Seksualiteti
Karakteri seksual i personave njerëzorë ka një rol pozitiv për të luajtur në spiritualitetin njerëzor. Ashtu si çdo gjë tjetër njerëzore, seksualiteti duhet miratuar nga Perëndia dhe frymëzuar me Shpirtin e Shenjtë, përdorur për qëllimet që Perëndia ka menduar. Dhe ashtu si të gjitha gjërat njerëzore, nga keqpërdorimi dhe abuzimi i tij, seksualiteti mund të prishet dhe degjenerohet, duke u bërë më tepër një instrument i mëkatit, sesa një mjet për lavdërimin e Perëndisë dhe përmbushjen e vetes si i bërë në shëmbëlltyrën e Tij dhe sipas ngjashmërisë së Tij.
. . . Por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin . . . A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj gjymtyrë të një kurve? Mos qoftë ashtu! A nuk e dini ju se ai që bashkohet me një kurvë bëhet një trup me të? Sepse thuhet: “Do të jenë të dy, thotë Zoti, një mish i vetëm”. Por ai që bashkohet me Zotin është një frymë me të. Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet. A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë (1 Korinthianët 6:13-20).
Mësimi i Shën Pavlit rreth seksualitetit është i ngjashëm me mësimin e tij rreth ngrënies dhe pirjes dhe të gjithave funksioneve trupore. Ato janë nga Perëndia për arsye shpirtërore për t’u përdorur për lavdinë e Tij. Në vetvete ato janë të shenjta dhe të pastra. Kur keqpërdoren ose adhurohen si një qëllim në vetvete, ato bëhen instrumente të mëkatit dhe vdekjes. Apostolli thotë në mënyrë specifike se të gjitha perversionet seksuale kanë si shkakun e tyre të drejtpërdrejtë rebelimin e njeriut kundër Perëndisë.
Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtisë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre, që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amin.
Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasione të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës. Në të njëjtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdheniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre.
Dhe, meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme . . . Por ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë (Romanët 1:24-32).
Fraza se “ata që bëjnë këto gjëra meritojnë të vdesin” ishte marrë fjalë për fjalë në ligjin e Moisiut; kështu: kurorëshkelësit, homoseksualët, njerëzit që kryenin incest dhe ata që bashkoheshin seksualisht me një kafshë “dënoheshin me vdekje” (Levitiku 20:10-16).
Duke ndjekur këtë mësim, ndërkohë që shpresohej në mëshirën e Perëndisë dhe në faljen e Krishtit për të gjithë mëkatarët, shkrimet e Dhiatës së Re janë akoma më strikte në kërkesat e tyre lidhur me pastërtinë seksuale. Jisui, që e fali gruan e kapur në kurorëshkelje (Joani 8:7-11) dhe lavirën e penduar që lau këmbët e Tij dhe i fshiu me flokët e saj (Lluka 7:36-50), dha mësimin e mëposhtëm në predikimin e Tij në mal:
Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: “Mos shkel kurorën”. Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet. Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në ferr gjithë trupi yt . . . Qe thënë, gjithashtu: “Kush e lë gruan e tij, le t’i japë letrën e ndarjes”. Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën (Matheu 5:27-32, gjithashtu 19:3-9, Romanët 7:3).
Apostull Pavli thotë, thjesht se kurorëshkelësit e papenduar, kurvarët dhe homoseksualët nuk do të hynë në Mbretërinë e Perëndisë (kr. 1 Korinthianët 6:9-10; Galatianët 5:19).
Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit (Hebrenjtë 13:4).
Kështu, sipas zbulesës së Perëndisë, lidhjet seksuale janë të shenjta dhe të pastra vetëm brenda bashkësisë së martesës, me idealin që lidhja ndërmjet një burri dhe një gruaje të jetë e përjetshme. Ata që nuk janë të martuar dhe ata që e zgjedhin nga vullneti i Perëndisë që të mos martohen duhet të rrinë larg çdo lidhje seksuale, meqenëse një lidhje e tillë nuk ka mundësi të përmbushë funksionin që i është dhënë aktit seksual nga Perëndia në krijim. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë karakter seksual në jetën shpirtërore të të pamartuarve, sepse burri dhe gruaja e pamartuar do ta shprehin njerishmërinë e tyre në format shpirtërore mashkullore dhe femërore. Virtyti dhe frytet e Shpirtit tek secili, ashtu si edhe tek ata që janë të martuar, janë identike, por mënyra e mishërimit dhe e shprehjes së tyre do të jetë vetjake tek forma e veçantë seksuale e njerishmërisë së tyre të përbashkët, si edhe uniciteti i çdo personi.
