Martesa

    Martesa është një pjesë e jetës njerëzore në këtë tokë si është krijuar nga Perëndia.

    Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm (Zanafilla 2:24, kr. Matheu 19:5-6).

    Perëndia e krijoi njeriun mashkull dhe femër, kështu që burri dhe gruaja do ta jetojnë jetën e tyre së bashku në martesë si një mish i vetëm. Ky bashkim nuk duhet të prishet për asnjë arsye tokësore.

    Prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.

     Ata i thanë Jisuit: “Atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet?”.

    Ai u tha atyre: “Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu. Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën”.

    Dishepujt e vet i thanë: “Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet”.

    Por ai u tha atyre: “Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë. Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për Mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë”(Matheu 19:6 – 12).

    Martesa njerëzore ekziston nga vullneti i Perëndisë në tokë si shprehje e krijuar e dashurisë së Perëndisë për njeriun dhe si pjesëmarrje e njeriut në dashurinë krijuese të Perëndisë. Bashkimi i burrit me gruan në bashkësinë e martesës është përdorur në Bibël si shëmbëlltyrë e dashurisë besnike të Perëndisë për Izraelin dhe dashurisë flijimore të Krishtit për Kishën (kr. Isaia 54, Jeremia 3, Ezekieli 16, Osea).

    Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë. Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të, që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme. Kështu burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten. Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij. Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm. Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën. Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin (Efesianët 5:22-33).

    Këto fjalë të Shën Pavlit, të lexuara në kremtimin misteror të martesës në Kishë, e përmbajnë tërë programin për jetën shpirtërore në bashkësinë e martesës. Burri duhet ta dojë gruan deri në vdekje, ashtu si Krishti e do Kishën. Dhe gruaja duhet t’i jepet krejtësisht burrit të saj në gjithçka, ashtu si Kisha i jepet Krishtit. Bashkimi i dashurisë duhet të jetë i përsosur, i plotë, i qëndrueshëm dhe të zgjasë përjetësisht, Brenda këtij bashkimi, akti seksual i dashurisë është vula mistike e bashkimit tërësor në dashuri; akti përmes së cilit të dy janë bashkuar në mendje, zemër, shpirt dhe trup në Zotin.

    Sipas mësimit shpirtëror të Kishës Orthodhokse, martesa dhe kështu edhe akti seksual i dashurisë, bëhet e përsosur vetëm në Krishtin dhe Kishën. Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që janë “martuar në kishë” kanë një martesë ideale. Misteri nuk është mekanik ose magjik. Realiteti dhe dhuratat e tij mund të kundërshtohen dhe ndyhen, mund të merren në dënim dhe gjykim, ashtu si Kungata e shenjtë dhe të gjitha misteret e tjera të besimit. Por do të thotë se, kur një çift martohet në Kishën e Krishtit, mundësia për përsosjen e martesës së tyre është dhënë plotësisht nga Perëndia.

    Kur një burrë dhe një grua e duan njëri-tjetrin me të vërtetë, ata dëshirojnë natyrshëm që dashuria e tyre të jetë e përsosur. Ata duan që lidhja e tyre të mbushet me çdo virtyt dhe me çdo fryt të Shpirtit. Ata e duan atë të shprehet dhe të përmbushet akoma më përsosmërisht. Ata e duan atë të zgjasë përgjithmonë. Ata që nuk e dëshirojnë një të tillë për dashurinë e tyre, nuk duan realisht.

    Kur një burrë dhe një grua kanë një dashuri të tillë, ata mund ta gjejnë përmbushjen e saj vetëm në Krishtin. Ai e bën këtë të mundur; asnjë dhe asgjë tjetër nuk mund ta bëjë. Kështu, për ata që dashurojnë me të vërtetë, shpëtimtari dhe përmbushësi i dashurisë së tyre është Krishti. Ai jep çdo virtyt dhe çdo fryt të Shpirtit. Ai i lejon ata të rriten përsosmërisht. Ai i lejon ata të jetojnë dhe të dashurojnë përjetësisht në Mbretërinë e Perëndisë. Një martesë në Krishtin nuk mbaron në mëkat; ajo nuk ndahet në vdekje. Ajo përmbushet dhe përsoset në Mbretërinë e qiellit. Është për këtë arsye dhe vetëm për këtë, që ata që kërkojnë dashurinë e vërtetë dhe përsosjen në martesë, vijnë në Kishë për t’u martuar në Krishtin.

    Një martesë shpirtërore me të vërtetë e krishterë është ajo ku banon dashuria e vërtetë. Në bashkësinë e martesës dashuria e vërtetë shprehet në bashkimin e plotë të çiftit në gjithçka që ata janë, kanë dhe bëjnë. Është dashuria e njërit që jeton plotësisht për të mirën e tjetrit, dashuria e bashkimit erotik në të qenit një të mendjes, zemrës dhe mishit; dashuria e miqësisë së përsosur. (shih f. . . .)

