Murgjëria

    Ndonëse nuk është konsideruar si një nga misteret e Kishës, meqenëse nuk është esenciale për jetën e krishterë dhe nuk është një element i domosdoshëm për ekzistencën e Popullit të Perëndisë, prapëseprapë, murgëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e krishterë dhe vlerësohet shumë lart nga Kisha Orthodhokse.

    Në Traditën Orthodhokse thirrja murgërore është konsideruar si një dhuratë personale e Perëndisë, tek individë të ndryshëm, për shpëtimin e shpirtrave të tyre dhe për shërbimin e Trupit të Krishtit. Thirrja murgërore është thirrje për pendesë personale, në një jetë përkushtuar vetëm Perëndisë. Virtyti kryesor i krishterë, i dashurisë, kërkohet prej murgut ose murgeshës kryesisht nëpërmjet lutjes dhe agjërimit dhe nëpërmjet ushtrimit të virtyteve të krishtera të varfërisë, pastërtisë, përunjësisë dhe bindjes.

    Murgu i krishterë nuk kryen ndonjë shërbesë të veçantë në Kishë, siç prifti, mësuesi, infermieri apo asistentët socialë. Murgu është normalisht një laik dhe jo një klerik. Në çdo manastir ka klerikë sa për të përmbushur nevojat misterore dhe liturgjike të vetë bashkësisë murgërore. Në historinë e krishterë orthodhokse, shumë misionarë, mësues dhe peshkopë kanë ardhur prej njerëzve me thirrje murgërore. Për shekuj, tradicionalisht, peshkopët zgjidhen ndër murgjërit. Zgjedhja e peshkopit ndër murgjërit, është parë si veprim i dëshirës së Perëndisë të shprehur në Popullin e tij dhe jo si ndonjë qëllim në vetvete i thirrjes murgërore. Me të vërtetë, dikush duhet të hyjë në një manastir vetëm për t’u penduar për mëkatet e tij, për t’i shërbyer Perëndisë dhe për të shpëtuar shpirtin e tij, sipas idealeve të asketizmit murgëror. Ceremonia e pranimit murgëror e tregon këtë shumë qartë. Prandaj, për shembull, Shën Hermani i Alaskës fillimisht iu kushtua jetës murgërore dhe vetëm pastaj, duke iu bindur atit të tij shpirtëror, la vetminë për t’u bërë një misionar i madh.

Rangjet e murgjërve

   Tradita murgërore orthodhokse ka katër rangje klasike, të cilat aplikohen si tek burrat ashtu edhe tek gratë. Rangu i parë është ai i rishtarit, që në terminiologjinë e Kishës quhet rangu i bindjes. Në këtë stad të parë, kandidati për murg, vetëm thjesht jeton në manastir, nën drejtimin e një ati shpirtëror ose nëne shpirtërore për gratë. Rangu i dytë është ai i rasombajtësit, që do të thotë, se personi është pranuar më zyrtarisht në bashkësi dhe i është dhënë e drejta për të veshur robën murgërore, të quajtur raso. Në këtë stad, kandidati akoma nuk është angazhuar plotësisht në jetën murgërore. Rangu i tretë është ai i formës së vogël* (ose skima e vogël), që do të thotë, se personi është pranuar murg. Zakonisht, ai ose ajo, tani merr një emër të ri dhe vesh formën (skimën) murgërore (një copë me shenjën e kryqit), vellon dhe rason e jashtme (mantelin ose mantian). Në këtë stad personi zotohet se do qëndrojë në bashkësinë murgërore në bindje të plotë ndaj udhëheqësit shpirtëror dhe drejtuesit të manasirit, të quajtur igumen ose igumene (ose abat, abateshë) Shërbesa e gradimit të murgut, përveç tropareve dhe lutjeve, përfshin dhe një seri të gjatë pyetjesh rreth vërtetësisë së thirrjes, qethjen (tonsura) dhe veshjen me veshjen e plotë të murgut.

