Tryeza e Shenjtë (Altari)
Ne e kemi përmendur më sipër, që tërë ndërtesa e Kishës përqendrohet rreth Tryezës së Shenjtë. Tryeza e Shenjtë nuk paraqet vetëm thjesht tryezën e Darkës së Fundit (Darkës Mistike). Ajo është prania simbolike dhe mistike e fronit qiellor dhe tryeza e Mbretërisë së Perëndisë; tryeza e Krishtit Fjalë, Qengjit dhe Mbretit të jetës së amshuar, të zotërimit të lavdëruar të Perëndisë mbi tërë krijimin. Libri i Ungjillit është fronëzuar në mënyrë të përhershme në Tryezën e Shenjtë. Në këtë tryezë të shenjtë ne ofrojmë “therroren e pagjakshme” të Krishtit tek Ati. Dhe prej kësaj tryeze të shenjtë ne marrim Bukën e Jetës, Trupin dhe Gjakun e Pashkës së Zotit. Kjo tryezë është “tryeza e Mbretërisë së Perëndisë” (Lluka 28:30).
Në Traditën Orthodhokse, Tryeza e Shenjtë është shpesh dru i gdhendur ose gur. Zakonisht mbulohet me një copë me ngjyra, për të treguar karakterin hyjnor e qiellor të saj. Ajo duhet të jetë gjithmonë një tryezë e thjeshtë, me përmasa proporcionale, shpesh një kub i përsosur dhe gjithmonë në një pozicion, që mund t’i vihet rrotull lehtë. Në Tryezën e Shenjtë gjithmonë është Antiminsi. Antiminsi është një pëlhurë më e madhe se shamia, ku është paraqitur Krishti në varr dhe e firmosur nga peshkopi, me anë të të cilit lejohet bashkësia lokale të mblidhet si Kishë. “Antimins” do të thotë literalisht “në vend të tryezës.” Meqenëse peshkopi është bariu dhe prifti i vërtetë i Kishës, antiminsi përdoret në vend të tryezës së peshkopit, e cila është në Kishën e tij, katedralen – vendi ku peshkopi ka fronin e tij (katedra).
Zakonisht, në antiminsin ndodhet një lipsan (normalisht një pjesë nga trupi) martiri, për të treguar që Kisha ngrihet mbi gjakun e martirëve dhe jetët e njerëzve të shenjtë të Perëndisë. Ky zakon vjen prej praktikës së Kishës së parë, e cila mblidhej dhe e kremtonte Kungatën në varret e atyre që jetuan dhe dhanë jetën për besën e krishterë. Zakonisht, një lipsan shenjti vendoset, gjithashtu dhe në vetë Tryezën e Shenjtë. Gjithashtu, në Tryezën e Shenjtë ndodhet artofori, shpesh në formën e ndërtesës së Kishës, në të cilin ruhen dhuratat e Kungatës së Shenjtë për të sëmurët dhe për ata që janë në agoni. Mbrapa Tryezës së Shenjtë është zakonisht një llambadhe me shtatë kandile, e cila vjen nga tradita e Tempullit të Dhiatës së Vjetër. Në përgjithësi,Tempulli i Jerusalemit, vlerësohet shumë në traditën orthodhokse të adhurimit dhe ndërtimit të kishave, si një “prototip” i adhurimit të vërtetë “në frymë dhe të vërtetë” të Mbretërisë së Perëndisë (Joani 4:23).