artin bizantin. Dhe është e çuditshme se nuk ka bazë në sinaksarin e oshënarit.

    Një imazh paralel, tronditës dhe rrënqethës na e dha jo me penel, por me penën e tij profeti Isaia. Përshkruan fatin e pashmangshëm njerëzor, vdekjen e perandorit mitik të atëhershëm të Babilonisë gjysmëperëndi. Zbret në Hadh dhe ngrihen gjithë arkondët të habitur, por edhe ironikë. I thonë me një gojë:

    “Edhe ti u mundove pikërisht si edhe ne dhe u rendite midis nesh. Zbriti në Hadh lavdia jote, gëzimi yt i shumtë; [në vend të mbulesave shumë të çmuara dhe shumë luksoze] do shtrojnë nga poshtë kalbësinë dhe shtrati yt [do jetë] krimbi. Si ra nga qielli ylli i mëngjesit që lind herët! U dërrmua në tokë… Ndërsa ti the me mendjen tënde: ‘Në qiell do ngjitem, përmbi yjet e qiellit do të vendos fronin tim… do të ngjitem sipër reve, do bëhem i njëjtë me të Lartin [ d.m.th. do bëhem gjysmëperëndi]. Por tani do zbres në Hadh dhe në themelet e tokës. Ata që të kanë parë do mrekullohen me rastin tënd dhe do thonë: ‘Ai [është] njeriu… që lëkundte mbretër? Që shkretonte gjithë rruzullin?” (14:4-17).

    Përsëri sipas profetit Isaia, të tillë njerëz, edhe pse të vdekshëm, kishin menduar se kishin bërë kontratë me vdekjen që mos t’i prekte asnjë lloj stuhie, por t’i evitonin ato (28:15). Përmbledh himnuesi me habi: “Kujtova profetin [Avraam] që thërriste: ‘Unë jam dhe edhe hi [Gjen. 18:27]; dhe përsëri solla ndër mend varret dhe pashë kocka të zhveshura e thashë: ‘Vallë, kush është, mbret apo ushtar, i pasur apo i varfër, i drejtë apo mëkatar?” (Shërbesa e Varrimit Idhiomelo Ting. Terthor I).

    “Ja njeriu!” (Joani 19:6). Ai është! “Njeriu [është] kalbësirë dhe i biri i njeriut, krimb” (Jobi 25:6) … Njeriu tokësor prej mishi është kotësia më e lartë. “Kotësi e kotësive, të gjitha kotësi” (Kishtari 1:2) është aksioma – rezultati i eksperiencës së pasanikut shumë të madh, mbretit të urtë Solomon. Na zbulon: “Çdo gjë që kërkuan sytë e mi, nuk ua privova, nuk pengova zemrën time nga çdo gëzim … Dhe ja, të gjitha kotësi … dhe e urreva … jetën …sepse të gjitha janë kotësi” (Kishtari 2:10-17; shih Psalmi 38:6).

    Konkluzioni: Gjithsesi vdesim të gjithë njësoj: “Një [është] hyrja e të gjithëve në jetë dhe dalja e barabartë” (Urt. Solom. 7:6). Flasim dhe përpiqemi për barazi të zezakëve e të bardhëve, fëmijëve e të moshuarve, të burrave e të grave. E sigurt dhe e njëjtë është barazia e varrit; nuk ka nevojë për legjislacione! Ushtarët dhe shërbëtorët e monarkut babilonas nuk ishin “më të vdekur” se ai, në vdekje nuk ekzistojnë shkallë krahasuese. Fenomeni është i përgjithshëm dhe në barazi të plotë. Është i përgjithshëm dhe i frikshëm “meqë i përket njerëzve të vdesin një herë dhe pas kësaj [do të jetë] gjyqi” (Heb.9:27).

* * *

    Përderisa fenomeni i vdekjes është i përgjithshëm, a nuk është vallë që në fillim brenda natyrës sonë? Lind pyetja: A e krijoi Perëndia vdekjen?

    Shkrimet, Tradita dhe vetë natyra jonë përgjigjen negativisht. Liturgjia e Vasilit të Madh hedh poshtë kategorikisht dhe me stil konciz, kur bën një përshkrim të shkurtër dhe përmbledhës të historisë tragjike të gjinisë sonë -dhe në fund jep zgjidhjen e dramës. “Uron prifti fshehtazi: …’Kur krijove njeriun, mbasi more baltë prej dheut [d.m.th. me kujdes të veçantë dhe jo si krijove natyrën tjetër] dhe e nderove me ikonën tënde, o Perëndi, e vendose në Parajsën e dëfrimit, pasi i premtove pavdekësinë e jetës dhe shijimin e të mirave të përjetshme, po të ruante porositë e tua. Por meqenëse nuk të dëgjoi ty, Perëndinë e vërtetë, që e krijove dhe u tërhoq nga mashtrimi i gjarprit e iu dorëzua vdekjes nga fajet e veta, me gjykimin tënd të drejtë, o Perëndi, e dëbove nga Parajsa në këtë botë, dhe e ktheve në dhe prej të cilit u mor [Gjen. 2.7-3.24], duke i përgatitur atij shpëtimin me anën e rilindjes që është në vetë Krishtin tënd”.

    Janë të thella kuptimet e uratës së shkëlqyer. Le t’i analizojmë pak gjërat.

    Urtësia e Solomonit deklaron se “Perëndia nuk e krijoi vdekjen, dhe as kënaqet me humbjen e të gjallëve” (1:13). Me të vërtetë, si mundej që Zoti njeridashës të ishte zemërlig dhe të gëzohej në zhdukjen e krijesës së Tij? “Këto thotë Zoti, ‘Nuk dua vdekjen e ateistit ashtu [sikundër dua] të kthehet ateisti nga rruga e tij dhe të jetojë… Pse vdisni, o shtëpi të Izraelit?” (Jezek.33:11). Dhe nëse Krijuesi nuk do vdekjen shpirtërore (d.m.th. ndarjen dhe largimin e njeriut nga Vetë jeta, Perëndia) nuk do as vdekjen biologjike, përderisa e “krijoi njeriun për paprishjen”, siç thotë Urtësia e Solomonit (2:23).

