Gjatë dekadës që pasoi, Kisha e Greqisë filloi të dëgjonte dhe t’i përgjigjej zërit të këtij parashikuesi të guximshëm. Në vitin 1968, Anastasi dhe stafi i “Porefthentes” ishin nismëtarët e parë të Zyrës për Misionet e Jashtme brenda “Apostoliki Dhiakonia” (“Shërbimi Apostolik”, një degë shërbimi e Kishës së Greqisë).   Themelimi i një organizate misionare të përhershme brenda Kishës zyrtare Orthodhokse në Greqi ishte guri i qoshes. Kisha e njohu punën e Anastasit, duke e ngritur në vitin 1972 si Episkop të Andrusës dhe duke e bërë drejtor të përgjithshëm të gjithë departamentit të Apostoliki Dhiakonisë. Nën udhëheqjen e Episkopit Anastas, ky komision i Kishës së Greqisë veproi si një trup i vetëm për të mbështetur të gjitha përpjekjet misionare të Kishës, si në Greqi ashtu dhe në botë.
   Bashkë me përgjegjësitë kishtare, Episkopi Anastas vazhdoi të jetë aktiv në nivelin akademik. Në vitin 1972 Universiteti i Athinës e zgjodhi atë si profesorin e saj të Historisë së Feve. Në Universitet, ai themeloi dhe drejtoi një qendër për studimet misionare gjatë viteve 1971-1975. Kjo qendër hapi rrugën për një tjetër pikë referimi, ku u ngrit një katedër për misiologjinë, në vitin 1976. Në këtë atmosferë akademike ai vazhdoi të shpallë thirrjen e tij të “zgjimit” për Kishën, duke sfiduar vetkënaqësinë e saj në shërbimin misionar: “Plogështi në fushën e misionit do të thotë, në analizën e fundit, mohim i Orthodhoksisë, një anë e errët e herezisë praktike të lokalizmit… Është e paimagjinueshme që ne të mendojmë për ”frymën orthodhokse” të një jete në Krishtin, t’i ngjasojmë Apostull Pavlit, themeluesit të Kishës së Greqisë, dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë të qëndrojmë të ngurtë përsa i përket misionit. Është e pakuptimtë të shkruash për jetën intensive shpirtërore të Ngjalljes së Zotit, kur ne jetojmë si dembelë dhe indiferentë ndaj thirrjes së misioneve ekumenike, me të cilën është ndërthurrur mesazhi i Ngjalljes”.
   Episkopi Anastas vazhdimisht u përpoq t’i edukonte besimtarët orthodhoksë të kuptonin plotësisht Besoren dhe të shpallnin se besonin në ”një Kishë, të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike”. Për Anastasin, të shpallje një besim të tillë, ndërsa qëndroje indiferent ndaj misionarizmit, ishte hipokrizi. Ai theksonte: “Vetëm atëherë kur kuptohet që misioni ekumenik mbarëbotëror gjen zbatim të rëndësishëm dhe parësor në një nga pjesët themelore të Simbolit të Besimit, gjë që është thelbësore për kuptimin orthodhoks mbi Kishën, dhe atëherë kur kuptohet se ai që quhet ”mision i huaj” nuk është çështje “e jashtme”, por nevojë e brendshme, një thirrje për pendim dhe një bashkim i yni me shpirtin e Ungjillit dhe traditën e Kishës sonë, vetëm atëherë do të kemi një fillim teologjik shpresëdhënës për atë që vjen më pas”.
   Misionarizmi në vende të tjera nuk është thjesht një degë autentike e jetës orthodhokse ose edhe e teologjisë orthodhokse, por është thelbi i kuptimit të vërtetë të Kishës.  Kur besimtarët orthodhoksë rrëfejnë: “Unë besoj në një Kishë…Apostolike”, kjo nuk do të thotë vetëm që prejardhja e saj ishte apostolike.  Më e rëndësishme është përfshirja në “pasjen e zjarrit dhe zellit apostolik për t’i predikuar Ungjillin çdo krijese” (shiko Ungjillin sipas Markut 16: 15), sepse ushqen anëtarët e saj, që ata të mund të bëhen: “dëshmimtarë në Jeruzalem dhe në Jude, në Samari dhe në të gjitha anët e dheut” (Veprat e Apostujve1: 8). Episkopi Anastas vazhdoi të sfidonte qëndrimin apatik të Kishës ndaj misionarizmit kur shkruante:
   “Ungjilli u drejtohet të gjithë njerëzve, prandaj dhe puna e Kishës mbetet e paplotë për aq kohë sa është e kufizuar në zona gjeografike ose klasa sociale. Fusha e veprimit të saj është universale dhe aktive në të dy grupet e njerëzve, të atyre që mirëpresin lajmin e mirë dhe të atyre që në fillim ndoshta e kundërshtojnë atë. Misioni nuk ishte vetëm detyra e brezit të parë të krishterë. Ajo është detyra e të gjithë të krishterëve të të gjitha kohërave. Dëshmia është shprehja e  jetës së Kishës po aq sa edhe burimi i ripërtëritjes dhe ripërtëritja e forcës… Gjithsecili duhet të japë ndihmën e vet dhe të marrë pjesë në të, si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe jo të drejtpërdrejtë.  Është një shprehje thelbësore e mënyrës orthodhokse të të menduarit”.
   Përveç ndikimit në botën akademike në Greqi dhe jashtë saj, Episkopi Anastas pati një ndikim edhe në shumë zona të tjera në Kishë. Në vitin 1972, ai punoi bashkë me at Andon Romeos dhe ngriti një manastir murge-shash, puna e të cilit do të përqendrohej tek misioni jashtë vendit. Ky ishte manastiri i Shën Joan Pararendësit, në Kareas të Greqisë. Episkopi Anastas ndihmoi që t’i drejtonte këto vajza të bëheshin një bashkësi, që do të merrte pjesë në mënyrë aktive në punën misionare nëpër botë. Aty pranoheshin vajza nga vende të ndryshme të botës, që të bashkoheshin me motrat dhe të mësonin për jetën murgjërore, me qëllim që të merrnin me vete këtë mënyrë jete murgjërore kur të ktheheshin në vendet e tyre.