Psalmet
Psalmet janë këngë të popullit të Izraelit të frymëzuara hyjnishmërisht. Tradicionalisht ato quhen ‘psalme të Davidit’, ndonëse, sigurisht, shumë prej tyre vijnë nga autorë të mëvonshëm. Numërimi dhe fjalëzimi i psalmeve ndryshon në tradita të ndryshme shkrimore. Kisha Orthodhokse ndjek versionin e psaltirit të Septuagjintës, dhe, për këtë arsye, numri dhe, jo rrallë edhe teksti i disa psalmeve, janë të ndryshëm në librat e shërbesave orthodhokse prej atyre që janë në Biblat e përkthyera nga hebraishtja. Në Kishën Orthodhokse, i gjithë Psaltiri ndahet në njëzet seksione dhe këndohet çdo javë në ato manastire edhe kisha që e kryejnë të gjithë shërbesën liturgjike. Psalme të ndryshëm dhe vargje psalmesh përdoren në të gjitha shërbesat e Kishës Orthodhokse (Shih Vëllimin II, Adhurimi).
Praktikisht, të gjitha gjendjet e shpirtit të njeriut para Perëndisë shprehen tek psalmet: lavdërimi, falënderimi, bekimi, gëzimi, kërkesa, pendimi, vajtimi, pyetja dhe, madje edhe ankimi. Shumë nga psalmet përqendrohen në ritualet kultike të tempullit të Jerusalemit dhe të mbretërimit Davidik. Të tjerë tregojnë veprat shpëtimtare të Perëndisë në historinë e Izraelit. Akoma të tjerë mbartin thirrjet profetike rreth ngjarjeve që do të vijnë, veçanërisht ato për kohën mesianike. Kështu, për shembull, ne kemi Krishtin të citojë Psalmin 8 në lidhje me hyrjen e Tij triumfuese në Jerusalem; Psalmin 110 në lidhje me hyjninë e tij të mistershme dhe Psalmin 22, kur, i varur në kryq, Ai thërret me fjalët e psalmit në të cilin përshkruhet kryqëzimi i Tij dhe shpëtimi i Tij përfundimtar i botës (Shih Mattheu 21:16, 22:44, 27:46).
Në Kishën Orthodhokse të gjithë psalmet shihen që të kenë kuptimin e tyre më të thellë dhe kuptimin e vërtetë shpirtëror në pikëpamjen e Krishtit dhe të misionit të Tij të shpëtimit të përjetshëm. Kështu, për shembull, psalmet të cilët i referohen mbretit, këndohen në Kishë në lidhje me lartësimin dhe lavdërimin e Krishtit në të djathtë të Perëndisë. Psalmi, i cili i referohet çlirimit të Izraelit këndohet në Kishë në lidhje me çlirimin e gjithë botës nga Krishti. Psalmet që thërrasin për fitore në betejë mbi armiqtë, i referohen të vetmit Armik real, djallit dhe të gjithë veprave të tij të këqia, që Krishti erdhi t’i shkatërrojë. Babilonia tregon kështu mbretërinë e Satanit, dhe Jerusalemi, Mbretërinë e përjetshme të Perëndisë. Psalmet, të cilët vajtojnë vuajtjen e pafajshme të të drejtëve, këndohen si lutje e Zotit Vetë dhe e gjithë atyre që janë me Atë, të cilët janë “të varfër e nevojtarë”, që do të ngrihen e të sundojnë dheun ditën e gjyqit të tmerrshëm të Perëndisë. Kështu, psaltiri mbetet përgjithmonë si libër i adhurimit dhe i këngëve lutje, të frymëzuara hyjnishmërisht, për të gjithë Popullin e Perëndisë, dhe, kryesisht, për ata që i përkasin Mesias, fjalët e të cilëve, psalmet, janë në rëndësinë e tyre më hyjnore dhe më të thellë.
Ndarja Liturgjike e Psaltirit
(Kathizmat ose Ndenjësoret)*
I. Psalmet 1-8 XI. Psalmet 78-85
II. Psalmet 9-17 XII. Psalmet 86-91
III. Psalmet 18-24 XIII. Psalmet 92-101
IV. Psalmet 25-32 XIV. Psalmet 102-105
V. Psalmet 33-37 XV. Psalmet 106-109
VI. Psalmet 38-46 XVI. Psalmet 110-118
VII. Psalmet 47-55 XVII. Psalmi 119
VIII. Psalmet 56-64 XVIII. Psalmet 120-134
IX. Psalmet 65-70 XIX. Psalmet 135-143
X. Psalmet 71-77 XX. Psalmet 144-150
____________________
*Numrat e psalmeve të paraqitur janë sipas versionit të Hebraishtes