    Por nëse kështu është e vërteta, si depërtoi vdekja në rrugën e njeriut? Në vazhdim Urtësia e Solomonit sqaron: “Perëndia krijoi njeriun për paprishje dhe e bëri ikonë të veçorisë së tij. Ndërsa vdekja hyri në botë nga zilia e djallit” (2:23-24) në ato çaste kaotike të mosbindjes së të parakrijuarve. Ramë në grackën e mekanizmave që intrigoi djalli urryes, përderisa “njerivrasës ishte që nga fillimi” (Joani 8:44).

    “Sepse nëse siç bëri Perëndia të vdekshme natyrën [me mundësi të bëhej e vdekshme], nëse kështu bëri edhe vdekjen, nuk do ishte [nuk do vinte] me anë të mosbindjes vdekja. Dhe nëse Perëndia mosbindjen [që shkaktoi vdekjen] nuk e bëri, pra as vdekjen [nuk e bëri]” (Amfvivallomena Iustinu Apokrisis Orthodh. 32). Por edhe vetë natyra jonë tregon se vdekja nuk është diçka e qenësishme. Dëshira e madhe për jetën, mospëlqimi dhe neveria ndaj vdekjes tregon qartë se vdekja është fenomen i huaj, i papërshtatshëm dhe pa diskutim jo i familjarizuar me ne.

    Tregon me hijësi edhe një mit ezopik – më poshtë do mësojmë të vërteta shtesë edhe nga një tekst tjetër i lashtë me humor. Kështu një plak, që priste dikur dhe transportonte drutë, u lodh, ndaloi në rrugë, e hodhi poshtë barrën dhe i rraskapitur ftoi vdekjen. Ajo u paraqit dhe e pyeti se për çfarë e donte. Plaku u frikësua, por nuk u hutua. Menjëherë iu përgjigj se e kishte thirrur që t’i ngrinte barrën! (Ragavi, Elliniki Kristomathia fq. 33).

    Ne bëjmë çdo gjë që t’i shmangemi vdekjes. Për shembull na shqetëson seriozisht çështja e shëndetit tonë. Pse? Sepse qoftë edhe sëmundjet më të lehta janë paralajmëtare të vdekjes – Sipas një fjale të urtë të lashtësisë “[Edhe vetëm] nga thoi [kuptojmë] luanin” (vdekjen që shqyen të gjithë).

    Vdekja pra invadoi në një çast të caktuar të historisë sonë, “dhe thumbi i vdekjes është mëkati” (1 Kor.15:56).

    Që këtej e tutje të parakrijuarit mëkatarë nuk i nxinte më Parajsa, nuk kishin vend në vendin e tërëshenjtërisë, afër Perëndisë së përkryer. Mosbindja preu lidhjen e lumtur me Krijuesin ajo lumturia njerëzore “hante” sugjeruesin e mosbindjes, djallin mashtrues, që kishte rënë nga ajo më përpara edhe prandaj kishte zili paraardhësit tanë që nuk kishin rënë akoma dhe rrjedhimisht ishin shumë të lumtur.

    Shtojmë se Perëndia i kishte paralajmëruar për rezultatet në rast të shkeljes (kështu s’kishin justifikim): “Ditën që do hani nga kjo [pemë e ndaluar] do vdisni me vdekje” (Gjen.2:17). Njeriu d.m.th. do vdiste menjëherë shpirtërisht, ndërsa më vonë edhe trupërisht sipas “Je dhe [mbasi je krijuar nga balta] dhe në dhe do shkosh” (Gjen.3:19). Njeriu dëbohet nga Parajsa edhe për një tjetër arsye. “Mendon” antropomorfikisht i Larti “Dhe tani mos ndoshta shtrin dorën e tij dhe merr nga pema [tjetër, d.m.th.] e jetës, dhe të hajë e të jetojë përgjithmonë” (Gjen.3:22). Mendimi i Etërve komenton se prishja dhe vdekja u futën në gjininë tonë “që të mos jetë e pavdekshme e keqja. Dhe dënimi bëhet filantropi. Sepse kështu bindem unë se dënon Perëndia”, na rrëfen Grigor Theologu (Logos 38, Is ta Theofania, 12).

    Të gjitha deklarojnë se mëkati u bë shkaku i vdekjes së Adamit; “sepse pagesa e mëkatit [është] vdekja” (Rom. 6:23), që atëherë, në kohën e Adamit dhe në vazhdim, sipas shembullit të keq të Adamit…

    Saktësisht pra përfundon Gojarti (Krisostomi) i shenjtë: “As vdekjen të kemi frikë, por mëkatin. Sepse nuk lindi vdekja mëkatin, por mëkati lindi vdekjen; ndërsa vdekja është bërë ilaç i mëkatit” (Is tin agian megalomartira Dhrosidha, 6). Po si u kthye vdekja në ilaç kundër mëkatit? Në fillim le të kujtojmë se i vdekuri nuk iu nënshtrohet shkeljeve të reja, “sepse i vdekuri është çliruar nga mëkati” (Rom. 6:7). Por kryesisht, vdekja me një mënyrë tjetër u shndërrua në ilaçin dhe antidozën ndërnjerëzore kundër mëkatit. Çliroi njeriun jo vetëm nga rëniet pas vdekjes, por edhe nga faji dhe dënimi i të gjitha mëkateve para vdekjes.

    Kur ndodhi kjo? U arrit kur njeriu më i shquar, më perfekti i të gjithë shekujve, korifeu, unikali ynë, ‘i biri i njeriut’ (Matth.12:8; Mark.2:28) “tha, ‘Mbaroi’, dhe duke përkulur kokën dha frymën” (Joani 19:30) dhe më vonë “u ngjall së vdekurish; me vdekje vdekjen shkeli edhe të varrosurve jetën u fali” (Ngjalljesore). Përdëllimi i Tij, ngjalli edhe vëllezërit e Tij (shih Matth.12:49-50; Joani 20:17) dhe shokët e Tij (shih Lluk.12:4; Joani 15:14-15). “Sikundër me anë të një njeriu hyri mëkati në botë edhe me anë të mëkatit vdekja. kështu edhe me anë të bindjes së një njeriu [d.m.th. me anë të Pësimit dhe Ngjalljes së Jisuit] të drejtë do bëhen të shumtët. për jetë të përjetshme” (Rom.5:12-21).