    Rangu i fundit i urdhërit murgëror, është ai i formës së madhe (skima e madhe). Ky hap i fundit i jepet vetëm shumë pak vetave, meqenëse kërkon observimin më strikt të idealeve murgërore, kërkon gjithashtu një gjendje jetese të mbyllur dhe në lutje e soditje të vazhdueshme. Në këtë gradim, gjithashtu, u jepet një emër i ri dhe vishet një shenjë e re murgërore (forma e madhe). Në traditën orthodhokse, nuk ka ndonjë kohë të caktuar për të treguar se sa një person do të rrijë në një nga rangjet murgërore. Kjo është për arsye të karaktereve të ndyshme. Kështu, disa persona mund të përparojnë shpejt, ndërsa disa të tjerë duan vite dhe akoma disa të tjerë nuk mund të bëhen kurrë zyrtarisht murgjër, ndërkohë që mund të banojnë në bashkësinë murgërore. Vendimi për këto çështje bëhet individualisht për çdo rast, nga drejtuesi shpirtëror dhe nga drejtuesi i bashkësisë.

 Tipet e Murgërisë

   Ndonëse në Kishën Orthodhokse nuk gjenden urdhëra fetarë, siç gjenden në kishën latine, prapëseprapë, në të gjenden stile të ndryshme të jetës murgërore; në mënyrë individuale dhe në bashkësi. Duke folur në përgjithësi, disa manastire mund të jenë më të prirur ndaj liturgjisë, disa ndaj asketizmit, disa mund të kenë një lloj tradite mistike dhe disa të tjerë mund të jenë të prirë më shumë në drejtimin shpirtëror dhe në këshillim dhe për këtë arsye janë më të hapur ndaj botës. Këto stile të ndryshme murgërie, të cilët mund të kenë një formë personale ose bashkësie, nuk janë paracaktuar apo ligjëruar zyrtarisht. Ato janë rezultat i një zhvillimi organik, nën hirin jetëdhënës të Perëndisë.

    Përveç stileve të ndryshme shpirtërorë të jetës murgërore, mund të përmenden gjithashtu tre tipe organizimi. I pari është murgëria kenobitike. Në këtë tip të gjithë anëtarët e bashkësisë i bëjnë të gjitha gjërat së bashku. Forma e dytë quhet idioritmike. Në këtë tip murgjërit ose murgeshat i bëjnë shërbesat fetare së bashku, por punojnë dhe hanë veçmas ose në grupe të vogla. Gjithashtu, në këtë tip murgërie, personat mund të psalin dhe t’i bëjnë shërbesat veçmas, duke u bashkur vetëm në Meshën Hyjnore dhe ndoshta edhe në këtë, vetëm në disa raste. Tipi i tretë është murgëria vetmitare, ku murgjërit ose murgeshat janë vetmitarë, të quajtur gjithashtu edhe heremitë ose të mbyllur. Ata jetojnë krejtësisht të vetmuar dhe nuk bashkohen me bashkësinë për shërbesat, ndoshta vetëm në ndonjë rast solemn. Atyre që jetojnë përherë vetëm, mund të ndodhë që edhe Kungata e shenjtë t’iu dërgohet.

    Sot, në Kishën Orthodhokse të botës perëndimore ka vetëm pak bashkësi me një jetë murgërore të vërtetë. Në vendet orthodhokse tradicionale murgëria akoma lulëzon, ndonëse me një numër shumë të pakët. Kjo ndodh për arsye të kushteve të ndryshme shpirtërore dhe politike. Në vitet e fundit, në disa vende ka pasur një rigjallërim të interesit për murgërinë, sidomos ndërmjet anëtarëve më të arsimuar të Kishës.
____________________
* Këtu flitet për traditën ruse e cila ka dy skima, e madhja dhe e vogla; ndërsa në traditën e Malit të Shenjtë është vetëm një skima për të gjithë murgjërit