1.    Një rezultat i papritur për ortodoksët shqiptarë përfundimet e censusit kombëtar, që e nxirrnin komunitetin tuaj në shifra që ju i kundërshtoni. Cili është komenti juaj?

    Mendoj se ky rezultat ishte i papritur jo vetëm për ortodoksët, por për të gjithë. Gjatë kësaj kohe kam takuar shumë persona nga komunitete të ndryshme fetare, klerikë dhe laikë dhe asnjë prej tyre nuk mendon se rezultatet e shpallura nga INSTAT janë të vërteta. Ndërsa ne, nuk kemi as dyshimin më të vogël, që të dhënat e Censusit të fundit, në lidhje me përkatësinë fetare, janë jo vetëm të pasakta dhe nuk paraqesin realitetin, por janë edhe qëllimisht të deformuara dhe si rrjedhim të papranueshme. Për këtë Kisha Ortodokse ka bërë një deklaratë zyrtare ku denoncon procedurat që u ndoqën për këtë regjistrim dhe manipulimin e këtij rregjistrimi. Me anë të kësaj deklarate informojmë, si opinionin e brendshëm, ashtu edhe atë ndërkombëtar, mbi pasaktësitë dhe mbi të dhënat jo reale të këtij rregjistrimi në lidhje me përkatësinë fetare.


    Në deklaratën zyrtare përmendim faktin që statistikat e mëparshme e nxirrnin komunitetin ortodoks mbi 20%. Gjatë këtyre 20 vjetëve ky komunitet ka pasur një zhvillim mjaft të dukshëm dhe pritej që numri i tyre të ishte akoma më i madh. Pra është me të vërtetë shumë i dyshimtë fakti se si ortodoksët u pakësuan me 2/3. Nuk mendoj se ka njeri që mund ta besoj këtë gjë dhe është për të ardhur keq që një komunitet historik dhe i rëndësishëm, me një kontribut të pashoq në formimin dhe zhvillimin e këtij vendi, të trajtohet në një mënyrë kaq dashakeqase dhe fyese. 

    Sipas të dhënave kishtare që ne disponojmë (regjistrat e pagëzimit, para dhe pas persekutimit, si dhe nga regjistrat e 460 famullive ortodokse në të gjithë vendin) numri i të krishterëve ortodoksë e tejkalon 24% të popullsisë së Shqipërisë. Me të drejtë ngrihet pyetja në deklaratën zyrtare të Kishës Ortodokse: Ku janë mbi 17% e ortodoksëve të tjerë që i fshehu rregjistrimi? 

    Solomoni i ditur thotë se ka një kohë për të heshtur dhe ka një kohë për të folur. Kemi heshtur shpesh herë dhe e kemi bërë këtë për të mirën e vendit. Tani, mendoj se është një kohë për të folur, përsëri për të mirën e vendit, sepse me të vërtetë është tepruar dhe heshtja do të ishte e dëmshme, jo vetëm për komunitetin ortodoks, por për të gjithë. Nuk mund të ndërtohet një e ardhme e begatshme dhe në paqe mbi themele të gënjeshtra. E vërteta nuk dëmton askënd dhe të gjithë ne kemi nevojë për të vërtetën. 

    Për më tepër, mendoj, se kushdo që e do këtë vend, duhet ta dijë se ka disa gjëra që nuk duhen prekur. Nga kjo dallohen të mençurit dhe ata që e duan dhe i dhimbset realisht vendi i tyre. Të prekësh njerëzit, të çfarëdo komuniteti, në identitetin e tyre, do të thotë t’i lëndosh në vetë qenien e tyre dhe ky lëndim ka gjithmonë një reagim. Komuniteti ortodoks i qarkut të Korçës, një komunitet historik me kontribute të jashtëzakonshme në historinë e shtetit shqiptar, ndjehet shumë i lënduar dhe i indinjuar, dhe kushdo në qytet mund ta ndjejë reagimin e fortë që ka përfshirë tërë komunitetin ndaj rezultateve të këtij Censusi. Zhvillime të tilla të papërgjegjëshme, si ky i Censusit të fundit, dëmtojnë harmoninë fetare që është një thesar që duhet ruajtur me çdo kusht dhe nxisin përçarjet. Vendi ynë ka nevojë për unitet dhe për respekt të ndërsjelltë ndërmjet të gjithëve, pamvarësisht nga besimi apo krahina.