    Dhe përsëri lindja jonë, rilindja dhe ngjallja jonë në jetën e lartë qiellore nëpërmjet Ekonomisë Hyjnore (plani i parajetës për shpëtimin tonë me anën e Krishtit). Pra thërret melodikisht dhe në mënyrë panagjirike Joan Damaskini në Shërbesën e Varrimit: “Vdekja jote, o Krisht, u bë shkak pavdekësie” (Lavdia e Idhiomeleve). Të njëjtën gjë përsëris edhe në Shërbesën Ngjalljesore të së dielës: “Kryqi yt, o Zot, është jetë dhe ngjallje për popullin tënd” (Lavdërime Ting. Tërthor II).

    Thamë për Adamin se sa herë e imitojmë për sa i përket mosbindjes së tij tek vullneti hyjnor, vdesim. Plotësojmë tani se sa herë nga ana tjetër e imitojmë bindjen e Jisuit, rrojmë. Shfuqizimi i vdekjes është Ngjallja e Zotit dhe jeta e besimtarit e ringjallur në Krishtin.

* * *

    Tani pra, pas Krishtit, në kohën e Hirit, vdekja pushoi së qeni mallkim i frikshëm i mosbindjes (Gjen. 3:17-19). Tani është fjetje pritjeje: “U thotë atyre: ‘Llazari, miku ynë ka fjetur,… dhe kishte folur Jisui për vdekjen e tij” (Joani 11:11-13). Kishte katër ditë që kishte vdekur dhe trupi i tij ishte kalbur dhe kundërmonte erë të keqe, dhe megjithatë ai flinte! Shumë më lehtë Zoti kishte quajtur dhe përballuar si gjumë një tjetër vdekje, e freskët në atë rast edhe pse u tallën me Të sikur të ishte një mendjelehtë dhe jashtë realitetit. Sqarojmë se ndërsa hynte në shtëpinë e zisë pak para se të ngjallte vajzën dymbëdhjetëvjeçare të Jairit, rithirri në realitet vajtueset dhe të pranishmit e dëshpëruar, ata që “qanin dhe ulërinin shumë”. I pyeti, pa pritur përgjigje. Ose më mirë dha Vetë përgjigjen e duhur përpara habisë së tyre të heshtur. “Do të pyetni pse dërrmohemi? Vdekje kemi dhe madje të vajzës së cilës sapo kishte filluar t’i çelte rinia, dhe bile fëmijë e vetme e prindërve të saj”. Ja çfarë i pyeti dhe çfarë u tha Jetëdhënësi: “Pse trazoheni dhe qani? Fëmija nuk vdiq, por po fle’. Edhe e përqeshnin atë” (Mark. 5:22-43; Matth. 9:18-26; Lluk. 8:41-56). Për ata ishte vdekje, për Atë gjumë!

    Edhe diçka tjetër: Nëse vdekja është një gjumë i gjatë para trumbetës së zgjimit të ngjalljes, gjumi është një vdekje e vogël, parashfaqje dhe paratregim i vdekjes së fundit. Kështu që Etërit asketikë këshillojnë para se të shtrihemi për të fjetur, të mendojmë se mund edhe të mos zgjohemi, se mund të na paraprijë vdekja. Le të paralelizojmë krevatin e gjumit me atë të vdekjes, arkivolin (shih Shkalla 7. 21). Edhe le të bëjmë një koment shpirtëror të dobishëm dhe fitimprurës: Ashtu siç shtrihemi në krevat për disa orë, për pak, ashtu do të shtrihemi në varr për shumë, në intervalin kohor deri në gjykimin mbarëbotëror të frikshëm. Shtrirja në shtrat le të na sjellë “kujtesën e vdekjes”, me qëllim që të mos bëhet shkaktar dembelizmi apo i ndonjë mëkati tjetër më të rëndë.

    Apostujt, duke u bazuar në të vërtetën e natyrës reale të vdekjes, ngushëllojnë besimtarët: “Nuk duam, që ju të mos dini, vëllezër, rreth të fjeturve, për të mos u pikëlluar si të tjerët që nuk kanë shpresë. Sepse nëse besojmë se Jisui vdiq dhe u ngjall, kështu [besojmë se] edhe Perëndia, të fjeturit nëpërmjet Jisuit do t’i ngrejë bashkë me të [që të mbretërojnë bashkë me Të në ardhjen e dytë]” (1 Thesal. 4:13-14).

    Vdekja për ne është thjesht një pritje. Presim Zotin të vijë të na marrë në lavdinë e Tij, në Mbretërinë e Qiejve. Na e ka premtuar: “Shkoj t’ju përgatis vendin dhe nëse do të shkoj dhe do t’ju përgatis vendin, përsëri do t’ju marr ju pranë vetes sime, që të jeni edhe ju atje ku jam unë” (Joani 14:2-3).

    I kushtojmë rëndësi kësaj gjëje: Krishti do vijë në fundin e botës për Gjykimin e përgjithshëm të të gjithë njerëzve gjatë gjithë shekujve. Por përderisa me vdekjen e secilit mbyllet çdo mundësi për përmirësim të mëtejshëm dhe sukses, sipas thënies “Në Hadh nuk ka pendim”, komentuesit arrijnë të thonë se Zoti vjen në çastin kur del shpirti, se vdekja përbën parastazhin e Gjykimit përfundimtar, është një Gjykim i vogël personal.

