Kisha
Jeta e re dhe e bollshme, dhënë njeriut nga Perëndia nëpërmjet Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë në krijimin dhe shpëtimin, është jeta e Kishës së Krishterë. Jeta e Kishës është jeta e dëshiruar fillimisht për njeriun dhe botën e tij nga Perëndia. Ajo është jeta e Vetë Perëndisë e dhënë fillimisht në krijimin. Ajo është jeta shpirtërore. Nuk duhet menduar jeta shpirtërore e Kishës si një lloj i veçantë i “jetës fetare”, e ndryshme nga vetë jeta që ne kemi marrë në krijimin tonë prej Perëndisë. Nuk ka “dy jetë”, një “natyrale” dhe një “fetare”. Por ka vetëm një jetë që është reale, e pastër dhe e vërtetë. Ajo është jeta me Perëndinë, jeta e Kishës. Çdo jetë tjetër nuk është aspak jetë: ajo është rruga e vdekjes.
Ajo që e bën të ndryshme jetën e Kishës nga jeta e “kësaj bote”, e quajtur, gjithashtu, jeta “sipas mishit”, është vetëm mëkati dhe e keqja. Çdo gjë pozitive është jetë e krijuar, të cilën Perëndia e ka quajtur “të mirë . . . shumë të mirë”, është ajo që është shpëtuar dhe shenjtëruar në jetën e Kishës. Vetëm fallsiteti dhe ligësia përjashtohen – sigurisht jo vetë krijimi. Në traditën orthodhokse, Kisha është quajtur Mbretëria e Perëndisë në tokë, “rikrijimi i botës” (Shën Grigori i Nisës, shek. 4, Mbi Kantikët). Në Dhiatën e Re është quajtur, gjithashtu “krijimi i ri” (2 Korinthianët 5:17), Trupi dhe Nusja e Vetë Krishtit (Romanët 12:5; 1 Korinthianët 12:27; Efesianët 5:23 e vazhdim; Zbulesa 21:1 e vazhdim).
. . . Perëndia vuri çdo gjë nën këmbët e Krishtit, edhe e bëri Atë kreun përmbi çdo gjë kishës, e cila është trupi i tij, plotësia e atij që mbush çdo gjë në të gjithë (Efesianët 1:22-23). Apostull Pavli i referohet, gjithashtu “shtëpisë së Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës” (1 Timotheu 3:15). Jeta e vërtetë dhe reale në përsosje dhe begati, gjendet vetëm në Kishën e Krishtit. Njerëzit që nuk janë zyrtarisht në Kishë, po jetojnë me të vërtetë vetëm përsa ata ndjekin ligjin e Perëndisë “të shkruar në zemrat e tyre” nga Shpirti i Perëndisë në krijimin (Romanët 1:12-16), që është i njëjti ligj i zbuluar qartësisht dhe i dhënë në Krishtin dhe Kishën. Dhe ata njerëz që janë zyrtarisht anëtarë të Kishës, po jetojnë me të vërtetë, vetëm përsa ata po e jetojnë aktualisht jetën e Kishës. Sepse ekziston fakti i trishtuar që dikush mund të jetë zyrtarisht anëtar i Kishës dhe të jetojë ende sipas ligjit të mishit, ligjit të mëkatit dhe vdekjes dhe jo sipas atij të Krishtit. Prandaj, jeta shpirtërore, qëndron në përjetimin aktual të jetës së Kishës.