Misteret
Pohoj një pagëzim për ndjesën e mëkateve.
Mënyra e hyrjes në Kishën e krishterë është me anë të Pagëzimit në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë (Mattheu 28:19, Ungjilli në shërbesën e Pagëzimit në Kishën Orthodhokse). Pagëzimi si fjalë, do të thotë zhytje në ujë.
Ai praktikohej në Dhiatën e Vjetër dhe madje edhe në disa fe pagane, si shenjë e vdekjes dhe e rilindjes. Kështu, Joan Pagëzori pagëzonte si shenjë për një jetë të re dhe pendim, që literalisht, do të thotë një ndryshim i mendjes, dhe kështu ndryshim i dëshirave dhe veprimeve, për t’u përgatitur për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë në Krishtin. Në Kishë, kuptimi i Pagëzimit është vdekja dhe rilindja në Krishtin. Ai është përvoja personale e Pashkës për çdo njeri, mundësia reale për të vdekur dhe për “të rilindur” (Joani 3:3).
“A nuk e dini, se sa u pagëzuam me Krishtin, më vdekjen e tij u pagëzuam. U varrosëm, pra, bashkë me anën e pagëzimit, për vdekjen; që siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me lavdin e Atit, ashtu edhe ne të ecim me jetë të re. Sepse, nëse u bëmë pjesëtarë në shembëllesën e vdekjes së tij, do të bëhemi pjesëtarë në ngjalljen e tij” (Romanët 6:3-5; Apostulli i Shërbesës së Pagëzimit, Shih gjithashtu Kolosianët 2:12; 3:1).
Eksperienca e pagëzimit është përvoja themelore e krishterë, është kushti fillestar për tërë jetën e krishterë. Çdo gjë në Kishë e ka origjinën dhe përmbajtjen në pagëzimin, sepse çdo gjë në Kishë buron dhe jeton prej ngjalljes së Krishtit. Kështu, pagëzimi pasohet nga “vula e Shpirtit të Shenjtë”, misteri i mirosjes i cili është eksperienca personale e Rushajeve (Pentekostisë).
Përmbushja dhe plotësimi i këtyre mistereve themelore të krishtera, është misteri i Kungimit Hyjnor me Perëndinë, në Meshën Hyjnore të Kishës. Vetëm personat që i janë zotuar Krishtit në Kishën Orthodhokse me anë të Pagëzimit dhe Mirosjes, mund të ofrojnë dhe të marrin Kungatën e Shenjtë në Kishën Orthodhokse. Kungata e Shenjtë është Kungimi Hyjnor. Si e tillë nuk është thjesht një “mjet shenjtërimi” për besimtarët e veçantë, nuk është një mjet me anë të të cilit persona privatë fitojnë “kungimin” me Perëndinë, sipas ndërgjegjeve, besimeve apo praktikave të tyre private. Kungimi është më tepër një veprim tërëpërfshirës i Kungimit Hyjnor të shumë personave, që kanë të njëjtin besim, të njëjtën shpresë, të njëjtin pagëzim. Ai është veprimi i përbashkët i shumë personave, që kanë një mendje, një zemër, një gojë, në shërbim të një Perëndie e Zoti, në një Krisht dhe në një Shpirt të Shenjtë.
Të marrësh pjesë në Kungimin Hyjnor në Kishën Orthodhokse do të thotë të identifikosh vetveten plotësisht me tërë anëtarët e besimit orthodhoks, të gjallë e të vdekur; dhe të identifikosh vetveten plotësisht me çdo aspekt të Kishës Orthodhokse: historinë e saj, sinodet, kanonet dhe dogmat. Kjo do të thotë “të marrësh mbi vetvete” përgjegjësinë direkte dhe konkrete për çdo njeri dhe çdo gjë që ka lidhje me traditën orthodhokse dhe të praktikosh përgjegjësinë për jetën e përditëshme të Kishës Orthodhokse.
Duke hyrë në “Kungimin Hyjnor” të Kishës Orthodhokse me anë të Pagëzimit dhe Mirosjes, personi jeton sipas jetës së Kishës në të gjitha mënyrat e mundshme.
Ai është para së gjithash besnik me doktrinën dhe disiplinën e Kishës, me anë të kungimit besnik me hierarkinë e Kishës, të cilët janë ata anëtarë të Trupit, që me anë të misterit të priftërisë janë përgjegjës për mësimin dhe praktikat e Kishës; imazhet e mistereve të identitetit të Kishës, në tërë vendet dhe kohërat.
Kur dikush hyn në bashkësinë e martesës, që sipas mësimit të Jisu Krishtit është një bashkim përgjithmonë i një burri dhe i një gruaje, ky bashkim shenjtërohet dhe bëhet i përjetshëm dhe hyjnor në misterin e Martesës në Kishë.
Kur dikush vuan apo është i sëmurë, ai “le të thërrasë priftërinjtë e Kishës” dhe “le të luten mbi atë dhe le ta lyejnë me vaj në emërin e Zotit” në misterin e Vajimit të Shenjtë (Efqelinë) (Shih Jakovi 5:14).
Kur ndonjëri mëkaton dhe largohet nga jeta e Kishës, ai kthehet në “Kungimin e Shenjtë” të komunitetit hyjnor, me anë të misterit të rrëfimit dhe pendesës.
Dhe kur dikush vdes, ai kthehet tek Krijuesi i tij në mes të Kishës, me lutjet e ndërmjetimet e vëllezërve dhe motrave besimtarë në Krishtin dhe në Shpirtin.
Kështu e tërë jeta e besimtarit është jetuar në tokë me Kishën, si një jetë e plotë dhe e re në Vetë Perëndinë. Kisha, e cila është prania mistike e Mbretërisë së Perëndisë, nuk është e kësaj bote (Shih kapitullin Adhurimi).
Pohimi i “një pagëzimi për ndjesën e mëkateve”, është kështu pohimi i rinimit total të jetës së dhënë njerëzve në Kishë, sepse Krishti është ngjallur. “Nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini ndër mend ato që janë lart, jo ato që janë në tokë. Sepse vdiqët, edhe jeta juaj është fshehur me Krishtin te Perëndia. Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju bashkë me atë do të shfaqeni me lavdi” (Kolosianët 3:1-4).
Kështu, në Kishë tërë jeta është ajo që fillon me rilindjen në pagëzim, jeta “e fshehur bashkë me Krishtin te Perëndia”. Tërë misteret e Kishës së Krishterë përmbahen në këtë jetë të re. Çdo gjë në Kishë vjen nga uji i pagëzimit: ndjesa e mëkateve dhe jeta e amëshuar.