Apostull Pavli, duke i shkruar bashkësisë së Romës nga Korinthi (në vitet 55 – 57 pas Krishtit), thotë se ai veproi me zell hyjnor,“kështu prej Jerusalemit e përqark e gjer në Ilirik, kam predikuar Ungjillin e Krishtit” (Rom. 15: 18-19). “Gjer në Ilirik” tregon se mund të përfshihet edhe Iliriku, i cili në shek. I pas Krishtit ishte provincë e Maqedonisë. Nën dritën e vargut që pason “kështu jam munduar të predikoj Ungjillin jo aty ku njihej Krishti, që të mos ndërtoja mbi themelin e ndonjë tjetri” (Rom. 15: 20), kemi të drejtë të supozojmë se Apostull Pavli, personalisht ose nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, mbolli i pari farën e Ungjillit edhe në zonën gjeografike të Shqipërisë, së cilës po i referohemi. Prania e tij në Nikopojë (Nikopoli), pak më në jug të Shqipërisë së sotme, është e pakundërshtueshme (Titit 3: 12); ashtu si edhe veprimtaria apostolike e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Titit, në Dalmaci, pak më në veri të Shqipërisë së sotme (2 Timoteut 4: 10). Sipas një tradite të hershme tregohet se apostull i zonës ka qenë Qesari, një nga të 70 apostujt, kurse sipas një tradite tjetër që bie dakord me të, tregohet se Pavli vendosi Qesarin si episkopin e parë të Dyrrahut (Durrësit).

    Dëshminë më të qartë rreth pranisë së komunitetit kishtar në Durrës, e tregon martirizimi i episkop Astit në vitin 98 pas Krishtit. Në librin e Mujores së Kishës Orthodhokse (Minologion), shkruhet: “Më 6 korrik Shën Asti, episkop i Durrësit, mbaroi jetën e tij mbi kryq, i lyer me mjaltë dhe i thumbuar nga bletët”. Një ditë më vonë, më 7 korrik, kremtohet kujtimi i disa shenjtorëve:

 i


Shën Asti 

(hierodëshmor)

(Episkop i Durrësit në vitin 98 pas Krishtit) 

Ikonë e sotme në Kishën e Ungjillëzimit, Tiranë.

Peregrinit dhe atyre që ishin me të, Lukianit, Pompeit, Hesikit, Papiut, Saturninit e Gjermanit, me origjinë latine, të cilët i mbyti në det guvernatori i Durrësit, Agrikola.
    Durrësi, Epidamni i vjetër, koloni e hershme e kerkirasve (të ardhurve nga Korfuzi), ishte porti kryesor i Adriatikut, portë prej së cilës romakët hynë në Ballkan dhe me anë të rrugës Egnatia, në Thesaloniki (Selanik) dhe Konstandinopoli (Konstandinopojë). Në këtë udhëkryq ishte e natyrshme të zhvillohej që në shekujt e parë të Krishterimit një Kishë kozmopolite, e cila ndonëse vuajti në mënyrë të përsëritur pushtimet, tërmetet, zjarret, gjithnjë ripërtërihej e riorganizohej.
    Në kohën e Dioklitianit (284 – 305) zona veriore e Shqipërisë së sotme, me qendër Shkodrën, përbënte një pjesë të krahinës së Prevalitanës (Praevalitana); zona qendrore deri në lumin e Vjosës, me qendër Durrësin, përbënte krahinën e Epirit të Ri (Epirus Nova) dhe zona nga Vjosa deri në gjirin e Ambrakisë përbënte atë të Epirit të Vjetër (Epirus Vetus). Kur Perandoria Romake, me vdekjen e Theodhosit të parë në vitin 395, u nda në Lindje dhe Perëndim, territori i Shqipërisë së sotme kaloi në varësinë e krahinave lindore. Deri në kohën e Konstandinit të Madh, ajo varej politikisht dhe kishtarisht nga Roma. Më pas varej vetëm politikisht nga Konstandinopoja, ndërsa kishtarisht mbeti në juridiksionin e vjetër deri në vitin 731.
    I gjithë Iliriku Lindor ishte një kishë vetadministruese nën mbikqyrjen e lartë të Romës,nëpërmjet Vikariatit të Selanikut. Midis nëntë episkopatave të Vikariatit, mitropoliti i Durrësit radhitej i pesti. Tek “Synekdimos i Herakliut”, i shek. VI, përmenden qytete që sot gjeografikisht i përkasin Shqipërisë, kështu në Epirin e Ri: Dyrrahu, Skampa (Elbasani), Apollonia, Bylis, Amantia, Pulkeriopoli (Berati), Avlona (Vlora), Listra dhe Skipon; në Epirin e Vjetër: Evria, Finiqi, Adrianopoli, Ankiasmos dhe Butrotos (Butrinti). (Emrat e qyteteve dhe episkopatave përmenden në burime të ndryshme me mjaft ndryshime). Më në jug, nga viti 429, ishte episkopata e Driinupolit (Drinopolit), me seli fillimisht diku afër Koricës së Dropullit e më vonë (në vitin 558) në Episkopi (Peshkëpi). Shpeshherë selitë episkopale zhvendoseshin për shkak të vështirësive politike e të luftërave në këtë zonë. P.sh. kur episkopatat e Ankiasmos dhe e Finiqit u shkatërruan nga sulmet e gotëve të Totilës (552) selia e episkopatës së Ankiasmës u zhvendos në Himarë dhe ajo e Finiqit përkohësisht në manastirin e Mesopotamit e më pas në Delvinë, ndërsa selia e Evrias fillimisht në manastirin e Soronias dhe më vonë u bashkua me episkopatën e Butrintit.

