Kungata e Shenjtë
Kungata e Shenjtë në Traditën Orthodhokse është quajtur “misteri i mistereve”. Quhet gjithashtu edhe “misteri i Kishës”. Kungata është qendra e jetës së Kishës. Çdo gjë në Kishë të çon në Kungatën dhe çdo gjë rrjedh prej saj. Ajo është plotësimi i të gjitha mistereve të Kishës – burimi dhe qëllimi i të gjitha doktrinave dhe institucioneve të Kishës. Ashtu si me Pagëzimin, ushqimi falenderues nuk u shpik nga Krishti. Një ritual i tillë i shenjtë ekzistonte në Dhiatën e Vjetër dhe në besimet pagane. Duke folur në përgjithësi, “darka” mbetet, madje edhe sot, si një nga ritualet dhe ngjarjet simbolike kryesore në jetën e njeriut.
Eukaristia (falenderimi) e krishterë është një e ngrënë e veçantë e lidhur me ngrënien e Pashkës së Dhiatës së Vjetër. Në fund të jetës së tij Krishti, Mesia Judaik, e hëngri Pashkën me nxënësit e tij. Duke qenë fillimisht një e ngrënë rituale në përkujtim të çlirimit të Izraelit prej robërisë së Egjiptit, e ngrëna e Pashkës u transformua nga Krishti në një akt, bërë në kujtim të tij: të jetës, vdekjes dhe ngjalljes së tij, si një Qengj Pashke i ri dhe i përjetshëm, që çliron njerëzit nga skllavëria e të ligut, nga padituria dhe vdekja dhe i kalon ata në jetën e amëshuar të Mbretërisë së Perëndisë. Gjatë darkës Krishti mori bukë dhe verë dhe i porositi nxënësit t’i hanin e t’i pinin ato: Trupin dhe Gjakun e tij. Prandaj, ky akt u bë kështu qendra e jetës së krishterë, përvoja e pranisë së Krishtit të Ngjallur në mes të Popullit të tij (Shih Mattheu 26; Marku 14; Lluka 22; Joani 6 dhe 13; Veprat 2:41-47; 1 Korinthianët 10-11).
Si fjalë, termi Eukaristi do të thotë Falenderim. Ky emër i është dhënë ngrënies së shenjtë – jo vetëm bukës dhe verës, por të gjithë aktit të mbledhjes, lutjes, këndimit të Shkrimit të Shenjtë dhe lëçitjes së Fjalës së Perëndisë, duke përkujtuar Krishtin dhe ngrënien e pirjen e Trupit dhe Gjakut të Tij, në Kungim me atë dhe me Perëndinë Atë, me anë të Shpirtit të Shenjtë. Përdoret fjala Eukaristi (falenderim), sepse kuptimi gjithëpërfshirës i Banketit të Zotit është ai i falenderimit ndaj Perëndisë në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë, për gjithçka që ai ka bërë: në krijimin, shpëtimin dhe lavdërimin e botës.
Misteri i Eukaristisë quhet gjithashtu Kungimi i Shenjtë, meqenëse ai është Kungimi (bashkëpërjetimi) mistik i njerëzve me Perëndinë, me njëri-tjetrin dhe me të gjithë njerëzit, si dhe me të gjithë gjërat në Atë, me anë të Krishtit dhe Frymës. Liturgjia eukaristike kremtohet në Kishë çdo të Dielë, Ditën e Zotit, si edhe në ditë të kremtesh. Në manastire kremtohet çdo ditë. Kungimi i Shenjtë i ndalohet të gjithë të krishterëve orthodhoksë gjatë ditëve të javës në Kreshmët e Mëdha, me përjashtim të Kungimit të veçantë të Meshës së Dhuratave të Parashenjtëruara (shih më poshtë), për shkak të karakterit të gëzuar e ngjallësor të tij. Eukaristia i jepet gjithmonë të gjithë anëtarëve të Kishës, duke përfshirë këtu dhe foshnjet e fëmijët e pagëzuar dhe të mirosur. Gjithmonë jepet në të dyja – bukë edhe verë. Orthodhoksët besojnë se në të është prania reale e Krishtit, është Trupi dhe Gjaku i vërtetë i tij, i pranishëm mistikërisht në bukën dhe verën që i janë blatuar Atit në emër të tij dhe shenjtëruar prej Shpirtit hyjnor të Perëndisë.
