Të përndjekur për hir të Drejtësisë
“Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim” (Matheu 5:10-11). Duke thënë këto fjalë, Krishti premtoi se ata që do të shkojnë pas Atij do të përndiqen me siguri. Kjo është një profeci qendrore e Ungjillit dhe një kusht thelbësor i atyre që e pranojnë atë. Kujtoni fjalën që ju thashë: “Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti”. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse kanë ruajtur fjalën time, do të ruajnë edhe tuajën. Të gjitha këto gjëra do t’jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar (Joani 15:20-21).
Të krishterët e vërtetë do të persekutohen gjithmonë për hir të Krishtit. Ata do të persekutohen me Krishtin dhe si Krishti, për të vërtetën që ata thonë dhe për të mirën që ata bëjnë. Persekutimet nuk mund të jenë gjithmonë fizike, por ato do të jenë gjithmonë shpirtërore dhe psikologjike. Ato do të jenë gjithmonë të paarsyeshme, të padrejta, të dhunshme dhe “pa shkak” (Psalmi 69:4, Joani 15:25). Ato do të jenë gjithmonë të dhimshme dhe shkaku i shumë vuajtjeve. Sepse “të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jisu do të përndiqen” (2 Timotheu 3:12).Një person që futet në jetën shpirtërore duhet të presë përndjekje dhe shpifje. Megjithatë, ai duhet të jetë vigjilent ndaj ndonjë kompleksi të rremë persekutimi dhe duhet të jetë absolutisht i sigurtë se vuajtja që ai has është vetëm “për hir të drejtësisë” dhe jo për shkak të dobësisë dhe mëkateve të tij. Shkrimet apostolike bëjnë këtë paralajmërim të qartë:
Sepse është gjë e lavdërueshme, nëse dikush, për ndërgjegje ndaj Perëndisë, duron shtrëngime duke vuajtur padrejtësisht. Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin, sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë. Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij. Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju; nga ana e tyre ai blasfemohet, kurse nga ana juaj ai përlëvdohet. Por asnjë nga ju le të mos vuajë si vrasës ose vjedhës, ose keqbërës, o sepse përzihet në punët e të tjerëve. Por, nëse dikush vuan si i krishterë, le të mos ketë turp, por le të përlëvdojë Perëndinë për këtë (1 Pjetri. 2:19-21, 4:14-16).
Vuajtjet e të krishterëve duhet të pranohen me gëzim, me mëshirë dhe dashuri ndaj atyre që i shkaktojnë ato. Këtu përsëri është shembulli i Zotit, si edhe i profetëve, apostujve, martirëve dhe shenjtorëve të Tij. Ashtu si Krishti tha: “Atë, fali ata . . .” (Lluka 23:34), ndërsa po e varnin në kryq; dhe ashtu si u lut martiri i parë Stefan: “Zot, të paktën mos ua zër për faj këtë” (Veprat 7:60), ndërsa po e vrisinin me gurë, kështu të gjithë ata që ndjekin drejtësinë e Perëndisë duhet t’i falin fajtorët e tyre “prej zemrave të tyre” (Kr. Matheu 18:35).
Por unë po ju them juve që më dëgjoni: T’i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë. Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën . . . Por ju t’i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mos-mirënjohësit dhe të mbrapshtët. Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur. Jepni dhe do t’ju jepet . . . (Lluka 6:27-38). Falja bujare dhe e dashur e të persekutuarit për persekutuesin është një kusht thelbësor për jetën shpirtërore. Pa atë, e gjithë vujatja “për hir të drejtësisë” është e kotë dhe nuk të çon në Mbretërinë e Qiellit.