     2-  Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka nisur të bëjë në mënyrë empirike një census të sajin për besimtarët e vet, çfarë synoni të arrini me një gjë të tillë?

    Nuk është një Census, ndoshta është keqkuptuar nga gazetarët, por ishte vazhdimi i një anketimi që ne kemi bërë për personat që nuk ishin vizituar nga rregjistruesit ose ishin vizituar dhe nuk ishin pyetur fare mbi përkatësinë fetare . Siç kemi theksuar në Deklaratën Zyrtare vetëm gjatë dy të dielave, 9 dhe 16 dhjetor 2012, tek ortodoksët pjesëmarrës në meshimet në kishat e Tiranës, Durrësit, Beratit, Korçës, Vlorës, si dhe në qytete të tjera, anketimi në lidhje me Censusin tregoi rezultate befasuese, duke i bërë akoma më të dukshme përmasat qesharake të këtij rregjistrimi. Anketimit tonë iu përgjigjën me emër, mbiemër dhe adresë 7118 persona. Prej këtyre 2469 persona ose 34,68% deklaruan se u vizituan dhe u pyetën për përkatësinë fetare gjatë Censusit. Ndërsa nuk u vizituan fare nga regjistruesit, ose u vizituan dhe nuk u pyetën mbi përkatësinë fetare 4643 persona ose 65,23%. Për më tepër, kemi dëshmi të shumta se regjistrimi në një pjesë të madhe të tij është kryer nga regjistruesit me shënime në fletore, jo siç e kërkon procedura të shkruhet në pyetësor dhe as nuk janë firmosur nga deklaruesit.


    Pra si mund të heshtet dhe të pranohen rezultatet të këtij rregjistrimi të papërgjegjshëm, jo profesional dhe për më tepër të manipuluar?

    3- Kryepeshkopi Anastas është vënë në mënyrë ciklike nën sulme të natyrave të ndryshme. A mendoni se ka lidhje kombësia e Kryepeshkopit Anastas me kundërshtitë e vazhdueshme ndaj tij? Pse nuk ka qenë e mundur deri më tani akordimi i shtetësisë shqiptare për Kryepeshkopin, siç është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme? Pse ky ngërç, kur ky proces ndodh në mënyrë relativisht të lehtë për të tjerë?

    Këto sulme nuk janë të reja, ato kanë tashmë mbi 20 vjet, por vetëm ndërrohen emrat e personave ose të grupimeve. Asgjë e re nuk thuhet, por vetëm përsëriten të njëjtat akuza të pasakta dhe të pavërteta. Ne i jemi përgjigjur shpesh herë këtyre akuzave dhe jemi shprehur qartë se këto sulme janë të mbushura me gënjeshtra dhe shpifje. Por, ajo që është për të ardhur keq është, se nën maskën e retorikës, gjoja patriotike, qëndron keqdashja ndaj përparimit të Kishës Orthodokse. Mendoj se ata që e duan me të vërtetë vendin e tyre duhet të gëzoheshin për këtë përparim dhe ta falenderonin Kryepeshkopin për punën, përpjekjet dhe sakrificat e tij titanike në ringritjen e Kishës. Sepse, atdhetaria e vërtetë matet me masën sesa dikush ndërton, lulëzon dhe begaton vendin e tij dhe jo me masën e sharjeve kundër të tjerëve. Në ndërtimin dhe lulëzimin e Kishës dhe të vendit tonë, Kryepeshkopi Anastas ka bërë shumë e shumë më tepër se ata që e akuzojnë. Madje të them të drejtën, dhe këtë e kam përsëritur shpesh, privatisht dhe publikisht, se unë nuk njoh në këtë kohë ndonjë tjetër, shqiptar apo të huaj, të ketë bërë për vendin tonë, aq sa ka bërë Kryepeshkopi Anastas, pa kërkuar asgjë dhe pa marrë asgjë. Për këtë mendoj, se më e pakta që ne mund të bëjmë, është të shprehnim mirënjohjen. 


