Krijimi

  Krijues i Qiellit dhe i Dheut

     Kisha Orthodhokse beson se Perëndia Atë, është “Krijues i qiellit dhe i dheut dhe të gjithë të dukurave dhe të padukurave”. Të krijosh, do të thotë të bësh nga hiçi; të sjellësh në ekzistencë atë që nuk ekzistonte më parë; ose duke cituar Meshën e Shën Joan Gojartit “nga e mosqena në të qenët na solle”.  Doktrina orthodhokse e krijimit thotë që Perëndia ka krijuar nga hiçi çdo gjë që ekziston. Në Shkrimin e Shenjtë

    krijimi tregohet në kapitullin e parë të Gjenezës. Pika doktrinore kryesore rreth krijimit është, që vetëm Perëndia është i pakrijuar dhe ka ekzistuar përherë. Çdo gjë tjetër përveç Perëndisë është krijuar nga Ai. Megjithatë, Perëndia nuk krijoi gjithçka në mënyrë individuale dhe në të njëjtën kohë. Në fillim Ai krijoi bazat e ekzistencës dhe pastaj në periudha kohe (ndoshta miliona vjet – shih 2 Pietri 3:8) kjo bazë e parë ekzistence – me anë të fuqisë që Perëndia i kishte dhënë – prodhoi krijesat e tjera të Perëndisë: “Le të prodhojë toka bimë… le të prodhojnë ujrat qenie të gjalla… le të prodhojë toka qenie të gjalla, sipas llojeve të tyre…” (Gjeneza 1:11,20,24).

    Kështu, ndonëse Perëndia është padyshim krijuesi i gjithçkaje, Ai vepron gradualisht në kohë dhe me anë të gjërave të bëra më parë prej Tij, të cilave u kishte dhënë fuqi dhe mundësi jetëprodhuese. Sipas Besimit Orthodhoks, gjithçka që Perëndia bën është “shumë e mirë”: qiejtë, toka, bimët, kafshët, dhe së fundi vetë njeriu (Gjeneza 1:31). Perëndia është i kënaqur me krijimin dhe e bëri atë jo për tjetër qëllim, por vetëm që ai të marrë pjesë në Hyjninë e Tij, në ekzistencën e pakrijuar dhe të jetojë prej “frymës së jetës” së Tij (Gjeneza 1:30; 2:7).

 

Nga Fjala e Perëndisë 
Qiejtë u bënë,
dhe tërë ushtritë e tyre
nga fryma e gojës së Tij.
Ai mblodhi ujrat në një tog ;
Dhe i vuri thellësitë e tyre
të mëdha si rezervuare.
Le të trembet dheu nga Perëndia,
dhe tërë banorët e dheut,
të qëndrojnë me frikë para Tij!
Sepse Ai foli dhe u bë!
Ai urdhëroi dhe u krijua!

(Psalmi 33:6-9).

   

     Në vargjet e cituara më sipër, si dhe në tregimin e Gjenezës, ne duhet të vemë re praninë dhe veprimin e Fjalës së Perëndisë dhe Shpirtit të Perëndisë. Perëndia Atë bën gjithçka që ekziston me anë të Fjalës së Tij Hyjnore – “Sepse Ai foli dhe u bë” – dhe me anë të Shpirtit të Tij të Shenjtë, që “vërtitej në faqen e ujërave” (Gjeneza 1:2). Ne shohim që këtu një shkëndijë të Trinisë së Shenjtë, që do zbulohej plotësisht në Dhiatën e Re, kur Fjala u bë mish dhe kur Shpirti i Shenjtë erdhi personalisht tek nxënësit e Jisuit ditën e Rushajeve (Pentikostisë).

    Gjithashtu, duhet të vemë re mirë mirësinë e botës fizike të krijuar. Nuk ka dualizëm në Krishtërimin Orthodhoks. Nuk ka doktrinë në Orthodhoksi që të mësojë se “shpirti” është i mirë dhe “materia” e keqe, që “qielli” është i mirë dhe “toka” e keqe. Perëndia e do tërë krijimin e Tij material me dashurinë e Tij të përjetshme, si do të shohim, që kur krijimi fizik u prish nga mëkati, Ai bën gjithçka për ta shpëtuar atë.

    Duke dashur të tërë krijimin e Tij të mirë, Perëndia Atë banon në botën që Ai ka bërë, për shkak të mirësisë dhe dashurisë së Tij për njeriun. Omniprezenca (kudoprania) e Perëndisë është një nga atributet hyjnore të Krijuesit, që veçanërisht theksohet  në mësimin e krishterë orthodhoks. Ky fakt pohohet direkt në lutjen drejtuar Shpirtit të Perëndisë, që është lutja që hap adhurimin orthodhoks: O Mbret Qiellor, Ngushëllimtar, Shpirti i së vërtetës, që ndodhesh kudo dhe i mbush të gjitha, thesari i të mirave dhe dhurues jete; eja qëndro ndër ne dhe pastrona nga çdo njollë dhe shpëto, o i Mirë, shpirtrat tanë.

    Fakti që të krishterët luten: Ati ynë që je në qiejt…, është gjithashtu pohimi i faktit që Perëndia është i pranishëm kudo, sepse kudo që të lëvizin njerëzit mbi faqen e dheut, mbi dete apo në ajër, qiejt do t’i rrethojnë ata me praninë e Perëndisë. Zoti Jisu Krisht, me qëllim që njerëzit të kuptonin se Perëndia i vërtetë, Ati i Tij, nuk është lidhur me një apo tjetër vend, siç ishin perënditë pagane, i mësoi njerëzit t’i luten Atit “në qiejt”. Sepse Perëndia i gjallë dhe i vërtetë është i pranishëm tek të gjithë dhe mbi të gjithë, duke i përfshirë dhe mbështjellë të gjitha me kujdesin dhe mbrojtjen e Tij qiellore. Perëndia, që është “mbi të gjithë”, është gjithashtu “me anë të të gjithëve edhe ndër gjithë ju” (Efesianët 4:6). Me anë të Fjalës së Tij dhe Shpirtit të Tij të Shenjtë, Perëndia “i mbush të gjitha në të gjitha” (Efesianët 1:10,23). Kështu, Apostulli Pavël deklaron tek athinasit, ndonëse njerëzit mund ta kuptojnë apo jo “me anë të Tij rrojmë, edhe lëvizim, edhe jemi”, sepse “Ai nuk është larg prej cilitdo prej nesh” (Veprat 17:27-28). Omniprezenca e Perëndisë është shprehur kaq bukur në Psalmin 139:

    “Ku do të mund të shkoja larg Frymës Tënde, apo ku do të mund të ikja larg pranisë Tënde? Nëse ngjitem në qiell, Ti je atje! Nëse shtroj shtratin tim në Sheol, Ti je atje! Nëse marr krahët e mëngjesit dhe banoj në thellësinë më të madhe të detit, edhe atje dora Jote do të më udhëheqë dhe dora Jote e djathtë do të më mbajë. Nëse unë them “Le të më mbulojë errësira dhe drita rreth meje le të bëhet natë”, madje edhe errësira nuk është e errët tek Ti, nata është më e ndritshme se dita; sepse errësira është si dritë në Ty!” (Psalmi 139:7-12).