Të varfërit në shpirt
“Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve” (Matheu 5:3). Ky lumurim i parë është kushti themelor për të gjithë përparimin dhe rritjen shpirtërore të njeriut. Para çdo gjëje tjetër, nëse një person do që të jetojë jetën e Perëndisë, ai duhet të jetë i varfër në shpirt. Të jesh i varfër në shpirt do të thotë të njohësh qartë se nuk ke asgjë që të mos e kesh marrë nga Perëndia, që gjithçka e ke nga hiri i Perëndisë. Kjo varfëri e bekuar është quajtur “shpirtërore” në Ungjillin e Shën Matheut, sepse, para së gjithash, është një qëndrim i mendjes dhe i zemrës, një bindje e shpirtit. Është gjendja e njeriut në boshllëkun dhe hapjen tërësore para Perëndisë, kryesisht në lidhje me gjërat e Shpirtit, domethënë, të kuptimit dhe të ndriçimit, të vullnetit dhe dëshirës.
Të jesh i varfër në shpirt do të thotë të zbrazesh nga e gjithë krenaria dhe besimi në fuqinë e mendjes sate. Do të thotë të çlirohesh nga e gjithë mbështjetja në idetë, opinionet dhe dëshirat e tua. Do të thotë të çlirohesh nga “imagjinatat e kota” të zemrës (Jeremia 23:17, Romanët 1”21). Ashtu si Virgjëresha e shenjtë Mari, modeli i përsosur i varfërisë në shpirt, ka kënduar në këngën e saj të madhërishme:
Ai (Perëndia) veproi pushtetshëm me krahun e vet;
i shpërndau krenarët me mendimet
e zemrave të tyre;
i përmbysi pushtetarët nga fronet e tyre
dhe i ngriti të përulurit;
i mbushi me të mira të uriturit
dhe i ktheu duarbosh të pasurit (Lluka 1:51-54).
Vetë Jisui ishte i varfër, jo vetëm në trup, por edhe në shpirt. Jo vetëm që Zoti ishte një njeri i varfër, që nuk kishte“as vend për të mbështetur kokën” (Matheu 8:20), por varfëria e Tij fizike ishte rezulatat i drejtpërdrejtë i varfërisë së Tij të plotë në shpirt. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati . . . Unë nuk mund të bëjë asgjë nga vetja ime . . . (Joani 5:19, 30). Nëse një njeri do që të futet në jetën shpirtërore, ai duhet të braktisë gjithçka dhe të ndjekë pas Krishtin në varfërinë e shpirtit. Të jesh i varfër në shpirt do të thotë të jesh thjesht tërësisht i çliruar nga epshet mëkatare të kësaj bote.
Në qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë (1 Joani 2:15-17).Zbulesa e parë e vullnetit të Perëndisë është se krijesat e Tij duhet të jenë të varfëra në shpirt. Shkelja e këtij qëndrimi shpirtëror është mëkati fillestar dhe burimi i dhimbjeve.