Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Rruga e Kavajës, Nr. 151, Tiranë
 
Përgjigje e klerikëve orthodhoksë të Kryepiskopatës së Tiranës
ndaj shpifjeve të kohëve të fundit
 
    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nga viti 1992 e në vazhdim, nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastasit, ka vendosur si parim të sajin të mos lidhet dhe as të mos u kundërvihet partive politike. Ajo është e përkushtuar në veprën e saj fetare me shumë nisma sociale, arsimore e kulturore.
    Menjëherë pas botimit të deklaratës së saj zyrtare në lidhje me rezultatet e pasakta të përkatësisë fetare të Censusit 2011, u bë një sulm i ashpër shpifës nga ana e një formacioni politik me qëndrime ekstreme, kundër Kryepiskopit Anastas, me fyerje dhe akuza të rënda “për akte antikushtetuese” në bashkëpunim me qarqe ekstremiste të Greqisë “për veprimtari antishqiptare” “kundër tërësisë territoriale të Shqipërisë”. Si përfundim iu kërkua Presidentit të Republikës t’i hiqet dekorata “Urdhri i Lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu” që iu dha para tre vjetësh.
    Sigurisht ata që e njohin Kryepiskopin Anastas, midis tyre edhe ne klerikët e Kryepiskopatës, të gjithë qytetarë shqiptarë, që e ndjekim nga afër dhe që bashkëpunojmë me të gjatë gjithë viteve të pranisë së tij këtu në Shqipëri, e dimë fare mirë se pohimet e mësipërme të paturpshme janë sajesa të një fantazie të sëmurë, krejtësisht të pabaza, absolutisht të padrejta dhe përbëjnë shtrembërim të së vërtetës.
    Por meqë çështjet e rëndësisë kombëtare dhe fetare janë shumë të ndjeshme, veçanërisht kohët e fundit, dhe keqinformimi mund të ndikojë te qytetarë të painformuar e mbi të gjitha te të rinjtë, e quajmë detyrim tonin, nisur nga përvoja jonë, t’i japim një përgjigje të qartë vazhdës së akuzave të gënjeshtërta dhe të padrejta që përsëriten me inat herë pas here me gjithë përgënjeshtrimet e vazhdueshme.
    Kryepiskopi Anastas, ka 20 vjet që jeton dhe punon pa u lodhur bashkë me ne. Gjatë kësaj kohe ka qëndruar gjithmonë pranë popullit, madje edhe në kohët më të vështira (1997,1999), duke ndihmuar me dashuri dhe vetësakrifikim jo vetëm orthodhoksët por të gjithë sa kanë nevojë, pa dallim bindjesh fetare e politike. Njihet më së miri, jo vetëm në Shqipëri por edhe në arenën ndërkombëtare, kontributi i jashtëzakonshëm i Kryepiskopit Anastas në ringritjen e plotë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe në lulëzimin më të madh që ka njohur historia e Kishës së Shqipërisë. Në të njëjtën kohë njihet ky kontribut edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, në sektorët e shëndetit, arsimit, përkujdesjes sociale dhe kulturës, si dhe në vitin 1999, kur me iniciativën e tij, mobilizoi organizmat e krishterë ndërkombëtarë për të ndihmuar 33.000 refugjatë kosovarë. Vetëm ata që janë të verbuar nga fanatizmi nuk duan t’i shikojnë këto gjëra. Por vepra kolosale e Kryepiskopit Anastas nuk mund të shembet me fjalë fyese, gënjeshtra të fabrikuara, dyshime të pabaza dhe akuza shpifëse. Ne, qindra mijërat e orthodhoksëve shqiptarë dhe të qytetarëve të tjerë të paanshëm, që ndjekim nga afër punën e tij, e njohim fare mirë realitetin.
    Kapërcehen dhe kufijtë e qesharakes, kur njerëz, pa kurrfarë lidhjeje me Orthodhoksinë, të cilët ndoshta nuk kanë ndezur asnjë qiri në kishë, por edhe minues të njohur të saj, shfaqen si mbrojtës të orthodhoksëve shqiptarë e si njohës të Historisë Kishtare të Orthodhoksisë madje, dalin dhe në përfundime për çështje të së Drejtës Kanonike Kishtare. Ata arrijnë deri aty sa marrin përsipër t’u japin këshilla të krishterëve orthodhoksë shqiptarë se cila duhet të jetë udhëheqja e tyre kishtare. Ne klerikët shqiptarë dhe qindra mijëra besimtarë orthodhoksë, shtetas shqiptarë, që ndjekim me përkushtim udhëheqësin tonë, nuk jemi as naivë dhe as më pak patriotë. Kemi përvojë, moral dhe gjykim të shëndoshë. E dimë shumë mirë se Kryepiskopi ynë jeton vazhdimisht pranë nesh dhe ndan bashkë me ne vështirësitë e jetës, duke i ndihmuar të gjithë, pa bërë dallime.
    Sa i takon dekoratës “Urdhri i Lartë i Skënderbeut”, siç e dimë fare mirë, Kryepiskopi Anastas i cili është edhe “Qytetar Nderi” i Tiranës dhe i Korçës, nuk është i privuar aspak nga nderimet e mëdha. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në shkencën fetarologjike, në dialogun ndërfetar, në bashkekzistencën paqësore të popujve dhe të feve është i njohur botërisht dhe është nderuar me shumë tituj “Honoris causa” (17) dhe çmime ndërkombëtare (25) nga shumë vende. Është zgjedhur President i Këshillit Botëror të Kishave (Gjenevë) dhe President Nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen (Nju Jork). Të gjitha këto nderime për Kryepiskopin tonë i japin nder të madh Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe vendit tonë gjithashtu.
    Sa u takon këshillave ose më saktë kërcënimeve për vetë jetën e tij, ai nuk shqetësohet dhe as nuk e frikësojnë dot. Qysh në vitet e para ka pasur kërcënime të këtij lloji. Vetë ai ka deklaruar se njeriu që i është përkushtuar Perëndisë së dashurisë dhe punon me korrektesë për bashkekzistencën paqësore, për lehtësimin e atyre që vuajnë dhe për reciprocitetin midis popujve, nuk ka frikë asnjë dhe nga asgjë. As vdekjen. “Dashuria e nxjerr jashtë frikën”.
 
 
Tiranë 22.12.2012
 
 
Vijojnë 42 firmat e episkopëve, priftërinjve, dhjakonëve dhe murgjërve, të Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës, (të gjithë qytetarë shqiptarë).