    Zgjedhja e kryepeshkopit Anastas për të kryer rindërtimin dhe organizimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri nuk u bë se ai ishte me kombësi greke, por sepse ai ishte personi i duhur për të kryer ringritjen e saj, që për shumë mendohej si e pamundur. Kisha, e cila nuk e mohon etninë e askujt, e kapërcen atë, sepse ajo është universale. Në historinë e Kishës kjo është diçka krejtësisht e zakonshme. Të qenurit e një kombësie tjetër nuk dëmton. Kisha dëmtohet vetëm nga njerëzit  që nuk janë të devotshëm. Të gjithë ata që e duan përparimin e Kishës, qofshin vëndas apo të huaj, janë shprehur se kjo zgjedhje rezultoi të ishte më e mira. 

    Vazhdimi i sulmeve të padrejta ndaj Kryepeshkopit Anastas për një kohë kaq të gjatë, edhe mbasi të gjithë e kanë parë veprën e tij unike dhe titanike në ringritjen e Kishës, është një tregues i dhimbshëm, se këta njerëz ose grupe që e sulmojnë vazhdimisht atë, nuk janë të shqetësuar nga etnia e tij, por nga vepra e tij: Ringritja nga gërmadhat e Kishës Ortodokse në Shqipëri. 

    Gjithashtu mosdhënia e nënshtetësisë Kryepeshkopit Anastas tregon mungesën e respektit dhe dashamirësisë, jo vetëm ndaj punës kolosale dhe të pashoqe të Kryepeshkopit, por edhe ndaj komunitetit të nderuar ortodoks. Kur nënshtetësinë e kanë marrë qindra persona, shpesh edhe pa kontribute, si mund të pranohet dhe të justifikohet mosdhënia e nënshtetësisë këtij personi të ndritur dhe me kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në ringritjen nga gërmadhat të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe në forcimin e bashkegzistencës dhe harmonisë fetare, si në Shqipëri, ashtu edhe në të gjithë botën? Dhënia e nënshtetësisë do të nderonte vetë shtetin shqiptar. Shumë vende të tjera do t’ia kishin dhënë nënshtetësinë menjëherë, me kënaqësi dhe do të ndjeheshin të nderuar, nëse ai do e kishte kërkuar prej tyre.

     4- Gjykoni se e ka dëmtuar imazhin e Kishës përfshirja e saj në ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore dhe një sërë peripecish dhe pakujdesish ekstreme gjatë ngritjes së tyre?

    Përsa i përket varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, kjo nuk është një çështje e Kishës, por e dy qeverive respektive dhe për çdo gjë duhej drejtuar atyre. Kisha ka ofruar vetëm ndihmën dhe shërbesën e saj, si një detyrim që ajo ka ndaj çdo të krishteri ortodoks, kushdo qoftë ai, ashtu sikundër edhe mjeku i vërtetë i shërben çdo pacienti në spital, kushdo qoftë ai. Kisha nuk merret me biografitë, me meritat ose gabimet e personave, por kryen lutjet dhe shërbesat për shpirtrat e të gjithëve. Por ajo që më shqetëson më shumë në këto sulme kundër Kishës Ortodokse, nuk janë vetëm pasaktësitë, mosnjohuritë dhe shpifjet, por ekzistenca e disa qarqeve dhe personave, që për arsye të ndryshme, nuk e duan ringritjen e Kishës Ortodokse dhe me çdo mënyrë duan ta përbaltin atë, si edhe fakti i hapësirës së madhe që i jepet në media këtyre zërave, të cilët as nuk përfaqësojnë mendimin e shumicës së shoqërisë shqiptare. 


