Interpretimi

    Bibla është libri i shkrimeve të shenjta për Popullin e Perëndisë, Kishën. U bë në Kishë nga Kisha dhe për Kishën, nën frymëzimin hyjnor si një pjesë thelbësore e realitetit tërësor të marrëdhënies së besëlidhjes (dhiatës) së Perëndisë me Popullin e Tij. Ajo është Fjala autentike e Perëndisë për ata që i përkasin bashkësisë së zgjedhur të besimtarëve të Perëndisë, të Izraelit të vjetër dhe të Kishës së Krishtit sot dhe përgjithmonë. Bibla jeton në Kishë. Bëhet e gjallë në Kishë dhe ka kuptimin më të thellë hyjnor për ata që janë anëtarë të komunitetit që ka themeluar Perëndia, në të cilin Ai banon, dhe të cilit nëpërmjet Fjalës së tij dhe Shpirtit të Tij, i ka dhënë Vetveten për pjesëmarrje, kungim dhe jetë të pasosur. Jashtë jetës totale dhe përvojës së komunitetit të besimit, që është Kisha e Krishtit, “shtylla dhe mbështetja e së vërtetës” (1 Timotheut 3:15), asnjë nuk mund ta kuptojë vërtetësisht dhe ta interpretojë saktësisht Biblën. Duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimit të veçantë, sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njerëzve, por njerëzit e shenjtë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë (2 Pjetrit 1:20).

    Studiuesit e Biblës mund t’i ndihmojnë njerëzit që të kuptojnë përmbajtjen dhe kuptimin e saj hyjnor. Me anë të studimeve të tyre arkeologjike, historike dhe letrare ata mund të hedhin shumë dritë në fjalët e shkrimeve. Por vetëm prej vetes dhe punës së tij akademike, asnjë njeri nuk mund të arrijë interpretimin e duhur të Biblës. Vetëm Krishti –  Fjala e gjallë dhe personale e Perëndisë, që vjen nga Ati dhe banon në Kishën e Tij, me anë të Shpirtit të Shenjtë, mund ta bëjë të njohur Perëndinë dhe mund të japë kuptimin e drejtë të Fjalës së shkruar të Perëndisë. Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte më Perëndinë, edhe fjala ishte Perëndi…  Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne…  plot hir dhe të vërtetë…  Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jisu Krishtit. Asndonjë kurrë s’e ka parë Perëndinë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur (Joani 1:1-18).

    Vetëm Jisu Krishti, Fjala e Perëndisë në mish njerëzor, e bën të njohur Perëndinë. Dhe Jisui, përveçse është Vetë mishërimi i gjallë i Perëndisë, përmbushja e gjallë e ligjit dhe e profetëve (Mattheu 5:17), është, gjithashtu, i Vetmi me anë të cilit Bibla interpretohet drejt. Dhe (mbasi ishte ngjallur prej së vdekurësh) ai u tha atyre, “O të marrë dhe të mënuar në zemër për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët. A nuk duhej që Krishti të pësonte këto edhe të hynte në lavdinë e tij?” Dhe duke filluar nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij (Lluka 24:25-27). Pastaj u tha atyre: “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju, se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet”. Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet…  (Lluka 24:44-45; gjithashtuJoani 5:45-47).

    Jisu Krishti mbetet përgjithmonë në Kishën e Tij, me anë të Shpirtit të Shenjtë, për të hapur mendjen e njerëzve që të kuptojnë Biblën (Joani 14:26, 16:13). Vetëm brenda Kishës së Krishtit, në bashkësinë e besimit, të hirit dhe të vërtetës, njerëzit e mbushur me Shpirtin e Shenjtë mund të kuptojnë thelbin dhe qëllimin e fjalëve të shenjta të Biblës. Kështu, duke folur rreth atyre që nuk besojnë në Jisuin si Mesia, apostull Pavli thotë se kur ata e lexojnë Biblën një “vel” e fsheh kuptimin e saj të vërtetë prej tyre “sepse vetëm me anë të Krishtit anulohet veli” (2 Korinthianët 3:14). Por deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel mbetet mbi zemrat e tyre. Por kur të kthehet te Zoti, veli do të hiqet. Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria. Dhe ne të gjithë (d.m.th. besimtarët në Krishtin), duke soditur faqezbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit. Prandaj… kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë. Dhe në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin, të cilëve Perëndia e kësaj jete ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata (2 Korinthianët 3:15-4:4).

    Në Dhiatën e Re, Krishti, jo vetëm siguron interpretimin e saktë të Biblës, por Ai gjithashtu i lejon vetë besimtarët të ndriçohen drejtpërsëdrejti prej Shpirtit të Shenjtë dhe të bëhen ata vetë “letër e Krishtit… e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi.” (2Korinthianët 3:3).Kështu u përmbush parathënia e Dhiatës së Vjetër se në kohën e Mesias “ata do tëjenë të mësuar nga Perëndia” nëpërmjet mësimit dhe frymëzimit hyjnor të drejtpërdrejtë (Joani 6:45; Isaia 54:13; Ezekieli 36:26; Jeremia 31:31; Joeli 2:28; Mikea 4:2 e të tjerë). Vetëm brenda Traditës së gjallë të Kishës, nën frymëzimin e drejtpërdrejtë të Frymës së Krishtit, mund të bëhet interpretimi i saktë i Shkrimit të Shenjtë (Shih Vëllimi I, Doktrina, Kapitulli 1).