A lexojmë sot më pak se më parë dhe shohim shumë më tepër sesa lexojmë, apo thjesht kemi ndryshuar zakonet dhe mjetet e të lexuarit, apo jemi bërë më pragmatistë dhe lexojmë gjëra që mund të na ushqejnë më shumë “barkun” sesa shpirtin?
    Ritmet e shpejta të jetës moderne kanë bërë që të mos gjejmë kohën e mjaftueshme për të bërë gjërat e dobishme që bënin më parë. Në këtë kuptim. shpesh, shumë sy dhe veshë kritikë, merren me mungesën e kulturës dhe edukatës qytetare ndaj librit.
    Objekt i këtij vëzhgimi nuk është thjesht libri në përgjithësi, por librat me mesazhe shpirtërore, që e tejkalojnë jetën e përditshme dhe na kredhin në thelbin dhe kuptimin e vërtetë të jetës. Nuk bëhet fjalë vetëm për librat e shenjtë, që gjithësesi janë të domosdoshëm, ndër të tjera edhe për kulturën tonë, por edhe librat teologjikë dhe kishtarë, të cilët përbëjnë një pasuri të madhe për të gjithë njerëzit, së pari për besimtarët, por edhe për ata persona që kërkojnë të njohin besimin dhe pse jo, të bëhen pjesëtarë të tij.
    Ka dy aspekte problematike që vlen të shtrohen për analizë. Së pari, këta libra vazhdojnë ende të mbeten në stenda dhe jo në bibliotekat tona personale dhe së dyti dhe më kryesorja, reklamimi i tyre sidomos jashtë ambjenteve fetare mbetet ende një “dritare e mbyllur”. Çdo fundjavë, në mediat e shkruara dhe elektronike shqiptare ekspozohen librat më të fundit të autorëve vendas dhe të huaj, ndërkohë që për librat me natyrë fetare nuk është parë ndonjëherë që të ketë interes.
    Edhe kompanitë që merren me shpërndarjen e këtyre librave nëpër libraritë e kryeqytetit dhe të rretheve nuk i hedhin sytë aspak ndaj librave të klerikëve, teologëve apo përkthimeve të ndryshme që botohen nga komunitetet fetare në vend. Mungesa e interesit dhe paragjykimi se këta libra nuk i lexon kush, përveç publikut kishtar, mendoj se është një ide e gabuar. Ja një fakt që e provon këtë. Në Panairin e Librit që zhvillohet çdo vit në Tiranë, numri më i lartë i të interesuarve për botimet e Kishës është publiku jokishtar, që vjen kryesisht nga radhët e intelektualëve dhe jo vetëm, i cili interesohet për librat më të rinj që përcjellin njohuri mbi besimin dhe këndvështrimin orthodhoks. Nëse gjatë gjithë vitit do tregohet më shumë kujdes mediatik ndaj librave fetarë (qofshin edhe pak në numër) dhe interesim serioz i menaxherëve që merren me shpërndarjen e librave, është e sigurt që librat nuk do ishin duke u zverdhur më në stenda. Për më tepër, edhe çmimi është shumë herë më i ulët dhe mjaft i arsyeshëm në raport me librat komercialë.
    Libri, pavarësisht zhanrit të tij, mbetet gjithnjë i pazëvendësueshëm. Veçanërisht, librat shpirtërorë – humanistë, nuk iu humbet asnjëherë vlera, sepse një shpirt i ushqyer mirë është i nevojshëm si buka.
 
Nga Isidor Koti