Gëzohuni dhe ngazëllohuni
Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej. . .” (Matheu 5:11). Gëzimi është një element bazë i jetës shpirtërore dhe është një nga “frytet e Shpirtit të Shenjtë”(Galatianët5:22). Nuk ka spiritualitet të vërtetë pa gëzim. Qysh prej faqeve të para të Ungjillit dhe deri në fund të tij, apostujt e Krishtit, me Marinë, nënën e Tij dhe me të gjithë të krishterët, po gëzohen vazhdimisht për shpëtimin që Jisui ka dhënë. “Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi. Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë” (Joani 15:8-11). “. . . zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t’ua heqë gëzimin tuaj . . . kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë” (Joani 16:22-24).
Gëzimi i krishterë nuk është një lumturi tokësore, kënaqësi apo qejf. Por është “gëzimi në besim” (Romanët 15:13). Është gëzimi i njohjes së lirisë të së vërtetës në dashurinë e Perëndisë (Kr. Joani 8:32). Është gëzimi i bërjes së denjë për të “qenë pjesëtarë të mundimeve të Krishtit” (1 Pjetri. 4:13). Me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jisu Krishtit prej së vdekurish, për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju, që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’uzbuluar në kohët e fundit. Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet, për pak kohë, tani duhet të trishtoheni nga prova të ndryshme, që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jisu Krishtit, të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megjithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme (1 Pjetri. 1:3-8).
Gëzimi shpirtëror shkon së bashku me vuajtjen shpirtërore. Është gabim të mendosh se gëzimi vjen vetëm në fund kur vuajtja ka mbaruar. Gëzimi në Krishtin shkon së bashku me vuajtjen në Krishtin. Ato bashkekzistojnë dhe janë të ndërvarura në njëra-tjetrën për fuqinë dhe forcën e tyre. Ashtu si vajtimi i bekuar mbi mëkatet është vajtimi që vjen me gëzimin e shpëtimit, po ashtu edhe vuajtja në mish, në këtë botë, është përputhje me – dhe në një kuptim real shkaktohet nga – gëzimi i pashprehur i shpëtimit. Kështu Shën Jakovi mund të thotë se të krishterët duhet “ta konsiderojnë një gëzim të madh” kur ata “ndodhen përballë sprovash nga më të ndryshmet”, duke e ditur se “efekti i plotë” i besimit të tyre të qëndrueshëm është se ata mund të bëhen “të përsosur dhe të plotë, pa asnjë tëmetë” (Jakovi 1:2-4). Dhe kjo është edhe bindja e patundur e Shën Pavlit.
. . . mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë (Romanët 5:2-5). Është gëzimi shpirtëror i të krishterëve, gëzimi i martirëve, që më shumë se gjithçka tjetër, është dëshmia e pamposhtur e të vërtetës së besimit të krishterë dhe vërtetësisë së jetës shpirtërore të krishterë.