Mbretërimi
Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia ishte Mbreti i Popullit të Tij. Por, duke dashur që të jenë si popujt e tjerë, izraelitët i kërkuan Zotit një mbret njerëzor.
Atëherë tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën, erdhën te Samueli në Ramah, dhe i thanë: “Ja, ti tani je plakur dhe bijtë e tu nuk ndjekin gjurmët e tua; prandaj cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet”. Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: “Na jep një mbret që të na qeverisë”. Prandaj Samueli iu lut Zotit. Dhe Zoti i tha Samuelit: “Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta. Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t’u shërbyer perëndive të tjera. Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta” (1 Samueli 8:4-9).
Kështu, Samueli i tregoi popullit gjithçka që do t’iu ndodhte atyre nëse ata do të donin të jetonin si kombet e tjerë që kanë një njeri si mbretin e tyre. Mbreti do t’i dërgonte bijtë e tyre në luftë. Ai do ta vendoste të gjithë popullin të punonte për atë. Ai do të merrte kafshët dhe prodhimet e tyre. Ai do t’i bënte njerëzit skllevërit e tij.
“Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t’ju përgjigjet”. Megjithatë populli nuk deshi t’i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: “Jo, do të kemi një mbret mbi ne. Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona”. Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit. Zoti i tha Samuelit: “Dëgjoje kërkesën e tyre dhe cakto një mbret mbi ta” (1 Samueli 8:18-22).
Izraeli i mori mbretërit e tij. I pari ishte Sauli, i cili u marros. I dyti ishte Davidi, Bariu, i cili mbretëroi mirë. I treti ishte Solomoni, i cili ishte i njohur për diturinë e tij dhe që ndërtoi Tempullin e Perëndisë në Jerusalem. Por pastaj pati një ndarje të mbretërisë së Izraelit dhe Judës, dhe luftë ndërmjet tyre për shkak të mëkateve të tyre, që përfunduan në një seri robërish nën fuqi të huaja të ndryshme, prej të cilave populli kurrë nuk shpëtoi përfundimisht. Psalmet dhe profetët e Dhiatës së Vjetër vazhdimisht e kujtojnë popullin e Perëndisë për realitetin se vetëm Zoti është mbret. Vetëm Ai është Ai që mbretëron dhe të Cilit duhet t’i shërbehet dhe t’i bindesh.
Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im,
dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.
Do të të bekoj çdo ditë
dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.
Zoti është i madh dhe i denjë
për lëvdimin më të lartë
dhe madhështia e tij është e panjohshme.
Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot,
dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate
dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,
për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve
mrekullitë e tua
dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.
Mbretëria jote është një mbretëri përjetë
dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.
(Psalmi 145: 1-3, 10-13).
Profetët iu bënin thirrje të gjithë mbretërve tokësorë, “barinjve të Izraelit”, të pendoheshin para Mbretit hyjnor të qiellit, por fjalët e tyre shkuan kot.
Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë: “Bir njeriu, profetizo kundër barinjve të Izraelit; profetizo dhe u thuaj atyre barinjve: Kështu thotë Zoti Perëndi: Mjerë barinjtë e Izraelit që kullotin veten e tyre! A nuk duhet përkundrazi të kullosin kopenë? Ju hani yndyrën, visheni me leshin, vritni delet e majme, por nuk e kullotni kopenë. Nuk i keni forcuar delet e dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurën, nuk keni fashuar atë të plagosurën, nuk e keni rikthyer në shtëpi të hutuarën dhe nuk e keni kërkuar të humburën, por keni sunduar mbi to me forcë dhe ashpërsi. Kështu ato, për mungesë bariu, janë shpërndarë, janë bërë pre e të gjitha bishave të fushës dhe kanë humbur. Delet e mia po enden nëpër tërë malet dhe mbi çdo kodrinë të lartë; po, delet e mia janë përhapur mbi gjithë faqen e vendit dhe askush nuk ka shkuar t’i kërkojë ato as nuk tregoi kujdes” (Ezekieli 34:1-6).
Psalmet dhe profetët e Dhiatës së Vjetër paratreguan, gjithashtu kohën kur Perëndia do ta sundonte drejtpërdrejt Popullin e Tij. Ai do të ishte bariu i të gjithë kombeve, duke sunduar nëpërmjet Mbretit-Mesia, i Cili do të vinte nga shtëpia e Davidit, Mbreti mbretëria e të cilit nuk do të kishtë mbarim.
Sepse na ka lindur një fëmijë,
një djalë na është dhënë.
Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria
dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm,
Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.
Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij
dhe paqja mbi fronin e Davidit
dhe në mbretërinë e tij,
për ta vendosur pa u tundur
dhe për ta përforcuar me anë të mënçurisë
dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë.
Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive
(Isaia 9:6-7).
“Ja, ditët po vijnë”, thotë Zoti, “në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend. Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: “Zoti drejtësia jonë” (Jeremia 23:5-6).
Por ti, o Betlem Efrathah,
megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës,
nga ti do të dalë për mua
ai që do të jetë sundues në Izrael,
origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta,
nga ditët e përjetësisë.
Prandaj ai do t’i braktisë deri në kohën
në të cilën ajo që duhet të pjellë ka për të pjellur;
atëherë kusuri i vëllezërve të saj
do t’u kthehet bijve të Izraelit.
Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij
me pushtetin e Zotit,
në madhërinë e emrit të Zotit, Perëndisë së tij.