    Ndodh shpesh që dikush hedh në shtyp një shpifje dhe ajo përsëritet pastaj nga të gjithë, duke marrë kështu statusin e një të vërtete. Kështu mendoj ka ndodhur edhe me përfshirjen e kishës, në mënyrë dashakeqase, në historinë e zhvarrimeve. Duke shkruar dhe përsëritur vazhdimisht të njëjtat shpifje dhe sulme të ulta, sipas parimit shpif, shpif se diçka mbetet mund të lindë dyshimi në një pjesë të popullsisë, e cila nuk është në korrent të zhvillimeve brenda Kishës Ortodokse. Kjo, jo vetëm është e padrejtë, por edhe e dëmshme për shoqërinë tonë, sepse përhap errësirë dhe nxit dyshime dhe urrejtje. 

     5-  Ka një rigjallërim të nacionalizmit në Ballkan dhe së fundmi edhe në Shqipëri, a përfshihet edhe Kisha në një debat të tillë të rrezikshëm? 

    Në boshllëqe ideologjike e kulturore, në popuj të frustruar, në kohë krizash ekonomike dhe morale, gjithmonë është rreziku i rigjallërimeve të nacionalizmave. Të duash vendin tënd është positive dhe Kisha i nxit besimtarët që ta duan atdheun e tyre, sepse është e pamundur të duash Zotin dhe të mos duash vendin tënd. Por të duash vendin tënd nuk do të thotë të urresh dhe të përjashtosh të tjerët. Urrejtjet e sëmura nacionaliste mund të shkaktojnë fenomene të dëmshme si ksenofobia dhe armiqësitë ndëretnike, të cilat mund të çojnë në persekutime, në luftra dhe në shfaqje të tjera të dhunës, duke shkaktuar vuajtje të mëdha për të gjithë popujt e përfshirë në to. Në Ballkan, ashtu si edhe në pjesët e tjera të Europës, nacionalizmi, sipas fjalëve të Patrikut Bartolomeo “u kthye në një shpatë me dy tehe; në duart e tiranëve ka qenë shkatërrimtar – me të vërtetë, forca më shkatërruese në historinë njerëzore, duke vrarë 75 milionë qenie njerëzore vetëm ndërmjet viteve 1914-1945. Tashmë duhet ta pyesim veten hapur dhe ndershmërisht: A nuk është koha t’i vihet fre ekseseve të nacionalizmit?”


    Kisha është shprehur qartë dhe me vendosmëri: Çdo gjë e motivuar dhe e ushqyer nga urrejtja është e papranueshme dhe antinjerëzore. Themeli i krishtërimit është dashuria dhe Kisha e krishterë është për vëllazërimin e të gjithë popujve, të gjitha racave dhe të gjithë njerëzve. 

    6- Përkujtimi i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë anashkaloi një nga figurat më domethënëse të historisë së vendit, Fan S. Nolit, themeluesit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pse ka ndodhur kështu?

    Unë nuk mund të shpjegoj arsyet përse dhe si ka ndodhur, por mund të them me siguri se Imzot Theofan Noli është figura që dominoi jo vetëm historinë e Kishës Ortodokse shqiptare pothuajse gjatë gjithë shekullit XX-të, por është gjithashtu një nga figurat kyçe të historisë të themelimit dhe njohjes së shtetit shqiptar. Aktiviteti i tij kishtar dhe patriotik, si roli i tij në ndërgjegjësimin kombëtar të kishës dhe në njohjen dhe pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, si edhe veprimtaria e tij e gjithanshme, dihen tashmë pothuajse nga të gjithë. Kështu që anashkalimi i rolit të tij në historinë e Shqipërisë do ta linte të paplotë vetë këtë histori. 

