Atmosfera e Krishtlindjes si kudo trokiti edhe në qytetin me tradita të shquara të Korçës. Tradita, jo vetëm kulturore, artdashëse dhe arsimdashëse, por edhe orthodhokse.
Përkrah zbukurimit të jashtëm të shesheve, rrugëve dhe ndërtesave, kjo festë pati edhe zhvillimet e saj shpirtërore dhe plot frymë, të organizuara këto nga Mitropolia e Shenjtë.
Festivali
Në datën 17 dhjetor 2005, në sallën që ndodhet në katin e parë të Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, u zhvillua një aktivitet festiv rinor. Morën pjesë 14 grupe të ndryshme nga e gjithë Dioqeza e Korçës. Nuk mbetën jashtë kësaj atmosfere shkolla e mesme e muzikës “Tefta Tashko Koço”, e cila u prezantua me një grup harqesh. Gjithashtu edhe Qendra Kulturore e Fëmijëve “Mihal Grameno” u bë pjesë e kësaj ngjarjeje, duke sjellë në sallë traditat e vjetra të qytetit dhe trevës me vallet e tyre të mrekullueshme. Të pranishëm ishin edhe kori i vajzave të Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, si edhe kori i burrave së Katedrales së “Burimit Jetëdhënës”. Pjesë e këtij festimi u bënë edhe fëmijët e shkollës 9-vjeçare greko-shqiptare “Omiros” (Homeri), të cilët sollën në skenë me dlirësinë e tyre fëminore një fragment nga Lindja e Krishtit..
I pranishëm ishte dhe Mitropoliti Imzot Joani, Myftiu i Korçës, Prefektja e Qarkut, si edhe mjaft personalitete të fushave të ndryshme.
Kolendrat
Si çdo vit në mbrëmjen e 23 Dhjetorit në qytetin e traditave të mëdha, në Korçë, u zhvilluan kolendrat. Një festë që mbush me gëzim zemrat e të gjithë njerëzve, gëzim i cili mund të shihet hapur nëpër rrugët e qytetit. Njerëz të të gjitha moshave gëzojnë si fëmijët dhe këndojnë: “Kolendra, kolendra sot gëzuar për shumë mot. Zonja dhe zotërinj”.
Edhe këtë vit në të gjitha rrugët e ngrira të Korçës fëmijë, të rritur edhe të moshuar të përfshirë nga kjo atmosferë këndonin këngë Krishtlindjesh dhe sillnin lajmin e Lindjes së Madhe në çdo portë dhe sokak. Çdo trokitje sillte Lajmin e Mirë, të kujtonte një legjion Engjëjsh që shpallnin: “Në qytetin e Davidit lindi Shpëtimtar”. Grupe të ndryshme të rriturish, fëmijësh dhe të rinjsh, priti dhe Hirësia e Tij Joani në selinë e Mitropolisë së Shenjtë Korçë.
Liturgjia Hyjnore
Nën ritmin gazmor të kambanave u zgjua qyteti i Korçës. Melodia e tyre ftonte çdo besimtar që edhe ai të bëhej pjesëmarrës në Lindjen e Madhe të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Atmosferë e kësaj feste të madhe kishte ditë edhe javë që ndjehej në frymëmarrjen e qytetit.
Si çdo vit shërbesat kishtare filluan më herët se zakonisht. Në orën 7.00 filloi shërbesa e Mëngjesores dhe kishat pritën besimtarët e parë, më pas vazhdoi Liturgjia Hyjnore e Krishtlindjes. Meshimi u zhvillua në të gjitha kishat e qytetit, të cilat pranuan qindra dhe mijëra besimtarë duke i bashkuar ata me ngjarjen e madhe të Lindjes së Zotit. Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” Liturgjia u drejtua nga Mitropoliti i Korçës Imzot Joani.
Pas mbarimit të Liturgjisë, në orën 11.00, filloi pritja tradicionale e Krishtlindjes në selinë e Mitropolisë së Shenjtë. Hirësinë e Tij, Joanin, e uruan me këtë rast pushtetarë qendrorë dhe lokalë, krerë të komuniteteve të tjera fetare, si edhe personalitete të ndryshme dhe besimtarë të shumtë.
Dreka e të varfërve
Në qytetin e Korçës prej shumë vitesh zhvillohet katër herë në javë drekë për të varfrit. Por, drekën e Pashkës dhe të Krishtlindjes e ha së bashku me ta edhe Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani. Dreka e sivjetshme u organizua në Kompleksin Polifunksional “Shën Gjegji”.
Duke folur për mediat e pranishme Hirësia e Tij Imzot Joani tha se e gjithë shoqëria ka një lloj detyrimi të ndihmojë ata të cilët në një moment të historisë së tyre përballen me vështirësi. Por më e rëndësishmja është – shtoi ai – jo vetëm sasia, por dhe mënyra se si ti e ofron ndihmën të-nde. Ndaj dhe në jemi përpjekur jo vetëm t’i ndihmojmë këta njerëz por edhe t’u japim dinjitet atyre.
Ndarje dhuratash
Ditën e nesërme në datën 27 dhjetor, Hirësia e Tij Joani me rastin e Krishtlindjes ndau dhurata për fëmijë që vinin nga familje me probleme, si edhe të komunitetit rom dhe atij egjiptian. Ai theksoi se gëzimi është vërtet gëzim kur ai përcillet dhe tek të tjerët, pasi të gjithë kemi nevojë qoftë edhe për një buzëqeshje dhe një shikim të ngrohtë. Zoti erdhi në botë për gjithsecilin dhe aq më tepër për ata që ishin më në nevojë.
Ndërsa më 29 dhjetor Imzot Joani ndau, për të dytin vit radhazi, dhurata edhe për fëmijët e policëve të rënë në detyrë. Është kjo një shprehje e dashurisë që Kisha Orthodhokse i përcjell komunitetit, por edhe një shenjë shprese për këta fëmijë që të mos ndjehen të braktisur. Në këtë ngjarje merrnin pjesë edhe pushtetarë lokalë.
Pritje-kokteil
Gjithashtu në frymën e Krishtlindjes në Kompleksin Polifunksional “Shën Gjergji” u zhvillua një pritje-kokteil. Ishin të ftuar qytetarë të ndryshëm, intelektualë dhe politikanë. I pranishëm ishte dhe Mitropoliti i Korçës Imzot Joani. Gjatë pritjes pati biseda të ndryshme miqësore si edhe urime të shumta. Në mbyllje të gjithë të pranishmit hodhën në një kuti të vendosur në ambientet e restorantit një kontribut financiar, i cili shkoi në ndihmë të mensës së të varfërve.
Mihal Sonellari