    Dhe është konsekuencë logjike që pjesëtarët e Kishës të jetojnë përjetësisht në shkëlqim dhe jo në varr e në errësirë, përderisa Kisha jeton përjetësisht dhe shkëlqyeshëm dhe jo në varr e në errësirë, meqenëse Kisha jeton përgjithmonë, sepse koka e saj është “i parëlinduri nga të vdekurit”, pra Krishti (Kol.1:18), “burimi i jetës, drita e paafrueshme” (Vargësore ngjalljesore Ting.Tërthor II). Jeton koka, jeton edhe trupi, jetojnë edhe pjesët e veçanta dhe organet e tij. Jetojnë tani, por shumë më tepër do jetojnë në të ardhmen. Kjo nënkuptohet nga thënia paralajmërim i Perëndinjeriut: “Meqë unë rroj, edhe ju do të rroni” (Joani 14:19). Tha “do të rroni” në të ardhmen dhe jo thjesht jetoni tani, përkohësisht ndoshta. Ky është një aluzion i qartë për sigurinë e Ngjalljes. A nuk thotë se Perëndia është “Perëndi i Abrahamit dhe Perëndi i Isaakut, dhe Perëndi i Jakovit? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve” (Matth. 22:32). Vdekja është rënie në gjumë. Do pasojë ngjallja, ngritja që realizon lindje të dytë: Ashtu si edhe embrioni vështirësohet gjatë çastit të lindjes, por vetëm kështu del në jetën e lirë, njësoj me anë të hidhërimit të vdekjes rilindemi në jetën e lartë e të përjetshme. Kështu besojmë ne të krishterët, dhe përgjigjemi pozitivisht kur na pyet Krishti së bashku me Marinë, motrën e Llazarit “Beson këtë?”, d.m.th. se besimtari “nëse do të vdesë, do të jetojë” (Joani 11:26).

    Por në pavdekësinë e njeriut besonin edhe ata që jetuan para Krishtit. Le të përmendim dy-tre shembuj për vërtetësinë e thënies:

– Qysh në epokën prehistorike arkondët ndërtonin varre të mëdhenj dhe vendosnin pranë të vdekurit sendet e tij të dashura dhe të çmuara, që i përdorte kur rronte. Besonin në pavdekësinë e tij, i nevojiteshin, do vazhdonte t’i përdorte pavarësisht që zakonisht plaçkitësit e varreve i përvetësonin dhe kufoma ngelej lakuriq.

– Vendosja në arkivol jo të shtrirë drejt, por të mbledhur në mënyrë të tillë që të kujton embrionin brenda mitrës – shtatzënia e të vdekurit para lindjes së re të tij.

– Balsamimi, kryesisht në Egjipt, përpjekja për të ruajtur kufomën të paprishur sa më shumë të jetë e mundur, shfaqte shpresën dhe besimin në ngjalljen e tij.

    Shembujt e lartpërmendur përbëjnë shndritje të së vërtetës mes popujve “të ndenjur në errësirën dhe hijen e vdekjes” (Psalmi 106:10).

    Varri nuk është fundi ynë mizor dhe i neveritshëm. Zbritja në varr shndërrohet në shkallë dhe urë drejt Qiellit. I fjeturi me Zotin “kaloi nga vdekja në jetë” (Joani 5:24).

    Nëse jeta tokësore është diçka kalimtare, edhe sipas Shkrimit (p.sh. Heb. 13:14), edhe sipas Etërve (p.sh. Krisostomit Is Eftropion B,5), njësoj i përkohshëm është edhe varri nëntokësor. Para Krishtit, e konsideronin si shtëpinë e çdo të vdekuri (Jobi 30:23), por në realitet është vetëm han.

    Vdekja nuk është vdekje, është transferimi nga njëra jetë e përkohshme në jetën tjetër të përjetshme. Është karakteristike se dita e mbarimit të martirëve gjatë shekujve të parë, quhej “ditë lindjeje” e tyre: Lindnin me anë të martirizimit të tyre në jetën e lartë, që nuk rrëzohet dhe të pafund. Rrjedhimisht të krishterët nuk vajtonin vdekjen e tyre, përkundrazi organizonin festa e veprimtari të ndryshme çdo vit në përvjetorin e martirizimit të tyre. Praktikën e tyre e vazhdojmë edhe sot e kësaj dite: Nuk pikëllohemi në kujtimet e tyre, por gëzohemi. Për më tepër, në kujtimin e shenjtorëve të mëdhenj edhe nëse ajo bie ditë kreshmore, konsumojmë vaj dhe verë që të festojmë me më shumë kënaqësi. Nuk dëfrehemi me lakra!

    Sa jetojmë në tokë, në Kishën Militante dhe sa në Qiell, në Kishën Triumfale, jemi një dhe e njëjta gjë: jemi Kisha. Pak i ndan të parët nga të dytët vdekja. Besimtari, “nëse do vdesë para se të vdesë, nuk do vdesë kur do vdesë”. Nëse do vdesë për sa i përket pasioneve dhe ligësive, nuk do vdesë shpirtërisht atëherë kur do vdesë trupërisht.

    Shpresëtari ka sigurinë e pavdekësisë dhe nuk e tremb vdekja. Një shkallë më lart: Shenjtorët, jo vetëm nuk dridheshin nga vdekja, por edhe e kërkonin: Pavli i madh p.sh. shumë shpesh thoshte: “Na pëlqen më shumë të shpërngulemi nga trupi e të qëndrojmë te Zoti” (2 Kor. 5:8). Ndizej nga dëshira e fortë “për të ikur dhe për të qenë bashkë me Krishtin” (Filip. 1.23). Edhe jetën, edhe vdekjen e tij ia kishte ofruar Jisuit, kështu që deklaronte: “Do të madhërohet Krishti në trupin tim, qoftë me anë të jetës, qoftë me anë të vdekjes. Sepse për mua të jetuarit është Krishti, edhe të vdekurit, fitim” (Filip.1:20-21). Jo vetëm nuk e trembte fantazma e vdekjes, por edhe e tërhiqte. Sekreti konsiston se kishte ndërgjegjen e tij avokat mbrojtës dhe më tepër, edhe lavdërues: “Koha e ikjes sime ka ardhur. Luftën e mirë e kam luftuar, rrugën e kam bërë, besimin e ruajta; pra më mbetet kurora e drejtësisë” (2 Tim. 4:6-8).