    7-  Çfarë kontaktesh keni me komunitetet e tjera fetare në vend, gjykoni se ekziston harmonia e deklaruar mes jush dhe çfarë mund të bëhet për ta mbrojtur atë nga ekstremizmat që shfaqen herë pas here?

    Kontaktet me komunitetet e tjera janë të vazhdueshme, si në nivelin institucional, ashtu edhe atë personal dhe miqësor. Të gjithë e pranojmë se kjo është një vlerë e madhe dhe si çdo vlerë duhet mbrojtur dhe ruajtur. Të gjithë komunitetet kanë bërë përpjekje të mëdha në këtë drejtim, por do të doja të kishte më shumë bashkëpunim ndërmjet komuniteteve fetare dhe sidomos më shumë solidaritet për njëri-tjetrin, sepse në këtë mënyrë jo vetëm që e ruajmë harmoninë, por e forcojmë akoma edhe më tej. Kisha Ortodokse, nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas, jo vetëm që ka vazhduar traditën e shkëlqyer të harmonisë dhe bashkekzistencës fetare, por është përpjekur gjithashtu të forcojë dhe të shtrijë akoma më shumë fushën e bashkëpunimit.

 
   8- Cili është raporti juaj me politikën në vend, me të cilën, zakonisht shkëmbeni përqafime vetëm në ditët e festave fetare. Gjykoni se ka një vullnet të qartë politik për të zgjidhur problemet e trashëguara të komunitetit tuaj dhe të komuniteteve të tjera, për shembull, në çështjen e kthimit të pronave?
     
    Në kuptimin që i japin njerëzit sot politikës nuk kam ndonjë lidhje direkte me të, sepse Kisha është dhe duhet të jetë apolitike. Por të jesh apolitik nuk do të thotë të jesh indiferent. Ne nuk mund të mbyllim sytë ndaj gjërave që ndodhin në këtë vend, përfshi këtu vendimmarrjet ose ligjet e ndryshme, sepse besimtarët tanë janë pjesë e kësaj shoqërie dhe preken ose përfitojnë nga gjithçka që ndodh në vendin tonë. Është për tu habitur dhe madje qesharake, por këtu tek ne edhe ndodh. U akuzua Kisha dhe Kryepeshkopi se u përfshinë në politikë ngaqë denoncuam Censusin, po nga ata persona, të cilët i kanë sulmuar, sharë dhe akuzuar organizatorët e Censusit për çdo gjë. Por kur ka të bëjë me Kishën ata dalin në mbrojtje të tyre, duke treguar qartë se qëllimi i tyre është vetëm të sulmojnë Kishën dhe jo e vërteta.

    Raporti i Kishës me politikën ka qenë korrekt, por, për të mirën e vendit, duhet të kishte më shumë bashkëpunim dhe më shumë dashamirësi. Do të donim që Shteti të respektojë Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të ratifikuar në Parlament, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta. Në nenin 5.1 thuhet: Shteti respekton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i kësaj Kishe dhe garanton mbrojtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo person ose grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, simbolet ose vulën e saj. Por në fakt kemi persona që kanë uzurpuar një kishë dhe nuk kemi asnjë ndërhyrje nga Shteti. Ose problemi i pronave që ju përmendët. Po të kishte vullnet të qartë nga të gjitha forcat politike në Shqipëri mendoj se ky problem do të ishte zgjidhur me kohë. Dhe kur flasim për pronat nuk dua që të ketë keqkuptime. Kërkesa e vazhdueshme për kthimin e tyre nuk ka si qëllim pasurimin e komuniteteve fetare, por konsolidimin e tyre. Fatkeqësisht, gjatë gjithë historisë sonë ka pasur një tendencë për t’i kontrolluar komunitetet fetare dhe ka mbizotëruar mendimi i gabuar dhe i dëmshëm se komunitete të dobta mund të kontrollohen më lehtë. Në fakt është e kundërta. Shtetet solide dhe me përvojë të gjatë e dinë mirë se komunitete të konsoliduara dhe të pavarura financiarisht, do të forconin edhe më tej konsolidimin dhe sigurinë e vendeve të tyre.

