Madhështia e kësaj feste, u ndërthur dhe u njësua aq bukur me atmosferën kataniktike që të ofron vetë Manastiri i Hirshëm i “Lindjes së Hyjlindëses”, në Ardenicë të Lushnjës.
Shpresëtarë nga zonat përreth manastirit si edhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë u mblodhën për të marrë pjesë në agripninë që do të kryhej me rastin e këtij panairi të veçantë. Agripnia e cila filloj rreth orës 21 të datës 7 shtator u kryesua nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati. Kremtimi filloi me shërbesën e Pasdarkës së Vogël, për të vazhduar më pas me shërbesat e Mbrëmësores si dhe të Mëngjesores. Shërbesat e lartpërmendura, u kurorëzuan me Liturgjinë Hyjnore e cila u krye në kishën e dytë të Manastirit, dedikuar Trinisë së Shenjtë.
Me po të njëjtën atmosferë festive të nesërmen, në kishën qendrore të Lindjes së Hyjlindëses, u krye përsëri Liturgjia Hyjnore kësaj radhe e drejtuar nga, Imzot Ignati. Në fund të Liturgjisë së Shenjtë u lexua predikimi i ditës në të cilën Hirësia e Tij, Imzot Ignati theksonte:
Lindja e Hyjlindëses “i dha gëzim gjithë botës”, sepse nga ajo “do të lindte dielli i drejtësisë”. Nga vlerësimi i rëndësisë, mbas lindjes së Krishtit, vjen lindja e Hyjlindëses. Pa Hyjlindësen, njerëzimi do të përballej akoma me dallgët, në oqeanet e pasigurisë dhe të kaosit. Hyjlindësja ofroi qashtërsinë e saj, përulësinë e saj, besën e saj te Krishti dhe kështu erdhi Krishti në tokë. Pa
këto do të ishte e pamundur të trupëzohej Hyjnia. Nuk mundte të lindte brenda egoizmit, pabesisë dhe pandershmërisë. Biri i Perëndisë, që të lindet, donte tempullin më të qashtër dhe të gjallë të së Tërëshenjtës. E Përmbishenjta Hyjlindëse është fryt i lutjes të Hyjprindërve të shenjtë, Joakimit dhe Anës, të cilët janë të denjë për t’u lumëruar dhe kujtuar në çdo Shërbesë dhe Meshë Hyjnore, të cilat mbarojnë me ndërmjetimet e “Hyjprindërve të Shenjtë dhe të Drejtë, Joakimit dhe Anës”. Është fëmijë i martesës, që të bekojë martesën dhe familjen. Hyjlindësja Mari është fëmijë, që të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë. Është e Virgjër, që të përbëjë mburrjen e virgjërisë dhe murin mbrojtës të virgjëreshave. Është nënë, që të mbulojë me dhimbsuri gjithë botën.
E Përmbishenjtë Hyjlindëse! Ty të kemi, në tokë, mburojë dhe përkrahje. Ty të kemi në qiell ndërmjetëse dhe shpresë përkrahë fronit të Jisuit dhe Perëndisë Tënd. Ndërmjeto për botën tënde! Ndërmjeto për rininë tënde! Ndërmjeto për fëmijët! Ndërmjeto për të pikëlluarit! Dhuroju durim dhe shërim të sëmurëve! Ktheji të mashtruarit dhe çliroi nga rrjetat e të ligut. Ndërmjeto për të gjithë, o Hyjlindëse Virgjëreshë!”
Joan Qako