Në historinë e mendimit të krishterë pati mënyra të ndryshme për të shpjeguar se si buka dhe vera bëhen Trupi dhe Gjaku i Krishtit në liturgjinë eukaristike. Por, fatkeqësisht, këto shpjegime u bënë shpesh shumë racionale dhe të lidhura ngushtë me disa filozofi njerëzore. Një nga zhvillimet më fatkeqe, ishte, kur njerëzit filluan të debatonin realitetin e Trupit dhe Gjakut të Krishtin në Eukaristi. Disa thonin që dhuratat eukaristike të bukës dhe verës ishin Trupi dhe Gjaku i vërtetë i Krishtit, ndërsa të tjerë thonin që dhuratat ishin jo reale, por thjesht prania simbolike ose mistike e Trupit dhe Gjakut. Tragjedia në të dyja këto metoda është, që, çfarë është reale i kundërvihet asaj që është simbolike apo mistike.
Kisha Orthodhokse nuk e pranon doktrinën që thotë se Trupi dhe Gjaku i eukaristisë janë thjesht simbole intelektuale ose psikologjike të Trupit dhe Gjakut të Krishtit. Nëse kjo doktrinë do të ishte e vërtetë, atëhere, kur bëhet Mesha dhe jepet Kungata e Shenjtë, njerëzit do të duhej të thirreshin thjesht të mendonin rreth Jisuit dhe të kungoheshin me të “në zemrat e tyre”. Në këtë mënyrë, Eukaristia do të kthehej vetëm në një ngrënie përkujtimore për Darkën e Fundit të Zotit dhe bashkimi me Perëndinë nëpërmjet marrjes së Kungimit, do të bëhej vetëm në nivelin e mendimit, apo të meditimit psikologjik. Megjithatë, edhe Tradita Orthodhokse i përdor termat “simbole” për dhuratat eukaristike, ndonëse në tjetër kuptim. Ajo e quan shërbesën një “mister” dhe theroren e Liturgjisë një “therore shpirtërore dhe të pagjakshme.” Këto terma janë përdorur nga Etërit e shenjtë, si edhe në vetë Liturgjinë.
Kisha Orthodhokse i përdor shprehje të tilla, sepse në Orthodhoksi çfarë është reale nuk i kundërvihet asaj që është simbolike, mistike ose shpirtërore. Por, përkundrazi! Në pikëpamjen Orthodhokse, gjithçka e realitetit – bota dhe vetë njeriu – është reale në masën që është simbolike dhe mistike, në masën që vetë ky realitet duhet të zbulojë dhe të shfaqë Perëndinë tek ne. Prandaj, Eukaristia në Kishën Orthodhokse, kuptohet si Trupi dhe Gjaku i vërtetë i Krishtit, pikërisht sepse buka dhe vera janë misteret dhe simbolet e pranisë së vërtetë të Perëndisë dhe shfaqjes tek ne në Krishtin. Prandaj, duke ngrënë dhe duke pirë bukën dhe verën, të cilat janë shenjtëruar mistikërisht prej Shpirtit të Shenjtë, ne kemi një kungim të vërtetë me Perëndinë nëpërmjet Krishtit, i cili është vetë “buka e jetës” (Joani 6:34,41). Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit. Nëse ndonjëri ha prej kësaj buke, do të rrojë përgjithmonë. Edhe buka që do të japë unë, është mishi im, të cilin unë e jap për jetën e botës (Joani 6:51). Kështu, pra, buka e Meshës (Eukaristisë) është mishi i Krishtit dhe mishi i Krishtit është buka e Meshës. Të dyja janë prurë së bashku në një. Fjala “simbolike” në terminologjinë orthodhokse do të thotë pikërisht këtë: “t’i sjellësh bashkë në një.”
Le të lexojmë fjalët e Apostullit Pavël: Sepse unë mora prej Zotit atë që edhe u dhashë juve, se Zoti Jisu, natën që do të tradhëtohej, mori bukë dhe si falenderoi e theu, edhe tha, “Merrni e hani; ky është trupi që thyhet për juve; bëni këtë për kujtimin tim”. Gjithashtu edhe potirin, mbas darkës, duke thënë, “Ky potir është dhiata e re në gjakun tim; këtë bëni sa herë të pini, për kujtimin tim”. Sepse sa herë të hani këtë bukë, edhe të pini këtë potir, rrëfeni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë. Prandaj, ai që do hajë nga kjo bukë dhe do pijë potirin e Zotit, pa qenë i denjë, do të jetë fajtor ndaj trupit dhe gjakut të Krishtit (1 Korinthianët 11:23-27).
Misteri i Eukaristisë së shenjtë, i kapërcen analizat dhe shpjegimet e bëra vetëm në terma të pastër racionalë dhe logjikë. Sepse eukaristia – dhe vetë Krishti – është me të vërtetë një mister i Mbretërisë së Qiellit, për të cilën Jisui na ka thënë që “nuk është e kësaj bote.” Eukaristia – meqenëse i përket Mbretërisë së Perëndisë – është me të vërtetë mbi “logjikën” tokësore të njerëzimit të rënë. Për një shpjegim të mëtejshëm të Eukaristisë në Kishë, shih më poshtë kapitullin mbi Meshën Hyjnore.