    I barabartë dhe i barasvlefshëm është edhe pendimi, kur mungojnë veprat. Kusari i Kryqëzimit nuk dispononte asgjë në favor të tij, përkundrazi rëndohej me “vepra penale”. Papritur shprehja “Kujtomë” i hapi Parajsën! (Lluk. 23:42-43).

    Përballimi pra i vdekjes nga ana e atyre që shpëtohen sjell vulën trefishe të virtyteve të mëdha: Besim të patundur në jetën përtej varrit, dashuri të plotë te Shpëtimtari dhe shpresë të sigurtë se me anë të vdekjes do marshojmë pranë Tij përgjithmonë! Sigurinë e trashëguan nga ideali i tyre, Perëndinjeriu, të Cilin përpiqen Ta imitojnë. Pak para pësimit në “lutjen arkieratike” thoshte: “Unë drejt teje po vij, Atë i shënjtë” (Joani 17:11), ndërsa pikërisht kur po mbyllte jetën e Tij tokësore “tha: ‘Atë, në duart e tua e besoj frymën time’; dhe kur tha këto dha frymë” (Lluk. 23:46). Që nga kjo kohë e në vazhdim shumë simpatizantë të Tij mbyllin jetën e tyre me këto fjalë ose të ngjashme me këto. Për shembull Stefani gjatë ekzekutimit të tij me goditje me gurë u lut: “Zot Jisu, prano frymën time” (Vep. 7:59-60). Dhe përfundimi pra: qëndrimi i secilit ndaj vdekjes është zakonisht pasqyrë e gjendjes së tij shpirtërore. Nëse është i familjarizuar me vdekjen, mirë; por nëse dekurajohet dhe dridhet, frika e tij tregon se nuk është gati për jetën tjetër. Në rregullin e mësipërm kemi dy përjashtime; së pari kemi shumë shenjtorë që për shkak të përulësisë e konsiderojnë veten e tyre jo të plotë, për rrjedhojë të papjekur për fundin; dhe e dyta kemi ata që duke tjetërsuar shpirtin e tyre tek djalli vetëvriten për të shpëtuar nga vështirësitë e jetës. Pra zhgënjehen duke menduar se në këtë rast “vdekja [është] prehje e burrit” (Jobi 3:23); është ferr torturues.

     Me vështirësitë luftojnë edhe të krishterët, por si mendojnë dhe çfarë thonë? “Gjendem pranë fundit të udhëtimit tim dhe nxitoj të shkoj në vendin ku të lodhurit gjejnë prehje dhe ku e keqja s’ka fuqinë të shkaktojë asnjë trazirë. Edhe nëse rruga që zgjodhi Perëndia për të më sjellë në fundin tim është ende e ashpër dhe koha e egër, unë do ta mbaroj jetën time duke thënë ‘Të himnojmë, o Zot” (Daniel Defoe, i vetinternuar atëherë, plak dhe i trishtuar).

    Sido që të jetë puna, ora e vdekjes në shumicën e rasteve është tmerrësisht e frikshme. Në ato çaste shumë të tensionuara njeriu përballon me sytë e tij egërsinë dhe urrejtjen e satanait dhe të “doganave të tij” në sulmin e tyre përfundimtar e të dëshpëruar ndaj shpirtit. D.m.th. shpresëtaria popullore beson se shpirti duke u ngjitur në Qiell, kalon në fillim nga grupet e demonëve, (demonët e inatit, demonët e parëdashjes etj.) që e kërkojnë për të tyren, përderisa ka kryer mëkatet përkatëse. Por nga ana tjetër, engjëjt i qëndrojnë afër duke përmendur pendimin dhe veprat e mira të tij. Agonia shkon në zhenith, atje në kufirin e dy mënyrave të ekzistencës së tij.

    Bëhet e pranueshme në përgjithësi se e Tërëshenjta jonë ka fuqi të madhe dhe mund të ofrojë ndihmë të paçmuar në shpirtin që mundohet dhe vuan “në orën e frikshme të vdekjes” (Lavdia e Pasvargjeve të të Lidhurit të Mishit). Prandaj edhe në çdo Pasdarkë i lutemi “Dhe ji pranë meje gjithnjë… në këtë jetë mbrojtëse dhe ndihmëse e flaktë… dhe në kohë të ikjes sime, duke u kujdesur për shpirtin tim të mjerë dhe duke dëbuar larg faqet e errëta të demonëve të ligj” (Pavli, murg i Manastirit të Evergjetidhos, Lutje tek e Tërëshenjta Hyjlindëse).

* * *

    Përmendëm mjaft gjëra në lidhje me karakterin e përkohshëm të vdekjes, madje folëm dhe për karakterin festiv të saj në rastet e shenjtorëve. Megjithatë le të bëhemi më të butë dhe më njerëzorë.

    Është e natyrshme të pikëllohemi edhe në vdekjet e njerëzve të virtytshëm. Sigurisht jo për arsye të dëshpërimit – ja ndryshimi midis besimtarit dhe jobesimtarit – por për shkak të ndarjes së përkohshme dhe të privimit të njeriut tonë ose edhe të privimit të shembullit dhe të fjalës së tij, nëse kishim të bënim me personalitet të shquar. Pikëlloheshin, thotë, “të gjitha të vejat duke qarë dhe duke treguar këmishat e rrobat sa bënte kur ishte me to, Zarkadhja”, d.m.th. Tavithaja përdëllimtare, e cila sapo kishte vdekur nga një sëmundje (Vep. 9:36-39).

    Nga ana tjetër – si të bëjmë? – disa faktorë dhe parametra e zmadhojnë trishtimin. Ndoshta ai që ndërron jetë mund të ketë qenë i afërmi ose shoku ynë i ngushtë apo vëlla shpirtëror, apo akoma më tepër ndoshta udhëheqësi ynë; të jetë larguar papritur; të ketë qenë i ri – ekzistojnë faktorë të ndryshëm që shtojnë zinë. P.sh. i riu i fshatit Nain nuk ishte vetëm i ri, por edhe i vetëmlindur edhe nëna e tij ishte e ve (Lluk. 7:12).

