Kuptimi i rëndësisë së misionit të jashtëm të Kishës e mbushi zemrën e Anastasit. Pas dorëzimit të tij në dhjak, në vitin 1960, ai themeloi një qendër misionare ndërorthodhokse “Porefthentes” (Shkoni). Qëllimi i kësaj qendre ishte të edukonte Kishën në fushën e misionit, si dhe të nxiste dhe të dërgonte misionarë nëpër botë.
Vetë Anastasi po mendonte të bëhej misionar në një vend të huaj. Menjëherë pas dorëzimit të tij në prift, në 24 maj 1964, ai u nis për në Afrikën Lindore dhe kreu liturgjinë e parë në Uganda. Pak pas mbërritjes, prifti i ri u sëmur nga malarja dhe u kthye në Greqi. Pavarësisht nga rekomandimi i mjekut për të mos shkuar në Afrikë, ai nuk e humbi guximin për t’u kthyer. Ai e kuptoi më mirë se kurrë rëndësinë e ngritjes së ndërgjegjes misionare në Kishë dhe kërkoi mënyra të reja për të përmbushur Urdhërimin e Madh të Krishtit. Duke ndjekur këshillën e njërit prej profesorëve të tij, Anastasi, vendosi se mënyra më e mirë për të pasur ndikim në Kishë ishte duke dhënë një ndihmesë domethënëse në botën akademike. Ai besonte se edhe nëse nuk mundej që të punonte drejtpërdrejt në fushën e misionit, përsëri mund të përpiqej të hapte rrugën për të tjerët. Ai vendosi të bënte studime të tjera në misiologji dhe në historinë e feve.
Në vitet 1956-1969, Anastasi studioi Historinë e Feve në Universitetin e Hamburgut dhe Marburgut, në Gjermaninë Perëndimore, duke i vënë më shumë theksin ”Pluralizmit fetar dhe Kishës Orthodhokse”. Puna e tij u përqendrua në historinë e përgjithshme të feve, në fetë afrikane, misiologji dhe etnologji. Ai shkoi në Universitetin e Makererës, në Kampala të Ugandës, për të bërë kërkime të drejtpërdrejta dhe për të mbledhur materiale për tezën e doktoraturës së tij: ”Shpirti Mbandua dhe kuptimi i kulteve të tyre. Një kërkim i pikëpamjeve të fesë afrikane”. Mbi të gjitha, ai dëshironte të vendoste bazat e një proçesi të tërë të një studimi serioz të misionit në Kishën Orthodhokse. Nëpërmjet këtij studimi, ai kërkoi përkrahje për tezën e tij fillestare, sipas së cilës është e pamundur që të jesh orthodhoks i vërtetë pa treguar interesim për misionin.
Bashkë me studimet e tij, Anastasi mori pjesë aktive në lëvizjen Ekumenike mbarëbotërore. Duke qenë pjesëmarrës në Komisionin e Misionit Botëror dhe Ungjëllizimit (KMBU) të Këshillit Botëror të Kishave (KBK), misiologu i ri kuptoi se mund të mësonte nga traditat e tjera të krishtera, si dhe t’u prezantonte anëtarëve të këtyre traditave trashëgiminë e pasur misionare të Kishës Orthodhokse. Në vitin 1963, Anastasi u bë anëtari më i ri i KMBU–së në konferencën e Mexico City. Ai vazhdoi të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këtë mjedis ekumenik, dhe së fundi shërbeu si President Koordinues në vitet 1984-1991. Ai u bë misiologu i parë orthodhoks që pati një pozitë të tillë udhëheqëse.