Përkthim
Deklaratë për shtyp Nr. 05-53/e 19 dhjetor 2005
DEKLARATË E PRESIDIUMIT TË KONFERENCËS SË KISHAVE EVROPIANE MBI LIRINË FETARE NË SHQIPËRI
Konferenca e Kishave Evropiane (KKE) monitoron nga afër zbatimin e të drejtave të njeriut në gjithë Evropën, duke përfshirë dhe të drejtën e lirisë fetare. Në disa vende evropiane (Shqipëri, Serbi-Mali i Zi, Turqi, etj), çështja e kthimit të pronave të konfiskuara të kishave dhe rihapja e vendeve të adhurimit dhe edukimit fetar vazhdon të mbetet një shqetësim i madh.
Në lidhje me këtë Konferenca e Kishave Evropiane ndjek me kënaqësi dhe interes të madh raportet rreth rigjallërimit të jetës fetare në Shqipëri që nga viti 1990 dhe vlerëson përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të korrigjuar padrejtësinë historike si dhe rikthimin e lirisë fetare dhe të drejtat themelore për të gjitha komunitetet fetare.
Megjithatë, me shqetësim të madh Presidiumi i Konferencës së Kishave Evropiane, i mbledhur në Gjenevë më 14-17 dhjetor 2005, ka mësuar rreth disa incidenteve të veçanta vendore në Shqipëri; si për shembull, në Përmet, Lukovë, Libohovë dhe Kodër etj, ku kthimi i vendeve të adhurimit është penguar ose anulluar nga autoritetet vendore.
Konferenca e Kishave Evropiane kërkon që udhëheqjet e këtyre vendeve, përfshirë dhe autoritetet shqiptare, të mbështesin në mënyrë rigoroze të drejtat njerëzore dhe fetare dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për të bërë të mundur kthimin e vendeve të adhurimit, të konsideruara si të shenjta nga besimtarët e komuniteteve, të cilat u konfiskuan gjatë periudhës së komunizmit.
Respekti ndaj lirisë fetare dhe të drejtave të njeriut përbëjnë një etapë të demokracisë evropiane, ligjit ndërkombëtar dhe stabilitetit rajonal. Konferenca e Kishave Evropiane, së bashku me komunitetet kishtare ndërkombëtare, do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet në këtë fushë.
* * *
DEKLARATË E PRESIDIUMIT TË KONFERENCËS SË KISHAVE EVROPIANE MBI POLITIKAT E EMIGRACIONIT
Qindra refugjatë dhe emigrantë mbetën të vrarë gjatë përpjekjeve të tyre për të hyrë në Evropë gjatë këtij viti. Në tetor, për herë të parë që nga hapja e kufijve më Evropë në 1989, më shumë se 10 persona të paarmatosur janë qëlluar për vdekje në kufijtë evropianë në Kueta dhe Melilla.
Në nëntor dy të rinj vdiqën ndërkohë që kërkonin t’i shmangeshin një kontrolli policor në Francë, një incident që i dha shkas revoltave të dhunshme në tërë Francën dhe në disa vende të tjera të Evropës.
Duke marrë shkasë nga këto ngjarje tragjike, Presidiumi i Konferencës së Kishave Evropiane, mbledhur në Gjenevë nga data 14-17 dhjetor 2005, bën edhe një herë të qartë pozicionin e Kishave në Evropë:
Çdo person është krijuar në imazhin e Perëndisë. Bazuar në këtë bindje, kishat në Evropë përkrahin mbrojtjen e refugjatëve dhe një përqasje më njerëzore të politikave të emigrimit.
Emigracioni është një dukuri normale. Që nga fillimi ai ka qenë pjesë e historisë njerëzore. Të gjithë kërkojmë nga qeveritë dhe autoritetet që të sigurojnë dhe të mbrojnë jetën dhe dinjitetin e emigrantëve.
Përdorimi i armëve ndaj njerëzve të paarmatosur kërkon investigim të plotë si dhe duhet të rishikohen masat e sigurimit të kufijve. Ndërkohë që njohim të drejtën dhe detyrimin e vendeve për të kontrolluar kufijtë e tyre, shtetet evropiane gjithashtu kanë detyrim të mbrojnë refugjatët dhe të mos i mbyllin kufijtë ndaj të gjithë atyre pa dallim. Politikat emigruese duhet të përfshijnë rregullore mbi emigrantët që jetojnë në situata jo të rregullta si dhe gjithashtu luftë kundër trafikut të qenieve njerëzore, që është një nga krimet më të rënda njerëzore të ditëve tona.
Një përqasje njerëzore ndaj emigracionit kërkon më tepër përpjekje për integrimin e emigrantëve dhe të shoqërive. Në shumë vende Evropiane, kishat janë përfshirë në përpjekje të shumta për të siguruar politika njerëzore dhe të mbështesin dinjitetin e personave.
Jetesa në shumëllojshmëri nuk është një arritje e lehtë; ka probleme të shumta në jetën e përditshme të qytetarëve dhe të emigrantëve të cilat kanë nevojë për përgjigje. Kishat ofrojnë përvojën dhe përkushtimin e tyre në kërkim të zgjidhjeve të përshtatshme ndaj vështirësive që ndeshemi.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve, më 18 Dhjetor, Presidiumi i Konferencës së Kishave Evropiane dëshiron të nënvizojë që të drejtat dhe statutet e emigrantëve në shoqëritë evropiane do të kishin përfitim nëse vendet evropiane do të ratifikonin Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat e të gjithë punëtorëve emigrantë dhe të pjesëtarëve të familjeve të tyre.
______________
Shënim:
Konferenca e Kishave Evropiane është një bashkësi prej rreth 125 Kishash Orthodhokse, Protestante, Anglikane dhe Kishave Katolike të Vjetra nga të gjitha vendet e Evropës, si dhe 40 organizata të asociuara. Konferenca e Kishave Evropiane u themelua më 1959. Zyrat i ka në Gjenevë, Bruksel dhe Strasburg.
Materialin origjinal mund ta lexoni në adresën zyrtare të Konferencës së Kishave Evropiane: http://www.cec-kek.org