Personi i pamartuar që e jetoi jetën e tij apo të saj pa grua ose burrë, është thirrur në virgjëri si një dëshmitar në këtë botë i Mbretërisë së Perëndisë ku “në ngjalljen, ata as martohen dhe as martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell” (Matheu 22:30).Për këtë arsye, për ata që ndjekin jetën murgërore thuhet se kanë veshur “rroben engjëllore”. Kjo nuk do të thotë se ata bëhen të çmishëruar ose joseksualë. Por do të thotë më tepër se ata i shërbejnë dhe e lavdërojnë vazhdimisht Perëndinë si bijtë e Tij, duke përbërë, si të thuash, familjen universale të Perëndisë, pa qenë vetë udhëheqësit e familjeve në këtë botë. Në këtë mënyrë ata e shpreshin veten si etër dhe nëna, si vëllezër dhe motra të të gjithë njerëzimin në Krishtin.
“Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?”. Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi! Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!” (Marku 3:34-35).
Mos e qorto ashpër një plak, por këshilloje si atë, dhe më të rinjtë si vëllezër, plakat si nëna, të rejat si motra, me plot dlirësi (1 Timotheu 5:1-2).
Këto fjalë, pa dyshim, u drejtohen të gjithëve, të martuar dhe të pamartuar, por ato, gjithashtu, me shumë qartësi, kanë kuptim të veçantë për ata që, për hir të Krishtit, po jetojnë jetën e pamartuar. Sepse, ashtu si ata që janë të martuar kanë detyrën që ta jetojnë jetën e tyre shpirtërore me përkujdesjet e familjes dhe brenda kontekstit të kërkesave dhe nevojave të saj, i krishteri që është i pamartuar, e jeton jetën e tij apo të saj në Krishtin, pa këto kushte.
. . . Sepse do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë (d.m.th. i pamartuar, thotë Pavli). Por secili ka dhunti të veçantë nga Perëndia, njëri kështu dhe tjetri ashtu. (…) I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t’i pëlqejë Zotit; por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t’i pëlqejë gruas së tij. Ka dallim gruaja nga virgjëresha; e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë, kurse e martuara kujdeset për gjërat e botës, si mund t’i pëlqejë burrit. Edhe këtë unë e them për dobinë tuaj, jo që t’ju vë një lak, po që të jeni të hijshëm dhe t’i kushtoheni Zotit pa u shkëputur. (…) Prandaj ai që marton bën mirë, ai që nuk e marton bën edhe më mirë (1 Korinthianët 7:7, 32-35, 38; shih 1 Korinthianët 7:7-40).
Këtu mësimi është i qartë. Njerëzit mund t’i shërbejnë Perëndisë dhe të jetojnë jetën e tyre shpirtërore si në martesë, ashtu edhe në jetën e pamartuar. Dhe njerëzit mund të mëkatojnë në të dyja, gjithashtu. “Secili ka dhuntinë e tij të veçantë nga Perëndia” (1 Korinthianët 7:7). Megjithatë, Shën Pavli mendon se ndër ata që duan ta bëjnë në mënyrën më të përsosur që munden, ata që nuk martohen “do ta bëjnë më mirë” (1 Korinthianët 7:38-40).
Tradita shpirtërore e Kishës përputhet qartësisht me apostullin. Kjo nuk do të thotë se martesa është në njëfarë mënyre denigruar apo përbuzur. Ajo është dhënë nga Perëndia si një mister i Kishës dhe ata që e urrejnë atë për “arsye shpirtërore” duhet të çkishërohen nga Kisha (Ligjet Kanonike të Sinodit në Gangra). Ajo do të thotë vetëm se, praktikisht, një mund të bëhet një shërbëtor më i madh i Perëndisë dhe një dëshmitar më i përsosur i Mbretërisë së Tij pambarim, nëse ai heq dorë nga gjithçka në këtë botë, i shet të gjitha dhe e ndjek pas Krishtin në shkëputje dhe varfëri të plotë.
Por, idea se një njeri i pamartuar mund të jepet në të gjitha gjërat e kësaj bote, përfshirë seksualitetin, dhe të jetë përsëri shërbëtor i Perëndisë në Krishtin kundërshtohet dhe dënohet krejtësisht. Një mund të heqë dorë nga martesa në trup vetëm për një liri më të madhe nga “shqetësimet e problemeve të botës” që të interesohet “me gjërat e Zotit . . . si të jetë i shenjtë në trup dhe shpirt.” Personi i pamartuar që është “i shenjtë në trup dhe shpirt” nuk ka lidhje seksuale me asnjë.