Drejtuar INSTAT-it dhe Aleancës Kuqezi (Berat më 16.01.2013) 

    
      Për dijeni:
 
      –     Z. Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë
 –     Znj. Jozefina Topalli, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
      –     Z. Ettore Sequi, Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri
      –     Z. Alexander Arvizu, Ambasador i Sh.B.A-së në Shqipëri
      –     Z. Eugen Wollfarth, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
      –     Trupit Diplomatik të aktredituar në Shqipëri
 
Në fund të dhjetorit 2012 u dhanë me shumë vonesë të dhënat e Censusit ku jepej nga INSTAT-i shifra qesharake 6.7% për besimin orthodhoks. Pak ditë më vonë, në media, filloi një fushatë agresive nga Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut dhe Lisien Bashkurtit kundër Kryepeshkopit Anastas. Sikur të mos mjaftonin këto, ditët e fundit, u shkatërruan barbarisht edhe afresket e pikturuara nga Onufri, vepër monumentale me vlerë botërore e shek. të 16, në kishën e shën e Premtes në Valsh të Elbasanit. Kjo na kujton shkatërrimin vite më parë të afreskeve të kishave të Voskopojës dhe plaçkitjen që vazhdon ende të dhjetëra kishave të tjera orthodhokse. Të gjitha këto na prekinshumë si pasardhës të etërve tanë që pikturuan dhe skalitën afreske, ikonostase dhe sende kishtare që ruhen ende në kishat tona të Beratit. Dhe të gjitha këto ndodhën në 100 vjetorine pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën edhe të krishterët orthodhoksë shqiptarë dhanë një kontribut kolosal, që nga rilindësit Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi,Jeronim De Rada, Çajupi, Asdreni me Himnin Kombëtar, Jorgji Karbunara, deri tek Imzot Fan Noli, Imzot Kristofor Kisi dhe qindra patriotë të tjerë orthodhoksë.
 
Të gjitha këto ngjarje tregojnë për një luftë konstante ndaj krerëve të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale dhe si rrjedhojë edhe ndaj të krishterëve orthodhoksë të Shqipërisë. Kjo gjë vihet re dhe në përfaqësimin e pakët të shqiptarëve orthodhoksë në organet e shtetit Shqiptar, si në Parlament, Qeveri, Pushtetin Lokal, Ushtri, Polici, SH.I.SH. dhe institucione të tjera shtetërore. Dhe më konkretisht në qytetin tonë të Beratit, ku orthodhoksët janë rreth 40% e popullsisë, përfaqësimi i tyre është i diskriminuar,shumë i ulët dhe nuk ka asnjë drejtues në Prefekturë, në Këshillin e Qarkut, në Bashki, në Gjykatë, në Prokurori, në organet e rendit si dhe në institucionet e tjera vendore.
 
Ne besimtarët orthodhoksë të Beratit, krenar për këtë besim të vjetër të shqiptarëve të ruajtur me vetëmohim dhe sakrificë nga paraardhësit tanë, protestojmë fuqishëm ndaj Censusit të INSTAT-it dhe deklaratave të drejtuesve të Aleancës Kuq e Zi, për sa më poshtë:
 
1.   Shifra 6.7% e orthodhoksëve të Shqipërisë është jo reale, e minimizuar me dashakeqësi dhe në mënyrë trashanike. Kështu shifra e gjithë të krishterëve shqiptarë (orthodhoksë, katolikë, ungjillorë) zvogëlohet në mënyrë dramatike në 17%, dhe kjo ndodh në një kohë kur flitet me pasion për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Të gjitha regjistrimet e mëparshme, të kryera gjatë shekullit të kaluar- në vitin 1923, në kohën e monarkisë, të pushtimit italian dhe të kohës së monizmit, ku besimi fetar shënohej edhe në pasaportë,e nxjerrin numrin e të krishterëve orthodhoksë në Shqipëri 3-4 herë më të lartë. Për të vërtetuar sa thamë më lartë mjafton të rishikohen regjistrat e gjendjes civile të kohës së shkuar dhe të tashme, të cilat ndodhen në arkivat e shtetit tonë. Madje edhe enciklopeditë e huaja si ajo italiane dhe gjermane e nxjerrin shifrën e orthodhoksëve ne Shqipëri 22% – 24%.
 
