Të premten paradite, më datë 23 dhjetor 2005 në hotel “Sheraton” në kryeqytet, Bashkia e Tiranës organizoi ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Tiranës”, krerëve të komuniteteve fetare në Shqipëri, me shënimin: “Krerëve fetarë në Shqipëri për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për harmoninë ndërfetare, rikthimin e besimit në mbarë vendin si dhe për kapërcimin me urtësi të situatave të vështira politike”.

1) Ish-kryetari i Komunitetit Musliman në Shqipëri, Haxhi Hafiz SabriKoçi (pas vdekjes).
2) Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. DrAnastasi
3) Monsinjor Rrok Mirdita, Arqipeshkv i Mitropolitisë së Tiranës dheDurrësit
4) Baba Reshat Bardhi, Kryetar i Komunitetit Bektashi

   Kjo ceremoni u kryesua nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama. Në fjalën e tij, kryetari Rama ndër të tjera tha: “… Përfaqësuesit e klerit shqiptar janë njerëz që meritojnë jo thjesht dhe vetëm nderimin e kryeqytetasve për çka bëjnë në suazën e besimit që ata përfaqësojnë. Ata meritojnë nderimin e kryeqytetasve në radhë të parë për sakrificat dhe durimin e pashoq përmes të cilëve ata mundën të ngrenë tempujt e besimit në shkretëtirën morale të fillimviteve 90-të. Unë besoj që qëndrimi i këtyre qytetarëve më të rinj të nderit të Tiranës, është një qëndrim që i kapërcen kufijtë e çdo komuniteti fetar dhe çdo vathe besimtarësh, është një qëndrim që reflekton dashuri dhe tolerancë edhe tek qytetarët laikë, të cilët falë kësaj bashkëjetese dhe kësaj paqeje të garantuar brenda dhe ndërmjet komuniteteve fetare ndjehen jo vetëm të pakërcënuar nga ato simptoma destabiliteti që gjenden rëndom në botën e sotme, në ato vende ku besime të ndryshme përplasen me njëra-tjetrën për shkak devijacionesh, por mbi të gjitha gjenden të rrethuar nga dashuria dhe paqja që përçojnë fjalët e këtyre katër figurave”.

   Kryetari i Bashkisë Rama, pasi sqaroi se biografia e këtyre njerëzve në asnjë rast tjetër nuk u lexohet, pasi ajo çka ata bëjnë në të përditshmen është e vetmja gjë që është e rëndësishme për ta dhe ajo që ka të bëjë me të kaluarën mbetet diçka thjesht vetëm e shkruar të cilën nuk mund  të presim të na i thonë këta njerëz që janë madhështorë, për faktin se karakterizohen në radhë të parë nga ajo modesti intelektuale dhe shpirtërore aq shumë e munguar në qytetin tonë, lexoi përpara të pranishmëve biografinë e katër krerëve të komuniteteve fetare në Shqipëri, të cilët morën titullin “Qytetar Nderi i Tiranës”.

   Gjatë paraqitjes së biografisë së Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, Kryetari i Bashkisë Rama tha ndër të tjera: “Në biografinë e shkruar që mua ma kanë sjellë, kanë harruar të thonë se ai zotëron mirë, madje mjaft mirë edhe gjuhën shqipe. Dhe kjo të them të vërtetën është një harresë që mua më pëlqen. Për të është shkruar këtu si të ishte një shqiptar që zotëron dhe greqishten. Si kryetar i komunitetit orthodhoks, ai ka dhënë vlera të jashtëzakonshme për ripërtëritjen e komunitetit orthodhoks, për ndërtimin e objektit të kultit, edhe ato të rrënuara dhe të dëmtuara gjatë periudhës së brutalitetit komunist, si dhe për rikthimin e besimit në mbarë vendin. Komuniteti orthodhoks ashtu si edhe komunitetet e tjera fetare në Shqipëri kanë ndihmuar për zbutjen e traumave në vitin 1997 dhe për qetësimin e shpirtrave të trazuar, të të përzënëve nga dhuna e Milosheviçit në vitin 1999 dhe kontributi i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë është një kontribut që shtrihet edhe përtej këtyre që thashë, përmes shumë e shumë konferencave e seminareve, për të bërë të njohura besimet fetare në Shqipëri në plot auditorë universitetesh dhe auditorësh të botës, gjë që rithekson edhe njëherë që harmonia ndërfetare dhe njohja e respekteve reciproke mes besimeve në qytetin tonë është në radhë të parë një vetëdije e rrënjosur thellë në zemrat dhe mendjet e këtyre katër burrave…”.

    Më pas Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Edi Rama iu dorëzoi simbolet katër kryetarëve të komuniteteve fetare. Në momentin e marrjes së simbolit “Qytetar Nderi i Tiranës: Kryepiskopi Anastas tha: “I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë dhe Kryetar i Partisë Socialiste, zoti Edi Rama dhe të nderuar të pranishëm. Me gjithë zemër do të dëshiroja të shprehja falënderimet e mia të sinqerta ndaj jush dhe anëtarëve të nderuar të Këshillit Bashkiak për vendimin tuaj fisnik, duke më dhënë titullin, “Qytetar Nderi i Tiranës”. Pohoj se ndihem qytetar i Tiranës që nga viti 1991 kur për herë të parë erdha në këtë qytet. Jam duke qëndruar këtu gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit dhe deklaroj se: Jam një tiranas i vogël pesëmbëdhjetë vjeçar. Gjithë këto vite që kam jetuar këtu kam marrë pjesë në vështirësitë, problemet, shpresat e njerëzve, vuajtjet dhe gëzimet e tyre. Dhe së bashku me drejtuesit e tjerë të dashur fetarë jemi përpjekur të kontribuojmë në harmoninë fetare, në bashkekzistencën paqësore për zhvillimin e jetës së qytetit, duke ndarë fjalën dhe dashurinë e Perëndisë nëpërmjet iniciativave në sektorët e shëndetit, edukimit, shërbimeve sociale etj. Duke shprehur përgëzimet e mia të sinqerta ndaj Bashkiakut tonë të aftë dhe bashkëpunëtorëve të tij të shkëlqyer, për arritjet e tyre të mrekullueshme në këto vitet e fundit, uroj nga thellësia e zemrës sime, shëndet, fuqi, vizion dhe durim në përmbushje të planeve të tyre ndaj qytetit tonë të dashur. Perëndia le të na ndihmojë të gjithë ne për të vazhduar me iniciativa krijuese përpjekjet tona, që ta bëjmë Tiranën një qytet të bukur, ku të sundojë harmonia ndërfetare, krijimtaria, përparimi, solidariteti, dashuria dhe shpresa. Edhe një herë falënderime të ngrohta nga një Tiranas pesëmbëdhjetë vjeçar.”

     Në ceremoni merrnin pjesë poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli, si “Qytetar Nderi i vjetër i Tiranës”,  kryetari i Komitetit të Kulteve, këshilltari i Presidentit, përfaqësues nga Këshilli Bashkiak, rektori i Universitetit të Tiranës, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, klerikë dhe laikë përfaqësues të katër komuniteteve fetare në Shqipëri, përfaqësues të medias, etj.

 

 Julia Pjetri
Korrespodent i Radios “Ngjallja”