Duke iu lutur Atit të Tij, Jisui u lut për popullin e Tij, (kr. Joani 17) Ai Vetë është i vetmi ndërmjetues i aftë për njerëzit para Perëndisë.
Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jisu njeri, i cili e dha veten si çmim për të gjithë (1 Timotheu 2:3).
Jisui në lavdinë e tij të ngjalljes, lutet përjetësisht te Ati i Tij për të gjitha krijesat e Tij.
. . . Ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme, prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.
Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne (Hebrenjtë 7:24-25, 9:24).
Në dhe më anë të Krishtit, të krishterët bëhen të aftë të ndërmjetojnë para Perëndisë. Në emrin e Jisuit, të krishterët urdhërohen dhe fuqizohen të luten për njëri-tjetrin dhe për gjithë krijimin: “për të gjithë dhe për të gjitha” (Mesha e Shën Joan Gojartit).
Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, . . . Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës (1 Timotheu 2:1-4).
Rrëfeni fajet njëri – tjetrit dhe lutuni për njëri – tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt. Elia ishte një njeri me të njëtat pasionet tona, dhe u lut intensivisht që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhι për tre vjet e gjashtë muaj. Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e vet (Jakovi 5:16-18).
Lutjet ndërmjetuese mund të bëhen për çdo “dhuratë të mirë” prej Perëndisë për hir të shpëtimit të të tjerëve. Lutje të tilla mund të përfshijnë kërkesa për çdo lloj bekimi, si për trupin, ashtu edhe për shpirtin. Ato mund të bëhen për frymëzimin dhe mësimin e njerëzve, si edhe për shërimin dhe shpëtimin e tyre. Çfarëdo që një i kërkon Perëndisë për veten e tij, duhet t’i kërkojë për të gjithë njerëzit. Çfarëdo që një i kërkon për vete duhet të lutet për të gjithë. “Është e drejtë të lutesh jo vetëm për pastrimin tënd, por për pastrimin e të gjithë njerëzve . . .” (Shën Nili i Sinait, shek. 5, Tekste mbi Lutjen.).
Të kuptosh lutjen ndërmjetuese, duhet të kujtosh përkujdesjen e përjetshme të Perëndisë. Duhet të kapet fakti se Perëndia i di të gjitha përjetësisht dhe e merr në konsideratë çdo veprim të njeriut në planin e Tij të përgjithshëm. Në këtë perspektivë mund të shihet, pra, se edhe para krijimit të botës, Perëndia ka dëgjuar, ose më mirë, më saktë, dëgjon përjetësisht, thirrjet e popullit të Tij. Ai e konsideron lutjen e njeriut në gjithçka që Ai bën në marrëdhëniet e Tij me njerëzit. Kështu është e vërtetë se Perëndia nuk pret të shikojë se çfarë ne do të bëjmë apo si do të lutemi. Ai i konsideron veprimet dhe lutjet tona nga perspektiva e përjetësisë. Dhe në aspektin e dëshirave dhe veprave tona Ai shikon se “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që duan Perëndinë” (Romanët 8:28).
Nëse ne e kuptojmë këtë, ne mund të shohim sesi lutjet tona konsiderohen nga Perëndia, për vetet tona dhe për të tjerët. Ne mund të kuptojmë, gjithashtu, sesi ne mund të lutemi edhe për ata që kanë vdekur, jeta e të cilëve mbi tokë ka mbaruar. Sepse Zoti nuk i dëgjon lutjet tona “mbasi” diçka ka mbaruar, sepse për Perëndinë nuk ka aspak “mbas”. Perëndia e di çfarë ne kërkojmë para se ne ta kërkojmë, sepse Ai e njeh të gjithë jetën e njeriut në një veprim hyjnor të vizionit dhe njohurisë gjith-përfshirëse. Kështu, të gjitha lutjet tona, edhe ato për të vdekurit, janë dëgjuar dhe konsideruar nga Perëndia para se ne t’i bëjmë ato. Nëse ne dështojmë të lutemi, edhe kjo është e njohur te Perëndia dhe ajo ka efektin e saj në planin e shpëtimit të Perëndisë. Prandaj, ne duhet “të lutemi për njëri – tjetrin” dhe lutjet tona do të kenë “fuqi të madhe në efektet e tyre” nëpërmjet veprimit përkujdesor të përjetshëm të Perëndisë.