Anastas Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në një familje besimtarësh orthodhoksë në Greqi. Ai u rrit me besim dhe gjatë viteve të formimit merrte pjesë në mënyrë aktive në Kishë. Në fillim atij i pëlqente matematika dhe gjatë viteve të adoleshencës ai dëshironte të vazhdonte studimet në këtë shkencë. Idetë e tij ndryshuan me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Gjatë viteve të luftës, Anastasi filloi të përjetonte besimin e tij në një mënyrë më personale. Ai ishte dëshmitar i shumë vuajtjeve dhe shkatërrimeve të luftës. Brenda kaosit mundi të gjente kuptim vetëm duke gërmuar thellë në besimin e tij. Që bota dhe vendi i tij të shpëtonte nga të këqijat e luftës si dhe nga pasojat e luftës civile në Greqi, Anastasi kuptoi nevojën urgjente për një mesazh paqeje të brendëshme, paqeje që vjen nëpërmjet Jisu Krishtit. Kjo përvojë e drejtoi Anastasin që të braktiste dëshirat e tij për fushat e tjera të studimit dhe të ndiqte teologjinë. Kaq drithëruese ishte kjo dëshirë sa që ai thonte: ”Për mua nuk mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, duhej t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qënia ime të jetonte në Krishtin”. Prandaj në vitin 1947, ai filloi Fakultetin Teologjik në Universitetin e Athinës, ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1951.
Pas shërbimit ushtarak, Anastasi u bashkua me vëllazërinë “ZOI” (JETA), një organizatë fetare e përqendruar në rilindjen shpirtërore të Kishës në Greqi. Përgjegjësitë që kishte ai përfshinin misionin për të rinjtë e vendit të tij. Ai u bë udhëheqës i lëvizjeve studentore, kampeve të adoleshentëve dhe luftoi ta bënte besimin orthodhoks të vërtetë dhe të prekshëm për të rinjtë që kishte pranë. Nëpërmjet këtyre përvojave, Anastasi zbuloi ndikimin që patën këto programe mbi Kishën në një shkallë të gjerë. Ai kuptoi se pa një shërbim të tillë misionar, Kisha Orthodhokse humbiste qëllimin dhe së fundi zvogëlohej.
Gjatë këtyre viteve, Anastasi mori pjesë gjithashtu në një lëvizje ndërkombëtare rinore orthodhokse të quajtur “Syndesmos”. Ai shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm gjatë viteve 1958 – 1961 dhe pastaj si Zëvendëspresident nga viti 1964 – 1978. Gjatë kësaj kohe u takua me udhëheqës të tjerë të rinj që kishin të njëjtin zell për të shpallur Ungjillin. Së bashku ata filluan të kuptojnë se Krishti asnjëherë nuk mund të kënaqej nga shpallja e Ungjillit vetëm brenda Kishës. Urdhërimi i Tij fillestar ishte që të shkonin në të gjithë kombet. Prandaj, misionet nuk janë vetëm të brendshme, por edhe të jashtme. Urdhërimi i Madh i së kaluarës është një përgjegjësi e madhe për të tashmen. Në atë kohë Anastas Janullatos shkruante: “Kisha pa mision është një kundërshtim termash… Nëse Kisha është moskokëçarëse ndaj punës apostolike që i është besuar, ajo mohon veten, kundërshton veten dhe thelbin e saj dhe tradhëton betejën që bën. Kisha që qëndron në vend, kisha së cilës i mungon vizioni dhe përpjekja e vazhdueshme për të shpallur Ungjillin të pa pagëzuarve, vështirë se mund të njihet si një Kishë e Shenjtë, e Përgjithshme dhe Apostolike, së cilës Zoti i besoi vazhdimësinë e veprës së Tij”.