    Brenda një bashkësie të tillë dashurie, akti seksual është shprehja e të gjithë asaj. U krijua nga Perëndia për këtë qëllim. Është akti intim që e gjen gëzimin e tij të plotë, kur kryhet nga ata që i dedikohen dhe i përkushtohen plotësisht njëri-tjetrit, në të gjitha gjërat, në të gjitha mënyrat dhe përgjithmonë. Është për këtë arsye të shenjtëruar dhe hyjnore që akti seksual nuk mund të kryhet rastësisht dhe kurvërisht për kënaqësinë shpirtërore ose trupore të dikujt. Ai është akti i dashurisë vetë-flijimore në besnikërinë e përjetshme. Vetëm kur bëhet në këtë mënyrë ai i jep përmbushje hyjnore dhe kënaqësi të pafund të dashuruarve që e kryejnë atë.

    Pakënaqësia seksuale në martesë nuk është, në të vërtetë, kurrë, thjesht një problem trupor apo biologjik. Ajo është, pothuaj, pa asnjë përjashtim, rezulatat i ndonjë defekti të mendjes, zemrës dhe shpirtit. Më në themel, është defekti i vetë dashurisë. Sepse, kur njëri ka parasysh vetëm të mirën e tjetrit, duke dëshiruar bashkimin e plotë shpirtëror dhe trupor në miqësi të përkryer, akti seksual është gjithmonë më i kënaqshëm. Kur mungon kjo dhe diçka tjetër është në qendër, kënaqja e disa pasioneve të pavlefshme të trupit apo mendjes, atëherë gjithçka ka humbur dhe perversioni i dashurisë sjell tek bashkimi hidhërim dhe vdekje.

    Normalisht, akti seksual në martesë sjell fryt në lindjen e fëmijëve. Ceremonia e martesës në Kishë lutet për “dlirësi, një shtrat të panjollosur, lindjen e fëmijëve dhe për çdo bekim tokësor që ata t’u japin edhe atyre që kanë nevojë.” Megjithatë, akti seksual i dashurisë, nuk kufizohet vetëm në lindjen e fëmijëve. Ai ekziston edhe për bashkimin në dashuri dhe për ndërtimin dhe gëzimin e ndërsjelltë të atyre që janë martuar. Nëse nuk do të ishte kështu, Apostull Pavli nuk do të jepte këshillat e mëposhtme:

     . . . le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet. Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja. Mos ia privoni njëri-tjetrit, veç në qoftë se jeni marrë vesh, për njëfarë kohe, që t’i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetëkontrollit tuaj (1 Korinthianët 7:2-5).

    Apostulli nuk thotë se çifti i martuar duhet të ndahet dhe të bashkohet vetëm me synimin e lindjes së një fëmije. Por ai thotë se ata duhet të qëndrojnë së bashku, duke u ndarë “veç në qoftë se jeni marrë vesh, për njëfarë kohe” dhe kjo për qëllimin e përkushtimit “në lutje”. Fjalët “veç në qoftë se jeni marrë vesh” janë qendrore në këtë këshillë, sepse secili duhet të jetojë krejtësisht sikur i përket tjetrit.

    Seksualiteti në martesën e pastër është i pastër. Sepse, ashtu si apostulli thotë në një tjetër kontekst:

    Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër, por asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë; madje edhe mendja, edhe ndërgjegja e tyre janë të ndotura. Ata pohojnë se njohin Perëndinë, po me vepra e mohojnë, sepse janë të neveritshëm, të pabindur dhe të pazotë për çfarëdo vepre të mirë (Titi 1:15-16).

    Ka nga ata martesat e të cilëve janë ta papastra, sepse ata janë të korruptuar dhe jo besimtarë, të pazotë për çfarëdo vepre të mirë. Edhe ndonëse ata janë të martuar dhe seksualiteti është, si thonë në ditët tona, “i ligjshëm”, megjithatë, ai është i paperëndishëm dhe i papastër. Fakti, që një çift është “i ligjshëm”, ose madje i martuar “sakramentalisht”, nuk e bën jetën e tyre martesore të pastër dhe të çliruar nga pasioni i mëkatshëm, perversioni dhe epshi. Vetëm ata që me të vërtetë e jetojnë jetën shpirtërore në dashuri dhe përkushtim të sinqertë kanë jetë seksuale që janë të shenjta, të pastra, me kënaqësi dhe përmbushje të ndërsjelltë dhe të pëlqyeshme nga Perëndia. Kjo garantohet kur jeta shpirtërore është në Krishtin dhe Kishën. Por, ashtu si ka thënë Shën Joan Gojarti, edhe martesat pagane janë të shenjta dhe të pastra kur dashuria e vërtetë është e pranishme dhe çiftet i janë dhënë njëri-tjetrit përjetësisht, me një besnikëri të pafundme dhe me përkushtim të ndërsjelltë. Sepse, atje ku është e pranishme një dashuri e tillë, atje është i pranishëm Perëndia.