    Nuk përjashtojmë dhimbjen, përderisa nuk e përjashtoi Zoti: Nuk e qortoi fatkeqen e Nainit që qante të birin e saj. Petroja nuk i qortoi gratë e veja që vajtonin për Tavithanë. Hyjlindësja paraqitet shumë herë në Himnologji të vajtojë nën Kryqin, edhe pse nuk kemi pasazh ungjillor të qartë – por ajo shpatë, që i kishte parathënë Simeoni se do t’i çante zemrën (Lluk. 2:35), mund të mos i shkaktonte dhimbje dhe dërrmim?

    Por pse shkojmë larg? Vetë Zoti ishte hidhëruar dhe lotoi para katandisjes së natyrës sonë, para vdekjes se mikut të Tij Llazarit, që tashmë kundërmonte erën e prishjes… Ndjeu brenda Tij kaq pikëllim saqë “u trazua në shpirt”, d.m.th. u indinjua dhe iu desh të qortojë pikëllimin e Tij që të vetësundohej edhe pse e dinte se do ta ngjallte shokun e Tij dhe se sëmundja (dhe rezultati i saj, vdekja e atij) do zhvilloheshin “pro lavdisë së Perëndisë, që të lavdërohet i biri i Perëndisë me anë të saj” (Joani 11:1-44).

* * *

    Le të ecim tani në paragrafin “Vdekja dhe jobesimtarët, ose dhe mëkatarë të papenduar”. Zakonisht largojnë çdo referim dhe mendim të vdekjes. Janë të pakta rastet që e kujtojnë disa, ata që ndërgjegjen e kanë gurore, jo për të dalë e mira nga “kujtesa e vdekjes”, por për të dalë e keqja, si p.sh. “Le të hamë dhe le të pimë, sepse nesër do vdesim” (Isaia 22.13), meqë “jeta është një këngë, që refreni i saj është vdekja” (Ugo, Filozofia dhe Letërsia).

   Pak veta i përkasin kësaj kategorie. Shumica dridhet prej vdekjes. Ekzistojnë raste kur të moshuar, madje edhe ata që janë në moshë shumë të thyer, kanë kaq shumë frikë, saqë njerëzit e tyre detyrohen që t’u thonë gënjeshtra, se d.m.th. jetojnë të gjithë të afërmit ose të njohurit. Dhe nëse rastis të kalojë ndonjë kortezh vdekjeje para shtëpisë së tyre, i thonë se i vdekuri është një i huaj edhe pse mund të jetë ndonjë gjiton.

    Sa kontrast me pleq shpresëtarë që të thonë: “Biri im, kaluan vitet e mia. Çfarë tjetër pres? Jetova jetën time, afroi fundi im. Nëse Perëndia e gjykon, le të më prehë!”.

    Shohim se ai i cili e zmbraps gjatë jetës së tij konceptin e vdekjes, në perëndimin e jetës së tij kur e gjen përpara, paraqitet i papërgatitur para gjërave të papritura, në kundërshtim absolut me atë që kishte krijuar familjarizim me të. Prandaj edhe të afërmit e atij që vdes, i cili ishte indiferent ndaj besimit, nuk vendosin t’i sjellin priftin ta rrëfejnë dhe të kungojë me Trupin e Krishtit “për furnizimin e jetës së përjetshme dhe për mbrojtjen e mirëpritur mbi tribunën e frikshme” dhe “për fejesën e jetës së ardhshme dhe të Mbretërisë” (Shërbesa e Kungatës, uratë II dhe VI). Kanë frikë që të mos marrë vesh ai se shuhet dhe humbet.

    Me shpresëtarët është krejt ndryshe. Ata iu luten besimtarëve që janë në mbarim të jetës: “Kur të ikësh nga kjo jetë dhe engjëjt do marrin shpirtin tënd, dhe do t’i falesh fronit të Krishtit, ndërmjeto edhe për ne, kurse ne do të të kujtojmë në liturgjitë dhe në lutjet tona”. Dhe ai që jep shpirt bie dakord dhe mbyllet marrëveshja! kemi përvoja personale të rasteve që regjistrojmë në këtë kapitull.

    Të tjerë, jobesimtarë dhe mëkatarë, nuk kalojnë para varrezave, në kundërshtim me besimtarët që për hir të filozofisë së vërtetë i frekuentojnë ato. Ekzistojnë me të vërtetë disa shkolla të mëdha edhe pse nuk kanë nga jashtë tabelën “Lice” apo “Universitet” ose “Pasuniversitar”. Nëse të tilla janë spitalet dhe azilet, më të mëdha janë qimitiret. Shikon varre të rinjsh, të pasurish, të njerëzve me famë etj. Dhe në asnjë varr nuk shikon të kenë vendosur bashkë me cilindo të pasur jahtin e tij apo aeroplanin e tij personal, apo makinën e tij luksoze – ka kaluar epoka kur vendoseshin sendet personale të çmuara, por të kota, në varre. “Sepse nuk sollëm brenda botës asgjë [gjatë lindjes sonë, është] e qartë se as mundemi të nxjerrim asgjë” thekson me skepticizëm Pavli (1 Tim.6:7). Si të pasurit edhe të varfrit futen në metra katrorë të barabarta, në të njëjtën tokë. Sado pasuri të patundshme të ketë dikush, në fund pasuria e tij e patundshme do jetë dy metra katrorë. Madje sado i pasur që të jetë, as varri nuk është i tij. Është thjesht “përdorues”; dikur herët a vonë do ta zhvarrosin ose mund edhe ta flakin tutje, për të vendosur dikë tjetër; e zhvendosin edhe nga këto dy metra katrorë të pasurisë së tij përfundimtare gjoja të paluajtshme.

