Treva e Shqipërisë së sotme, e shtrirë përgjatë pjesës veriore të bregdetit Jon dhe pjesës jugore të bregdetit Adriatik si dhe në brendësi rreth pjesës perëndimore të aksit të rrugës Egnatia, merrte pjesë drejtpërdrejt në brumëzimet politike e shpirtërore të tri perandorive të njëpasnjëshme: romake, bizantine dhe osmane. Njëkohësisht, u bë objekt sulmesh e plaçkitjesh barbare nga popuj të ndryshëm (hunët, gotët, normanët, serbët, bullgarët, venedikasit etj.), të cilët synonin territorin e saj. Qendrat më kryesore mitropolitane, gjithmonë kishin përbërje shumetnike, me praninë e elementit ilir, helen e romak, por dhe herë pas here me mbetje të tjera pushtuesish të ndryshëm.

 
   Në bazë të juridiksionit kishtar të krahinave të Shqipërisë së sotme, dallojmë këto periudha:
 
    1) Nga vitet apostolike deri në vitin 731 -gjenden në Kishën vetadministruese të Ilirikut lindor, nën Vikariatin roman të Selanikut.
 
    2) Nga viti 731 deri në fillim të shek. XI -nën Patriarkanën e Konstandinopojës.
 
    3) Nga fillimi i shek. XI deri në vitin 1767 -shumica e episkopatave gjenden nën Kryepiskopatën Autoqefale të Ohrit.
 
    4) Nga viti 1767 deri në vitin 1937 -nën Patriarkanën e Konstandinopojës.
 
    5) Nga viti 1937 deri në ditët tona -Autoqefale.