    9-  A gjykoni se ka shumë urrejtje në shoqërinë shqiptare, çfarë mund të bëjë Kisha për zbutjen e kësaj plage? 

    Urrejtja, kjo antinjeri, siç e ka quajtur një shenjtor, për fat të keq është e pranishme në shoqërinë tonë. Fjalori i egër kundër njëri-tjetrit, grindjet, konfliktet ndërmjet individëve apo grupeve, me ose pa arsye, sharjet, shpifjet, vrasjet, madje edhe brenda familjes, mund t’i shohësh dhe t’i dëgjosh kudo, pa qenë nevoja të ndjekësh lajmet. Para kësaj situate me të vërtetë të dhemb zemra, se si vëllezër të një vendi sillen ndaj njëri-tjetrit sikur janë armiq për vdekje. Vendi ynë ka nevojë për bashkim dhe harmoni dhe urrejtja e përçarja nuk ndërton. Unë nuk di që të ketë ekzistuar ndonjë shoqëri, komb apo shtet, ndërtuar mbi urrejtjen dhe përçarjen, dhe në të njëjtën kohë të ketë patur begati, paqe dhe jetëgjatësi. 


    Predikimi dhe veprimtaria e Kishës kanë qenë gjithmonë dashuria dhe respekti për çdo qenie njerëzore, duke përhapur kudo një frymë pajtimi dhe falje. Të gjithë ata që e kanë ndjekur zhvillimin dhe ringjalljen e Kishës Ortodokse në Shqipëri, gjatë këtyre viteve, janë dëshmitarë të kësaj. Por ne kemi një handikap të madh. Kemi një hapësirë shumë të vogël në media për mesazhet dhe shërbesën e vazhdueshme të paqes dhe dashurisë, duke e kufizuar kështu përhapjen e këtyre mesazheve. Edhe kur ka lajme rreth kishës, ato janë ose kundër saj, ose për çështje jo thelbësore të shërbesës dhe të misionit të saj.

    10- Po ju bëj edhe një pyetje personale. Ju keni mbaruar shkollën në SH.B.A. dhe kam dëgjuar që Kisha shqiptare në Amerikë u perpoq që t’ju mbante atje, përse nuk qëndruat por u kthyet në Shqipëri?

    Kam studjuar për teologji në Fakultetin e Kryqit të Nderuar (Holy Cross Orthodox School of Theology), në Boston, ku edhe u diplomova me Master i Studimeve Teologjike. Pastaj, po në njëjtën shkollë, vazhdova për dy vjet të tjerë studimet e mëtejshme, ku u diplomova me Master në Teologji. Mbas mbarimit të shkollës, Kisha ortodokse shqiptare në Amerikë, dëshironte dhe u përpoq që të më bindte të qëndroja dhe të shërbeja atje, meqenëse unë isha rezident në SH.B.A. Pa dyshim, krahasuar me Shqipërinë e asaj kohe, shërbesa dhe jetesa në Amerikë ishte më komode, në të gjitha drejtimet, por qëllimi i shërbimit në Kishë nuk është komoditeti. Ishte e qartë për mua se në Amerikë një prift më shumë a më pak nuk do të ndryshonte gjë, ndërsa Kisha në Shqipëri kishte nevojë për gjithçka. Ka momente në jetë që duhet të zgjedhësh dhe të vendosësh se çfarë duhet bërë. Shumë shokë të klasës sime vendosën të shkonin si misionarë në Afrikë, Amerikë Latine etj., ndërsa vendimi im për tu kthyer dhe për të shërbyer në vendin tim, as nuk mund të quhet misionarizëm. Mbas kaq shumë vjetësh, besoj se zgjedhja që bëra ishte më e mira. Sot ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar që kam qenë edhe unë pjesë e ringritjes së Kishës në Shqipëri, duke dhënë kontributin tim modest.