    Asgjë, askush nuk merr me vete. Ikën i zhveshur nga të mirat tokësore. Merr me vete vetëm sjelljen dhe bëmat e tij. Të afërmit e të pashpresët me të drejtë e vajtojnë pa ngushëllim, në kundërshtim me njerëzit e të drejtit, të cilët pavarësisht nga pikëllimi i tyre ndihen të qetë dhe paqësorë, sepse përcollën njeriun e tyre në përjetësi afër Perëndisë. Ja si thoshte nëna e një murgu, i cili aksidentalisht vdiq papritur dhe para kohe: “Përgëzime të më thoni, jo ngushëllime!”.

    Kemi përmendur spitalet. Dikur në korridorin e një pavijoni kardiologjik të reanimacionit, në një spital në kryeqytetin e Greqisë, takuam dy gra të reja. Njëra përvajtohej, se brenda ishte një i afërm i saj në moshë të madhe. Tjetra, që ishte edhe shtatzënë dhe kishte edhe fëmijë të tjerë, ishte shumë gjakftohtë, aq sa e para u impresionua dhe e pyeti cilin kishte të sëmurë. “Burrin tim”, u përgjigj ajo. Tjetra u shtang dhe në fytyrën e saj u pasqyrua habia. Më në fund e pyeti: “Burrin tënd! Dhe nuk e çan kokën?!”. “Nuk mund ta kuptonte”, na tha kur na tregonte historinë besimtarja e pjekur – është edhe priftëreshë. “S’kishte si ta kuptonte, sepse ne kishim besuar veten tonë dhe fëmijët tanë në duart e Perëndisë”. Dhe Perëndia ua shpërbleu besimin e tyre dhe sot e kësaj dite e bekon familjen me shumë fëmijë. Kjo është dinamika e besimit!

    Konstatojmë vazhdimisht se sa diametralisht i kundërt është qëndrimi i jobesimtarëve nga qëndrimi i besimtarëve përpara rrezikut të vdekjes. Dhe akoma më keq përpara vetë vdekjes! I shkujdesuri ndaj besimit dhe jetës së drejtë, nuk mund të kuptojë që jemi të ndjeshëm, sipas shprehjes së një shoku të Jobit (8:9). Nga vetëdashja e madhe që ka, e konsideron veten e tij diçka të lartë, gjithçka nëpër shekuj! Nuk e prek fare këshilla e të urtit Sirak që të kujtojë të parët dhe ata që do vijnë pas tij dhe të mos ketë frikë para çështjes së vdekjes, pasi është ligji i Zotit për të gjithë pa përjashtim (41:3-4). I mbyll sytë para ligjit të përgjithshëm dhe të pashmangshëm. Të gjithë do ndjekim këtë ligj, do ndjekim pas vdekjen; para nesh me të njëjtën mënyrë e përballuan – dashur pa dashur – edhe të tjerë të panumërt, sipas të thënave të Jobit (21:33). Madje edhe mbreti i madh, Davidi, “fjeti dhe u shtua tek etërit e tij” (Vep.13:36). Gjithashtu edhe paraardhësi i tij Isaaku, “vdiq dhe u shtua në fisin e tij” (Gjen.35:29).

    Pra, o mjeran, “kush është njeri [u] i cili do jetojë dhe nuk do ta shikojë vdekjen? Do shpëtojë jetën e tij nga dora e Hadhit?” (Psalmi 88:49). “Çfarë pra? Nëse ti do vdesësh, [do mbetet] i pabanuar globi?” (Jobi 18:4). Për çdo çast vdesin kaq shumë njerëz në gjithë botën. Nëse do vdesësh edhe ti, do jetë diçka më e vogël se një pikë uji në oqeanin e njerëzve të panumërt që kaluan nga toka. “Do humbasë Venecia për një gjilpërë!” Trupi, i çmuar për ty, nuk është as edhe pluhur brenda në histori. Tjetër është e paçmuara, shpirti yt, ndaj të cilit “nuk është e barasvlershme bota” e gjitha (Tropar i Odes IX i të Mërkurës së Madhe) sipas doktrinës së Zotit (Matth. 16:26; Mark. 8:36-37; Lluk. 9:25). Do që të shikosh, o njeri prej balte realitetin për mishin? Bëj kurajë dhe ndiq një varrim. Varrmihësi e trajton si ndonjë thes me kashtë.

    Të tjerët ndoshta qajnë duke vajtuar rreth tij, i ndjeri mund të ketë qenë personi i tyre më i dashur, ndoshta ky mish e konsideronte veten e tij si diçka të pazëvendësueshme në planet. Megjithatë, për varrmihësin nuk vlen asgjë. Jo se është “pa gjak” e nuk ndjen, por thjesht është familjarizuar dhe ky veprim i është bërë rutinë… Në këtë çast, ka shumë mundësi që një nënë thyhet dhe dërrmohet duke ulëritur sipër gurit të varrit që ka mbuluar fëmijën e saj të vetëm; një bashkëshorte pikëllohet për burrin e saj; një familje që mbetet jetime, përpëlitet për babain e saj, që ishte mbështetja e tyre. Për këta bota dhe hiret e saj u fshinë si me sfungjer, nuk kanë asnjë vlerë. Dielli ka perënduar, vërtiten brenda errësirës së dëshpërimit, ndoshta edhe vetë preferojnë vdekjen. Por që të llogarisim se pas njëqind vjetësh kush do kujtohet për dhimbjen e tyre? Do jenë harruar, edhe i vdekuri, dhe vetë ata që e qajnë. Sa vdiqën në planetin e Tokës gjatë mijëvjeçarëve? Miliona. Megjithatë, për një të vdekur rrethi i tij i afërm kujton tani se humbi gjithësia!

