Fjala e Perëndisë
Shkrimi i Shenjtë është quajtur Fjala e Perëndisë e shkruar. Kjo nuk do të thotë që Shkrimi i Shenjtë ra nga qielli i bërë gati. As do të thotë se Perëndia e diktoi atë fjalë për fjalë tek njerëzit, të cilët ishin thjesht instrumente pasivë të Tij. Por do të thotë se Perëndia e ka zbuluar Vetveten si Perëndi i gjallë dhe i vërtetë te Populli i Tij, dhe si një aspekt i vetë-zbulesës së Tij hyjnore, Perëndia e frymëzoi Popullin e tij të shkruaj shkrimin, që përbën shprehjen e vërtetë dhe të pastër të së Vërtetës së Tij dhe të Vullnetit të Tij për popullin e tij dhe për të gjithë botën.Fjalët e Shkrimit të Shenjtë janë fjalë njerëzore, sepse, me të vërtetë, të gjitha fjalët janë njerëzore. Ato janë fjalë njerëzore, të cilat vetë Perëndia i frymëzoi të shkruheshin që të mbeteshin si dëshmi e shkruar e Vetë Atij. Si fjalë njerëzore, fjalët e Shkrimit përmbajnë të gjitha gjurmët e njerëzve që i shkruan ato të kulturës së tyre, si dhe të kohës në të cilën u shkruan. Megjithatë, në integritetin e plotë të gjendjes dhe formës së tyre njerëzore, fjalët e Shkrimit të Shenjtë janë me të vërtetë Fjala e Perëndisë.
Shkrimi i Shenjtë është me të vërtetë Fjala e Perëndisë në formë njerëzore, sepse origjina e tij nuk është në njeriun, por në Perëndinë, i Cili e donte dhe e frymëzoi krijimin e tij. Në këtë kuptim, Shkrimi i Shenjtë (Bibla) nuk është si librat e tjerë. Në Biblën, në dhe nëpër fjalët e njerëzve, gjendet vetë-zbulesa e Perëndisë dhe mund të arrihet në një njohje të vërtetë të Tij dhe të vullnetit dhe qëllimit të Tij për njeriun dhe botën. Në Bibël dhe nëpërmjet Biblës, personat njerëzor mund të hyjnë në kungim me Perëndinë. I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë (2 Timotheut 3:16-17).
Kisha Orthodhokse beson që Shkrimi i Shenjtë, si Fjala e Perëndisë e frymëzuar hyjnishmërisht në fjalët e njerëzve nuk përmban gabime dhe as kundërshtime të brendshme në lidhje me raportin ndërmjet Perëndisë dhe botës. Mund të ketë në Bibël ndonjë pasaktësi rastësore të një karakteri jo-thelbësor. Por spiritualiteti i përjetshëm dhe mesazhi doktrinor i Perëndisë, i paraqitur në Bibël, në mënyra të ndryshme, mbetet përsosmërisht i pandryshueshëm, autentik dhe i vërtetë.