Ligji

     Pjesa e parë e Shkrimit të Shenjtë është quajtur Torah, që do të thotë Ligji. Gjithashtu quhet Pentateuku, që do të thotë pesë librat. Këto libra janë quajtur edhe Librat eMoisiut. Ato janë Gjeneza (Zanafilla), Eksodi (Dalja), Levitiku, NumratdheDhefteronomi (Ligji i Përtërirë). Ngjarjet e përshkruara në këto libra, prej thirrjes së Abrahamit te vdekja e Moisiut, ka mundësi të kenë ndodhur dikur në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit (2000-1200 p.K.). Libri i Zanafillës përmban prehistorinë e popullit të Izraelit. Ai fillon me tregimin e krijimit të botës, rënien e Adamit dhe Evës, dhe vazhdon me historinë krejt mëkatare të fëmijëve të Adamit. Pastaj tregon thirrjen dhe premtimin e shpëtimit që Perëndia i bën Abrahamit dhe historinë e Isakut dhe Jakovit, të cilin Perëndia e quajti Izrael, duke mbaruar me vendosjen e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit – familjet e dymbëdhjetë bijve të Jakovit – në Egjipt, gjatë kohës kur Josifi ishte i parapëlqyeri i faraonit egjiptian. Në emërtimin tradicional të Kishës, Abrahami, Isaku dhe Jakovi quhen patriarkët.

    Libri i Eksodit tregon çlirimin e popullit të Izraelit nga skllavëria në Egjipt, prej Moisiut, ku ata ishin robëruar mbas vdekjes së Josifit. Ai tregon për zbulesën, që Perëndia i bëri Moisiut, e emrit të Tij hyjnor: Jahveh-Unë jam Ai që jam (3:14) Tregon, gjithashtu për pashkën (kalimin), eksodin dhe udhëtimin e izraelitëve, të udhëhequr nga Perëndia, përmes shkretëtirës. Në këtë libër është edhe tregimi për dhuratën e Dhjetë Urdhërimeve që Perëndia i dha Moisiut në Malin e Sinait, si edhe për ligjet e tjera që Perëndia i dha Moisiut në lidhje me moralin dhe ritualin e Popullit të Tij. Libri iLevitikut është një libër i mëtejshëm ligjesh, kryesisht në lidhje me shërbesat priftërore dhe rituale të popullit, që kryheshin nga njerëz të zgjedhur nga fisi i Levit. Libri i Numrave merret, kryesisht me një numërim të popullit. Ai përmban, gjithashtu ligje të dhëna nga Perëndia tek Moisiu, dhe tregime të mëtejshme rreth lëvizjes së Popullit të Perëndisë përmes shkretëtirës drejt tokës që Perëndia iu kishte premtuar atyre.

    Libri i Dhefteronomit (Ligji i Përtërirë), që do të thotë “ligji i dytë”, është kryesisht, përsëri një kod ligjor, në të cilin tregohet përsëri historia e Dhjetë Porosive dhe institucioni i ligjeve moisiane të moralit dhe të ritualit. Ai mbaron me bekimin e popullit nga Moisiu dhe vizionin e tij për tokën e premtuar, në të cilën Joshua (Jisui i Naviut) do ta çonte Popullin e Perëndisë mbas vdekjes së tij. Me këtë tregim mbarojnë Librat e Moisiut. Studiuesit na thonë se Ligji nuk u shkrua nga vetë dora e Moisiut dhe librat e tregojnë qartë se janë rezultat i disa traditave, të shkruara dhe gojore, të transmetuara në Popullin e Izraelit, që përmbajnë materialin për periudhat e pastajme. Megjithatë, në Traditën e Izraelit dhe të Kishës së Krishterë, Ligji mbetet, kryesisht, i lidhur me Moisiun, njeriun e madh të Perëndisë me të cilin“Zoti fliste faqe për faqe, ashtu si një njeri flet me mikun e tij” (Eksodi 33:11).