Dhe ata do të banojnë të sigurt,
sepse atëherë ai do të jetë i madh
deri në skajet e tokës
(Mikea 5:2-4).
Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem. Ashtu si bariu kujdeset për kopenë e tij kur ndodhet në mes të deleve të tij, të shpërndara, kështu unë do të kujdesem për delet e mia dhe do t’i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në një ditë me re dhe errësirë të dendur.
Unë vetë do t’i kullot delet e mia dhe do t’i bëj të pushojnë, thotë Zoti, Zoti. Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t’i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën, por do të shkatërroj të majmen dhe të fortën; do t’i kullot me drejtësi (Ezekieli 34:11-12, 15-16).
Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit,
lësho britma gëzimi, o bijë e Jerusalemit!
Ja, mbreti yt po të vjen;
ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin,
i përulur dhe i hipur mbi një gomar,
mbi një gomar të ri.
Unë do t’i zhduk qerret nga Efraimi
dhe kuajt nga Jerusalemi;
harqet e luftës do të asgjësohen.
Ai do t’u flasë për paqe kombeve;
sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det,
dhe nga Lumi deri në skaj të dheut
(Zaharia 9:9-10).
Mbreti i Mbretërisë përfundimtare të Perëndisë është Jisu Krishti. Ai është Bariu dhe Zoti. Ai është Ai “mbretëria e të cilit nuk do të ketë mbarim”. Kështu, engjëlli Gabriel i flet Marisë në lajmërimin e lindjes së Tij:
“Ai do të jetë i madh dhe do të quhet
Biri i Shumë të Lartit;
dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij;
dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë,
dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur”
(Lluka 1:32-33).
Gjatë gjithë jetës së Tij, Jisui po përgatiste Mbretërinë e përjetshme të Perëndisë. Ai erdhi për t’i sjellë këtë Mbretëri njerëzve. Ai është Biri i Davidit, i Cili do të mbretërojë përjetë. Ai është Ai që shpall ungjillin e Mbretërisë së Perëndisë (Mattheu 4:23, 9:35).
Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, Ai iu përgjigj atyre dhe tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme; dhe as nuk do të mund të thuhet: “Ja, këtu”, ose: “Ja, atje”; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush” (Lluka 17:20-21).
Mbretëria e Perëndisë është përbrenda njerëzve kur Krishti është i pranishëm. Ai Vetë është Mbreti i Cili e jep këtë Mbretëri të Perëndisë tek ata që janë të Tijët.
Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë (Lluka 12:32).
Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia. Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im, që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time… (Lluka 22:28-30).
Të gjitha predikimet dhe parabolat e Krishtit në lidhje me Mbretërinë e Perëndisë flasin për Atë Vetë si Mbreti. Ata që besojnë në Jisuin dhe i binden Atij do të mbretërojnë me Atë në Mbretërinë e Tij që është përgatitur “qysh prej themelimit të botës” për ata që e duan Atë (Mattheu 25:34). Mbretëria e Tij është mbretëri e përjetshme, e cila “nuk është e kësaj bote”, por e Perëndisë Atit (Joani 18:36). Tregimet e ungjillit për kryqëzimin e Krishtit e vendosin Atë në rolin e Tij si Mbret. E gjithë tallja dhe mundimi i Jisuit iu dha Atij si “Mbreti i Judejve”. Kjo ishte akuza kundër Tij dhe mbishkrimi që u vu në kryq. Kështu, ironia është përmbushur, ashtu si janë përmbushur shkrimet në fjalët e Pilatit kur, mbasi Jisui u paraqit në gjykatore, Pilati i shpalli popullit, “Ja, mbreti juaj!” (Joani 19:14).
Jisui është Mbreti. Ai është një me Perëndinë, “Mbretin e mbretërve dhe Zotin e zotërve” (1 Timotheu 6:5). Ai është Ai që është “lartësuar madhërisht” mbi çdo pushtet dhe fuqi, Ai para të Cilit çdo gju do të përulet “Në qiell dhe në dhé e nën dhé” (Filipianët 2:9-11; po ashtu Efesianët 1:20-23). Ai është Ai që, në mbarim të kohëve, kur Ai ‘do të vijë në Mbretërinë e Tij’ me të gjitha fuqitë qiellore, do të shkatërrojë çdo të keqe dhe do të mbretërojë mbi të gjithë krijimin përjetë, ashtu si profetët parashikuan.
… dhe Qengji (Krishti) do t’i mundë (të këqijtë), sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë (Zbulesa 17:14). Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe Ai që kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe Ai gjykon dhe lufton me drejtësi. Dhe sytë e Tij ishin flakë zjarri dhe mbi kryet e Tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç Atij; Dhe ishte veshur me një rrobë të ngjyer në gjak; dhe emri i Tij quhet: “Fjala e Perëndisë”. Dhe ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër. Dhe nga goja e Tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe Ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe Ai vet do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm. Dhe mbi rroben e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE (Zbulesa 19:11-16).
Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës, të kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit. Në mes të sheshit të qytetit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr frutin e saj në çdo muaj; dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve. Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e Tij do t’i shërbejnë; ata do të shohin fytyrën e Tij; dhe emri i Tij do të jetë mbi ballin e tyre. Dhe atje natë nuk do të ketë; edhe nuk kanë nevojë për llambë, as për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçon; dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve (Zbulesa 22:1-5).