“Kolendrat, kolendrat sot, gëzuar për shumë mot, zotërinj dhe zonja. Neve vijmë t’ju urojmë si edhe t’ju lajmërojmë zotërinj dhe zonja.” Këto ishin vargjet të cilat pushtuan shumicën e rrugëve të Tiranës, gjatë datave 23 dhe 24 dhjetor.

    Përcjellja e mesazhit të lindjes së Krishtit në familjet e krishtera, është bërë një iniciativë e përvitshme, ku të rinj dhe fëmijë të gëzuar trokasin në dyert e familjeve për t’i lajmëruar se po afrojnë Krishtlindjet dhe duhet të bëhen gati, duke i shtuar kështu edhe më shumë gëzimin kësaj feste.

    Edhe këtë vit rreth 45 fëmijë të organizuar nga koordinatorët e Zyrës Kombëtare të Fëmijëve kënduan kolendrat në 30 familje besimtarësh të qytetit. Por ata kënduan kolendrat edhe në Kryepiskopatën e Hirshme, ku patën bekimin të takonin dhe Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin Anastas, i cili i priti ata me shumë gëzim. Ai i kërkoi fëmijëve që të vinin në kishë dhe të merrnin pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe të festonim së bashku Krishtlindjet. Kryepiskopi  në fund u ndau fëmijëve dhurata me rastin e festës. Ai gjithashtu i pyeti fëmijët:  “Çfarë do të bëni me paratë e mbledhura nga kolendrat?”  dhe ata iu përgjigjën se do të shkonin në ndihmë të një gruaje të paralizuar, e cila ka pësuar një aksident të rëndë automobilistik kohët e fundit. Në ditën e festës këto para të mbledhura iu dërguan kësaj gruaje si dhuratë për Krishtlindje.

    Gjithashtu fëmijët kënduan kolendrat edhe tek shtëpia e motrave të Nënë Terezës, të cilat kujdesen për njerëzit e braktisur dhe pa përkrahje. Kolendrat sollën shumë gëzim tek këta njerëz, të cilët janë pothuajse të harruar nga pjesa më e madhe e shoqërisë.

    Zërat e gëzuar të fëmijëve u dëgjuan të këndonin kolendrat drejt për drejt edhe në valët e Radios “Ngjallja”, Fm 88.5 Mhz, nëpërmjet së cilës ata lajmëruan ardhjen e Krishtlindjeve edhe tek ato familje të cilat nuk mundën t’i lajmëronin personalisht. Nëpërmjet radios fëmijët përcollën edhe urimet e tyre për të gjithë besimtarët.

     Por edhe të rinjtë me grazhdin e Krishtit foshnje në duar, nuk harruan të drejtoheshin për në Kryepiskopatën e Hirshme. Ky ishte edhe stacioni i fundit i “kolendrave”. Përveç lajmit të ardhjes së Krishtit në tokë, të rinjtë kishin mundësi të takonin Fortlumturinë e Tij, Imzot Anastasin.

    Si çdo vit, me një gëzim të madh Fortlumturia priti këta të rinj dhe i kujtoi qëllimin e vërtetë të festës, e cila është të shtojmë edhe më shumë dashurinë për Perëndinë dhe për të afërmin. Ashtu si magët i ofruan tre dhurata simbolike, por mjaft domethënëse Krishtit foshnje, edhe Fortlumturia i dhuroi tre dhurata këtyre të rinjve, të cilat janë mjaft të rëndësishme për gjithë jetën tonë.

    Imzot Anastasi i dhuroi të rinjve ikonën e Lindjes së Krishtit, e cila do të shërbejë që gjithmonë t’u kujtojë lajmin e gëzuar dhe shpresëdhënës që sollën engjëjt; kalendarin e vogël orthodhoks 2008, i cili është një udhërrëfyes për çdo festë të kishës sonë; dhe thesarin më të çmuar për të gjithë të krishterët, Dhiatën e Re. Duke ndarë me të rinjtë përvojën e tij personale në lidhje me Shkrimin e Shenjtë, kryepiskopi theksoi se: “Sa herë që lexoj Shkrimin e Shenjtë gjej një mesazh të ri i cili më shërben për jetën time shpirtërore. Është udhërrëfyesi më i sigurt në jetën tonë shpirtërore, ku mund të ndriçoheni për udhëtimin në Mbretërinë e Qiejve.”

    Pasi shprehën mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për Fortlumturinë, të rinjtë u larguan nga Kryepiskopata me një mendim të ri: “Të jetojmë sipas porosive që Perëndia na urdhëron në Shkrimin e Shenjtë, në mënyrë që çdo ditë shpirti ynë të festojë Krishtlindjen.”

 

     Marina Marini dhe Gabriela Bezhani