Përjetim shpirtëror, por edhe atmosferë festive solli edhe për këtë vit kremtimi i Krishtlindjeve në gjirin e Komunitetit Orthodhoks të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës. Dhe kjo klimë, si të gjitha festat orthodhokse, reflekton ngrohtësi e gëzim tek të gjithë dhe në mbarë shoqërinë.
Periudha e Kreshmës që i parapriu festës në të gjitha enoritë ishte një rast i mirë për të patur më shumë jetë shpirtërore. Ato u vizituan nga klerikët e Mitropolisë dhe u kryen Liturgji Hyjnore dhe shërbesa të tjera. Gjithashtu, ky ishte një rast për besimtarët e zonave më të thella për të komunikuar me etërit shpirtërorë, për të kryer Misteret e Shenjta të Rrëfimit dhe Kungimit. Ky është përjetimi më i thellë i Krishtlindjeve edhe në fshatrat e largëta dhe të izoluara, larg dritave dhe shkëlqimeve të qyteteve të mëdha, por shumë afër me thelbin e besimit dhe me traditën tonë orthodhokse.
Në ditën e Krishtlindjeve në ato enori ku pati mundësi u krye Liturgjia Hyjnore, me një pjesëmarrje masive dhe mbresëlënëse të besimtarëve, sidomos në qytete, si në Gjirokastër, Sarandë, Përmet, Delvinë, Himarë etj. Besimtarë të shumtë u mblodhën edhe në Kishën e tyre në qytezën e Memaliajt, që kremton pikërisht në kujtim të “Lindjes së Krishtit Perëndi”.
Por edhe në fshatra të tjerë të mëdhenj të Mitropolisë ku u meshua, u grumbulluan besimtarë edhe nga enoritë fqinje, si një mundësi komunikimi me misteret, por edhe për të këmbyer urimet e rastit me të afërmit dhe të njohurit.
Kremtimi i Lindjes së Krishtit ishte gjithashtu një rit për komunikim me të thellë shpirtëror me kreun e Kishës sonë, Kryepiskopin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë z. Anastas, i cili ngre me shumë dashuri dhe sakrificë edhe barrën e baritimit të grigjës së Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës.
Krishtlindjet në një mënyrë të veçantë përbëjnë festën e fëmijëve dhe të të rinjve, sidomos atyre të organizuar në grupet e katekizmit dhe të punës shpirtërore, që me entuziazëm të veçantë zhvillohen nën kujdesin e Kishës sonë. Kjo jo vetëm se kanë rastin të marrin dhurata: është përkundrazi një rast i mirë për ata, që me festat e tyre të tregojnë dhuratat që ata kanë për të shpërblyer mundin e më të mëdhenjve. Me recitimet, me këngët, me psalmet e tyre kanë rastin të tregojnë përkushtim në traditën orthodhokse, zellin me të cilin gjatë gjithë vitit përpiqen të përparojnë në këtë drejtim, si dhe falënderimin për gjithçka bën për ata Kryepiskopi Anastas. Përgatitja nga vetë ata e këtyre festimeve të vogla dhe shpeshherë spontane është në thelb një mënyrë për t’i sjellë në një përjetim më thelbësor të të kremtes, të asaj që besojnë, duke kuptuar kështu më mirë edhe madhështinë e Ngjarjes së Mishërimit të Zotit Krisht.
Festa të tilla organizuan sidomos nxënësit e Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër. Ata kishin të ftuar edhe mësuesit e tyre, por edhe personelin që ndihmon në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe edukativ.
Vajzat që janë bursiste të Kryepiskopit Anastas në konviktin orthodhoks në Bularat gjithashtu kishin një festë mbresëlënëse, para se të largoheshin për në shtëpitë e tyre për pushimet e dimrit.
Qendrat e Përkujdesjeve Ditore (kopshtet) me vogëlushët e tyre të gëzuar gjithashtu organizuan festa të bukura: në Gjirokastër, në Përmet dhe në Sarandë. Të vegjlit recituan nga shpirti për Krishtin e për të Tërëshenjtën Mari dhe morën me vete dhurata simbolike, për të shtuar harenë e ditëve të festës.
Festa të tilla me fëmijët dhe të rinjtë u organizuan gjithashtu në qendrat shpirtërore dhe të katekizmit në shumë enori të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës.
Nëpër fshatrat e vogla dhe të izoluara një mesazh ngushëllues përbën gjithashtu fakti i ardhjes së shumë prej banorëve të tyre që punojnë larg vendlindjes, që ishte një dukuri karakteristike edhe për Krishtlindjet e sivjetme.
Dhe sigurisht, ky gëzim për Lindjen e Foshnjës Hyjnore nuk mbaron në ditën e kremtimit. Duke përfituar edhe nga pushimet dimërore, kjo atmosferë vazhdon të ndihet e gjallë kudo edhe deri në ditën e Theofanisë.
(Korresp. NGJALLJA)