Kishë paleokristiane
Butrint, Sarandë.

    Të dhënat historike për këtë periudhë janë shumë të kufizuara. Dëshmi të tjera plotësuese sjellin gjetjet arkeologjike dhe – si gurë të çmuar mozaiku – disa emra shenjtorësh e episkopësh. Por këto nuk mjaftojnë për rikompozimin e mozaikut të historisë së Kishës lokale. Varret e krishtera që u gjetën në portikun jashtë mureve të Butrintit (ndoshta të shek. II), janë elementët më të hershme të pranisë së komunitetit të krishterë në Shqipërinë e sotme. Në vende të ndryshme janë zbuluar bazilika paleokristiane (shih Arti – Arkitektura), kryesisht të shek. V – VI, të cilat dëshmojnë me përmasat e tyre se i shërbenin komuniteteve të krishtera me numër të madh besimtarësh dhe përbëjnë dëshmi serioze rreth lulëzimit të Krishterimit në këto vende.
    Zonën tonë e vaditën me gjakun e tyre këta shenjtorë: Elefteri, “episkop i Vlorës dhe i Ilirikut” dhe nëna e tij Anthia (në vitin 120); Donati e Therini (në Butrint, në vitin 250); Danaksi (në shek. III); Isauri, Vasili, Inocenti, Feliksi, Hermia e Peregrini (në Apolloni, në shek. III); Trifoni (nga Sheqishta e Beratit, në vitin 313); Donati, episkop i Evrias (në vitin 387) etj. Nga Aktet e Sinodeve Ekumenike (Kuvendeve Mbarëbotërore Kishtare) njohim disa episkopë: Eukarin e Durrësit dhe Feliksin, “episkop i qyteteve të Apollonisë e Bylisit”, të cilët morën pjesë në Sinodin III Ekumenik (në Efes, në vitin 431); Lukën (e Durrësit), Eusebin “e Apollonisë së Epirit të Ri”, “Petron e Ekineut”, në serinë e episkopëve të Epirit të Ri dhe Pelegrinin e Finiqit, Klaudin (ose Kladeo) e Ankiasmës, që morën pjesë në Sinodin IV Ekumenik (në Halkedoni, në vitin 451); Sisinin (e Durrësit), në Sinodin e V-VI (Penthekt ose Quinisext) “nën Kupolë” (në Konstandinopojë, në vitin 691/692). Gjithashtu, në raste të tjera përmenden edhe episkopë të tjerë: Hipati, në Sinodin lokal të Epirit, në vitin 516; Eftihi (ose Efstohi) në vitet 449 – 451; Konstandini, në vitet 523 – 529; Valeriani, episkop i Finiqit në kohën e perandorit Leont; Filipi, në vitin 516 dhe Eustathi, në vitin 586.