Në një anketim paraprak me 1305 besimtarë orthodhoksë në qytetin tonë rezultojnë se 718 persona, domethënë 55% e të anketuarve nuk u intervistuan fare ose nuk u pyetën për besimin fetar. Shumë prej të anketuarve dëshmuan se të dhënat e tyre u shënuan me laps të butë që fshihet lehtësisht me fshirëse dhe nuk u mor firma e të intervistuarve për deklaratën e tyre. Të gjitha këto veprime e bënë shumë të mundshme manipulimin dhe deformimin e të dhënave. Pra, metodologjia që u përdor nga INSTAT-i dhe vetë vonesa e tejskajshme e publikimit të të dhënave si edhe presioni që ushtruan publikisht dhe në media Aleanca Kuqezi dhe disa parti të tjera nacionaliste, çuannë mashtrimin e shifrës reale të orthodhoksëve të Shqipërisë. Kjo bëhet me qëllimin e keq për të ulur dhe më tej, numrin e shqiptarëve orthodhoksë në organet e pushtetit të Republikës së Shqipërisë. Me të drejtë ne besimtarët orthodhoksë të Beratit protestojmë fuqishëm ndaj INSTAT-it dhe nuk e njohim këtë të dhënë të besimit fetar, si dhe mbështesim vendimin e Këshillit Kishtar Kleriko-Laik të K.O.A.SH.
 
2.   Kundërshtimi dhe mospranimi me shumë të drejtë i këtyre rezultateve të Censusit nga ana e Sinodit të Shenjtë, dhe i të gjithë besimtarëve orthodhoksë, shkaktuan deklarata minuese nga Aleanca Kuqezi dhe qarqe të caktuara, të cilët janë hedhur në sulm me shpifje nga më të pavërtetat, kundër Kryebariut të Kishës sonë Orthodhokse, Kryepeshkopit tonë të nderuar, Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit. Marrëzia e tyre arrin deri atje sa të propozojnë zëvendësimin e Kryepeshkopit, heqjen atij të medaljes të “Gjergj Kastriotit”, dekoruar prej Presidentit të Republikës, krijimin e shenjtorëve të rinj, etj. Këto qarqe mbështesin dhe reklamojnë në shtyp dhe në TV pseudopriftin Nikolla Marku, një ish seminarist i dëbuar nga shkolla fetare për vjedhje, i cili ka uzurpuar dhe mban me forcë kishën e Shën Marisë së Elbasanit.
 
Por, asnjë përpjekje djallëzore, nga kushdoqoftë, nuk mund të eklipsojë madhështinë e kontributit të jashtëzakonshëm të kryepeshkopit Anastas. Vetë puna dhe veprimtaria e tij në këto 20 vite flasin më së miri për këtë.Në sajë të kontributit personal të tij edhe në Berat, si në të gjithë Shqipërinë, Kisha jonë u ringrit dhe po lulëzon përditë. Ne jemi dëshmitarë për investimet e shumta në qytetin tonë si: restaurimin e plotë të godinës së Mitropolisë, të kishës së shën Thomait të djegur në kohën e diktaturës, të kishës së shën Spiridhonit, e në shumë e shumë kisha të tjera. Por mbi të gjitha, ne beratasit do i jemi përjetë mirënjohës për ndërtimin e katedrales së re madhështore të Shën Dhimitrit në qendër të qytetit me ikonostasin e saj mbresëlënës.
 
Kryepeshkopi ynë është një udhëheqës shpirtëror i mençur, i dashur, i respektuar nga besimtarët orthodhoksë, të cilët e kanë zgjedhur qytetar nderi në Tiranë dhe në Korçë. Kontributi i tij është konkret edhe në qytetin tonë, ku i është propozuar Këshillit Bashkiak për Qytetar Nderi i Beratit. Ky kontribut në sektorin e shëndetësisë ka qenë me ndihma medikamentoze në spitalin e Beratit, të arsimitme kopshtin e fëmijëve, të kulturësme aktivitete të larmishme rinore si dhe të përkujdesjes sociale me hapjen e mensës ndaj njerëzve në nevojë. Por mbi të gjitha kontributi i tij është i jashtëzakonshëm për mbajtjen gjallë të dialogut ndërfetar, për bashkekzistencën paqësore ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme në vendin tonë.Ai është një personalitet i shquar prandaj me të drejtë vlerësohet nga personalitete politike, shkencore dhe fetare dhe është emëruar në poste drejtuese siç është Këshilli Botëror i Kishave etj. Gjithashtu është dekoruar me shumë tituj e çmime ndërkombëtare nga shumë institucione prestigjioze botërore në shumë vende të botës.
 
Personaliteti i tij i ndritshëm i jep nder Kishës sonë, gjithë popullit dhe vendit tonë. Prandaj të gjithë ne besimtarët orthodhoksë të Beratit, ne që ditëm të ruanim në shekuj ungjijtë e Mesjetës së hershme,kodikët e famshëm, epitafin e Gllavenicës, ikonat e Onufrit të madh dhe ikonografëve të tjerë të shquar, kishat dhe të gjitha objektet e kultit, – jemi krenar, që kemi Kryepeshkopin Anastas në krye të Kishës sonë. Ne i urojmë atij shëndet, jetë të gjatë dhe suksese duke u përulur me respekt para figurës dhe veprës së tij.