    Dialogët mortorë të Lucianit (shek. II p.K.) kombinojnë (përputhen) në shumë pika, “të kënaqshmet me të dobishmet”. D.m.th. satirizojnë hirshëm kotësinë e gjërave të përkohshme. Le të shijojmë diçka në lidhje me këto që thamë. Karoni (personalizimi i vdekjes) u flet të vdekurve që do t’i fusë në varkën e tij për t’i çuar në Hadh, ku sipas mitologjisë arrinin të vdekurit pas lundrimit në liqenin Akerusia. U thotë:

    “Dëgjoni si qëndron puna: Magjja është e vogël për kaq njerëz dhe e kalbur, siç e shihni fut dhe ujë, dhe nëse anon, do përmbyset. Ju jo vetëm që jeni shumë, por mbani dhe shumë gjëra me vete. Nëse hyni kështu, kam frikë se do të pendoheni, aq më tepër ata që nuk dinë not. Pra do të hyni lakuriq, dhe kështu, dhe me zor do t’ju marrë varka. Kurse ti Hermis, qëndro atje në skelë dhe detyroi të ngjiten lakuriq”.

    Hermisi u vu në krye të detyrës: “Ti Harmoleos, lëre bukurinë tënde, flokët dhe lëkurën e tërë; hyr brenda tani. Ti tirani Lampihos flake kurorën dhe uniformën, pavarësisht se thua që është jo dinjitoze për një arkond të jetë lakuriq. Tani nuk je mbret, je i vdekur. Hidhe tutje fodullëkun; do rëndohet varka. Mos protesto! Lëre brutalitetin, inatin dhe idiotësinë… Bravo, tani hyr… Radha jote tani, o atlet muskuloz Dhamasia. Çfarë the? Je lakuriq? Lër edhe mishrat e shumta, kurorat dhe lavdërimet e tua që të hysh brenda. Je njësoj si të tjerët. Edhe ti Kraton i pasur dhe delikat mos sill pëlhurat e çmuara dhe gradat e të parëve të tu, as titullin e nderit, as statujat e tua dhe as varrin madhështor ku të kanë futur. Rëndojnë edhe vetëm kur i kujton. Ti ushtarak, lëre armatimin tënd dhe trofetë që të dhanë kur fitove. Në Hadh ka paqe; nuk nevojiten armatimet. Ti që ke një paraqitje të jashtme të respektueshme, me stilin fodull, që bëri filozofin [sofist], zhvishi ato…. Kështu, të lumtë. Bo-bo! Çfarë krenarie, injorance, çfarë grindaveci e fjale enigmatike, çfarë llafazani, oratori, por edhe floriri e qejfliu, çfarë i paturpshëm dhe çfarë inati e plogështie, çfarë gënjeshtrash e lajkash. Me gjithë këto as oqeaniku nuk të nxë! Pse qan dhe trembesh prej vdekjes?. Tani jeni të gjithë atje. Zgjidh pra, o kapiten, litarët, ngjit shkallën, mblidh spirancën, hape velën, kap timonin dhe rrugë të mbarë. Rrugë të mbarë anijes sonë dhe errëra të mbara velave tona!” (Nekriki dhialoji, 10).

* * *

    Na këshilloi një idhujtar! Mbas gjithë këtyre, cili është përballimi ynë? Çfarë na mësoi Zoti: “Rrini zgjuar pra; sepse s’e dini kur vjen zoti … në të ngrysur, a në mes të natës, a në këndim të kokoshit, a në mëngjes; se mos vjen papandehur e t’ju gjejë duke fjetur” (Mark.13:35-36). Shumë flitet kohët e fundit për antikrishtin, kur do vijë e fundmit. Por megjithatë e vetmja gjë e sigurt dhe e dobishme është të jemi gjithmonë gati, përderisa për secilin vdekja e tij është gjykimi i tij i pjesshëm personal siç thamë. Pra “lum ata shërbëtorë, që kur të vijë i zoti do t’i gjejë zgjuar. Vërtet po ju them juve, se do të ngjishet, e do t’i vërë të rrinë në tryezë dhe do të vijë pranë e do t’u shërbejë atyre!” (Lluk.12:37). Do t’u shërbejë shërbëtorëve të Tij Zoti!

    Për të na zgjuar, Krishti arriti të përdorë një përngjashmëri të gjallë, pavarësisht që ishte “ofenduese” për veten e Tij: “Ja vij posi vjedhës; lum vigjilenti” (Apok. 16:15). Mjerë ata që arrijnë te vdekja pa shpresë: Luftuan një jetë të tërë për të mira materiale. Dukeshin vigjilentë, vraponin, gjuanin, por megjithatë flinin! Vriteshin, por në ëndërr, derisa zgjohen të lodhur dhe të dobësuar. Ishin të errësuar thellë. Luftuan për të mira të përkohshme. I fituan apo jo, e njëjta gjë është! Në çastet e vdekjes ndihen si në ajër, pa mbështetje, sikur t’i kesh hedhur nga stratosfera. Dhe të frikësuar e duke u dridhur i parashtrojnë vetes së tyre pyetjen e pashmangshme dhe të pamëshirshme: “Dhe tani çfarë bëhet?!”.

    E kundërta, të lumtur janë ata që ikin me shpresën dhe pritjen e ngjalljes. Fryma që ka qëndrime të sakta në çështjen e vdekjes dhe të pasvdekjes, kur do dalë nga trupi do dëgjojë engjëjt që t’i këndojnë vargjet e Këngës: “Cila [është] ajo që ngjitet e bardhëlulëzuar?” (8:5). “Cila [është] ajo që ngjitet nga shkretëtira [e botës tokësore] si një kolonë tymi e temjanisur me miro dhe temjan, nga të gjitha pluhurat e mirobërësit [të virtyteve]?” (3:6). Ndërsa ne “që mbetemi” (1 Thes. 4:15) do t’i psalim pa asnjë rezervë: “Qoftë e lumtur udha në të cilën ti shkon sot, se të është përgatitur vendi i prehjeve” (Paravargu i Shërbesës së Varrimit). Kështu “në kujtim të përjetshëm do jetë i drejti” (Psalmi 111:6).

    “Të lumtur që tani janë ata të vdekur që vdesin më Zotin. Po, thotë Shpirti, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre i ndjekin pas bashkë me ta” (Apok. 14:13). Amin!

Përgatiti: Atë Justini, Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2006.