Mirosja

     Në misterin e Mirosjes ne marrim “vulën e Shpirtit të Shenjtë” (Shih Romanët 8; 1 Korinthianët 6; 2 Korinthianët 1:21-22). Nëse Pagëzimi është pjesëmarrja jonë personale në Pashkën – vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit; Mirosja është pjesëmarrja jonë personale në Rushajet (Pentekostinë) – ardhja e Shpirtit të Shenjtë mbi ne. Misteri i Mirosjes quhet gjithashtu konfirmim dhe kryhet gjithmonë në Kishën Orthodhokse së bashku me Pagëzimin. Ashtu siç Pashka nuk ka kuptim për botën pa Rushajet, ashtu dhe Pagëzimi nuk ka kuptim për të krishterin pa Mirosjen. Në këtë kuptim dhe praktikim, Kisha Orthodhokse ndryshon prej kishave Romano-Katolike dhe Protestante, ku dy misteret shpesh janë të ndarë nga njëri-tjetri, duke i dhënë interpretime të ndryshme nga ato të Traditës Orthodhokse.

   Mirosja, dhurata e Shpirtit të Shenjtë, kryhet në Kishën Orthodhokse duke lyer të gjitha pjesët e trupit të personit me një vaj të veçantë, të quajtur Miro e Shenjtë. Ky vaj përgatitet nga peshkopët e Kishës të Enjten e Madhe. Ai përdoret në mirosjen, për të treguar që dhurata e Shpirtit të Shenjtë, fillimisht iu jepej njerëzve me anë të apostujve të Krishtit, pasardhësit e të cilëve janë peshkopët e Kishës (Shih Veprat 8:14; 19:1-7). Në Mirosjen, një personi i jepet “fuqia prej së larti” (Veprat 1-2), dhurata e Shpirtit të Perëndisë, që ai të mund të jetojë jetën e re që ka marrë në Pagëzim. Ai lyhet me vaj, ashtu siç Krishti, Mesia, është i Lyeri i Perëndisë. Ai bëhet – siç Etërit e Kishës guxojnë të thonë – një “krisht”, së bashku me Jisuin. Prandaj, nëpërmjet Mirosjes, i krishteri orthodhoks bëhet një “krisht”, një bir i Perëndisë, një person, në të cilin Shpirti i Shenjtë banon dhe vepron – përsa ne e duam atë dhe bashkëveprojmë me frymëzimin e tij të fuqishëm dhe të shenjtë. Prandaj, vetëm mbas Mirosjes bëhet procesioni i Pagëzimit dhe dëgjojmë Apostullin dhe Ungjillin e shpëtimit dhe të ndriçimit në Krishtin (Shih më poshtë këndimet.).

     Apostulli i Pagëzim-Mirosjes

    Vëllezër, sa u pagëzuam më Krishtin, në vdekjen e tij u pagëzuam. U varrosëm, pra, bashkë me anën e pagëzimit, për vdekjen; që siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me lavdin e Atit, ashtu edhe ne të ecim me jetë të re. Se ne u bëmë pjesëtarë në shembëllesën e vdekjes së tij, do të bëhemi edhe në ngjalljen e tij, duke ditur këtë, që njeriu i ynë i vjetër u kryqëzua bashkë, që të prishet trupi i mëkatës, që të mos i shërbejmë më mëkatës. Se ai që vdiq është i çliruar prej mëkatës. Por, ne vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të rrojmë bashkë me të; duke ditur që Krishti u ngrit prej së vdekurish, nuk vdes më, vdekja nuk e pushton më atë. Se kur vdiq, vdiq për mëkatën një herë, por tani që rron, rron me Perëndinë. Ashtu edhe ju numëroheni veten tuaj të vdekur nga mëkata, por të gjallë prej Perëndisë, me anën të Jisu Krishtit, Zotit tonë (Romanët 6:3-11).

    Ungjilli i Pagëzim-Mirosjes

    N’atë kohë të njëmbëdhjetë nxënësit e tij vajtën në Galile, në malin ku i kishte porositur Jisui. Dhe kur e panë iu falnë, por disa dyshuan. Dhe pasi u afrua Jisui, u foli duke thënë: “M’u dha çdo pushtet në qiell e mbi dhé, shkoni, pra dhe mësoni gjithë kombet, duke i pagëzuar në emërin e Atit dhe të Birit e të Shpirtit të Shenjtë, duke i mësuar të ruajnë gjithë sa ju kam porositur; dhe ja unë do jem bashkë me ju gjithë ditët, gjer në mbarim të jetës.” Amin (Mattheu 28:16-20).

    Mbas Pagëzimit dhe Mirosjes, personi i porsapranuar në familjen e Perëndisë qethet. Qethja (qethja e flokëve nga koka në formë kryqi), është shenja që personi e ofron vetveten krejtësisht tek Perëndia – flokët janë simboli i forcës. (Gjykatësit 16:17). Prandaj, deri në shekullin e 15-të, kleri i Kishës Orthodhokse, e mbante qethjen gjatë tërë jetës, për të treguar që fuqia e tyre ishte në Perëndinë.

    Riti i Hyrjes në Kishë 

   Riti i Hyrjes në Kishë imiton ofrimin e fëmijëve meshkuj në tempull, sipas ligjit të Dhiatës së Vjetër dhe sidomos, ofrimin e Krishtit në ditën e dyzetë të lindjes së tij (Lluka 2:22). Për shkak të këtij fakti, Pagëzimi në Traditën Orthodhokse filloi të praktikohej në ditën e dyzetë ose aty afër. Në Kishën e Dhiatës së Re ofrohen tek Perëndia në Kishë fëmijët, meshkuj e femra. Në këtë kohë bëhen lutje të veçanta. Gjithashtu, në këtë kohë (një tjetër imitim i praktikave të Dhiatës së Vjetër) edhe për nënën e fëmijës së porsalindur bëhet riti i hyrjes në Kishë. Këtu ne kemi shembullin e ritualit të pastrimit të nënës së Jisuit, Marisë (Lluka 2:22). Në traditën e Kishës Orthodhokse, hyrja e nënës është rihyrja e saj në asamblenë e popullit të Perëndisë, mbas pjesëmarrjes së saj me Perëndinë në aktin e shenjtë të lindjes dhe mbas ndarjes së saj prej Meshës gjatë kohës të të qenurit lehonë. Prandaj, nëna bekohet që të hyjë përsëri në Kungim me misterin e Trupit dhe Gjakut të Krishtit në Meshën Hyjnore të Kishës, prej të cilës ajo ka munguar për një kohë të gjatë.

    Riti i rihyrjes së nënës në Kishë duhet të bëhet përpara Pagëzimit të fëmijës së saj, kështu që ajo të mund të jetë e pranishme në hyrjen e fëmijës së saj në Mbretërinë e Krishtit. Libri i Shërbesave e thotë këtë. Në Traditën Orthodhokse, misteret e Pagëzimit dhe Mirosjes, që quhen gjithashtu “ndriçimet e shenjta”, përmbushen në marrjen e Kungatës së Shenjtë nga të “porsandriçuarit” në Meshën Hyjnore të Kishës. Kjo është si për foshnjet, ashtu dhe për të rriturit.