Besimtarët orthodhoksë në Mitropolinë e Gjirokastrës e kremtuan Krishtlindjen me lutje dhe gëzimin e lindjes së Shpëtimtarit Jisu Krisht, në një atmosferë të ndriçuar nga dritat e shumta të festës. Në të gjitha kishat e kësaj dioqeze, që prej disa ditësh ishin bërë gati festimet. Edhe Bashkia e Gjirokastrës kishte menduar që në rrugët e qytetit të vendosej parullat “Gëzuar Krishtlindjen” si edhe të organizoheshin ceremoni festive. Vlen të përmendet koncerti i madh që u zhvillua me këtë rast në sallën kryesore të Kinoteatrit nga Mitropolia e Gjirokastrës në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit, ku merrnin pjesë jo vetëm personalitete fetare dhe politike, por edhe besimtarë e artdashës të shumtë të jugut.

Që në orët e para të mëngjesit, besimtarët kishin ardhur për të marrë pjesë në shërbesat e ditës festive. Gjatë ceremonisë, kori i të rejave orthodhokse bashkë me korin e të rriturve u harmonizuan në adhurimin e përbashkët, duke i kënduar lavdërime bashkë me të gjithë besimtarët, Shpëtimtarit të porsalindur. Mitropoliti lexoi para besimtarëve mesazhin e Kryepiskopit Anastas, duke uruar më shumë dashuri, besim dhe shpresë për të ardhmen.
Atmosfera e festës vijoi për disa ditë, me takime të shumta, urime dhe përshëndetje mes klerikëve e besimtarëve, të cilët këto ditë të bekuara i festuan së bashku sipas traditës së shenjtë orthodhokse.
Brenda kësaj periudhe festive, Imzot Dhimitri organizoi edhe një aktivitet për të rinjtë, për të dytin vit, duke ftuar të rinj nga të gjitha zonat jugore për të festuar së bashku Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2008. Jo vetëm aktivistët në veprimtaritë e përhershme të Mitropolisë por edhe “të larguarit”, studentë brenda dhe jashtë vendit, duke kaluar kështu një ditë të veçantë me Hirësi Dhimitrin.

“Me anë të mistereve të Kishës ne marrim pjesë në Mbretërinë e Perëndisë, duke u bërë qeliza të gjalla të Trupit të Krishtit, që është Kisha e Tij. Ju jeni e tashmja e Kishës sonë dhe perspektiva e saj” – theksoi Hirësi Dhimitri.
Pas Liturgjisë Hyjnore, të rinjtë u mblodhën në ambientet e bibliotekës së liceut për të ndjekur takimin, ku nuk mungonin edhe të ftuarit e veçantë, të cilët referuan mbi çështje jetësore të besimit dhe traditës së shenjtë orthodhokse. I pari e mori fjalën mësuesi i letërsisë në Liceun Kishtar të Gjirokastrës, z. Odhise Çerkezi. Ai foli mbi temën “Mos mblidhni thesare për veten tuaj mbi dhé…(Ungjilli sipas Mattheut). Vlera e mësimeve të Kishës nuk çmohet dot dhe ato janë bërë përherë udhëheqje për veprim në rrugën e historisë njerëzore. Në këtë këndvështrim, duke u ndalur në shembuj të shkrimtarëve në zë botërorë, z. Çerkezi nënvizoi se diskursi biblik është i pranishëm gjerësisht në letërsinë botërore, me një synim të vetëm: ta afrojnë njeriun sa më pranë Zotit.
Në vazhdim foli pedagogu i Universitetit të Janinës, z. Apostolos Papajoani, i cili u ndal në rëndësinë e traditës orthodhokse. “Ne kemi shumë elementë që na bashkojnë, një ndër të cilët dhe më i rëndësishmi është besimi orthodhoks me thellësi historike. Elementët tradicionalë jo thjesht mos i harroni, por bëni kujdes sepse këta janë elementët tuaj”.
Shën Kozmai ka propozuar një vlerë busull, një rregull që mund të quhej “humanizëm i krishterë”: të jemi njerëz të drejtë, të sinqertë, të dëlirë, të vërtetë në ato që thoni, që bëni ose ndjeni. Nëse ju zhgënjejnë ktheni faqen, vazhdoni me njerëz të tjerë. Bazat janë të njëjtat, besim, shpresë dhe dashuri dhe më e madhja nga këto është dashuria.
Pas dy referateve, të rinjtë bënë komente dhe diskutime me Mitropolitin dhe të ftuarit, duke folur mbi çështjet më të rëndësishme të jetës spirituale. Një tjetër temë e rëndësishme ku u përqendrua diskutimi ishte organizimi i veprimtarive me rininë orthodhokse në enoritë e Dioqezës. Hirësi Dhimitri kërkoi angazhimin e të gjithëve për të pasuruar aktivitetet me të rinjtë, duke sjellë risi si edhe eksperienca që të rinjtë orthodhoksë të Mitropolisë së Gjirokastrës kanë marrë nga enori të tjera të Kishës. Ai i ftoi të rinjtë të kontribuojnë në veprimtari të ndryshme, duke u kujtuar se këtë vit të ri përveç katekizmit, aktiviteteve kulturore e sportive, kampeve e ekskursioneve do të festohet në mënyrë të veçantë edhe 10 vjetori i Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar”.
Në fund të këtij takimi u shtrua një drekë, ku pjesëmarrësit morën si bekim për festat edhe një dhuratë nga Mitropoliti.
Isidor Koti