Shkrimi i Shenjtë (Bibla)
Shkrimi i Shenjtë ose Bibla, është libri i shkrimeve të shenjta të Popullit të Perëndisë të Dhiatës së Vjetër dhe të Re. Populli i Perëndisë i Dhiatës së Vjetër ishin Judejtë, pasardhësit e Abrahamit, Isakut dhe Jakovit, emri i këtij të fundit u ndërrua nga Perëndia në Izrael (Zanafilla 32:28). Ky popull quhet, gjithashtu, edhe Hebrenj. Ata mbeten gjithmonë si populli i zgjedhur i Perëndisë, sepse prej tyre u lind “sipas mishit” Krishti, Biri i Perëndisë (Romanët 9:5). Ky Bir i Perëndisë është Jisui i Nazaretit, Mbreti-Mesia i Izraelit dhe Shpëtimtari i botës (Shih Mattheu 1-2; Lluka 1-2; Romanët 8:3; Galatianët 4:4; Hebrenjtë 1-5). Shkrimet e Dhiatës së Vjetër të Popullit të Izraelit mbeten përgjithmonë si Fjala e Perëndisë për të gjithë ata që besojnë në Perëndinë dhe dëshirojnë të njohin të Vërtetën e Tij hyjnore dhe të bëjnë Vullnetin e Tij.
Populli i Perëndisë i Dhiatës së Re janë të Krishterët, të cilët besojnë në Jisuin si “Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë” dhe që i përkasin Kishës që Ai e themeloi mbi besimin në të (shih Mattheu 16:13-20). Populli i Perëndisë i Dhiatës së Re ka, gjithashtu, shkrimet e tij të shenjta, të cilat dëshmojnë për Krishtin dhe që janë afirmuar nga Fjala e Perëndisë. Kështu, Bibla, si një libër ose si një përmbledhje e shumë librave, ka dy pjesë kryesore: shkrimet e Dhiatës së Vjetër, që e përgatisin botën për ardhjen e Krishtit dhe shkrimet e Dhiatës së Re, që provojnë faktin se Krishti erdhi dhe e shpëtoi botën.