Mbretëria e Qiejve
Kur Krishti do të vijë me lavdi në fund të kohëve dhe Perëndia do të jetë e gjitha në të gjitha, atëherë do të vijnë një qiell i ri dhe një tokë e re, e paratreguar nga profeti Isaia dhe e përshkruar në librin e Zbulesës (kr. Isaia 65:17-66:24).
Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më. Dhe unë, Joani, pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe Ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan”.
Dhe Ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja”. Dhe më tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike”. Edhe më tha: “U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës. Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir. Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë” (Zbulesa 21:1-8).
Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë (Zbulesa 22:12).
Të fitosh “trashëgiminë” e Jerusalemit të Ri, ky është kuptimi i tërë jetës, i vetmi qëllim i njeriut të krijuar nga Perëndia. “Ai që do të fitojë do ta ketë këtë trashëgim.” Dhe ashtu si Shën Pavli ka thënë thjesht: “Ne jemi më shumë fitimtarë për hir të Atij që na deshi” (Romanët 8:37).
Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jisu Krishtin, Zotin tonë (Romanët 8:38-39).
Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jisu Krisht, nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë, që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë (Efesianët 3:14-19).
Të jesh “i mbushur me tërë plotësinë e Perëndisë” – kjo dhe vetëm kjo është spiritualiteti Orthodhoks.