Qendra Studentore

 

     Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse në Tiranë, është vënë në shërbim të nevojave shpirtërore, sociale, kulturore dhe studimore të studentëve.    Ajo ndodhet në hyrjen e sipërme të Qytetit Studenti, në Rrugën Budi, pranë hyrjes së konvikteve. Aktivitetet e larmishme dhe shërbimet që ofron kjo qendër i ndihmojnë ata të studiojnë dhe të ambientohen me jetën larg familjeve të tyre.

Me moton e saj “Së bashku në gjurmët e Krishtit” Qendra ka si qëllim të kontribuojë në krijimin e një rinie të shëndetshme, që jeton së bashku në një shoqëri dashurie. Ndonëse për nevojat jetike e studimore kanë menduar shumë njerëz, nevoja shpirtërore ishte lënë në harresë deri në vitin 1994, kur Kisha Orthodhokse mori iniciativën të ndërtonte një fole të vogël shpirtërore, ku studentët mund të mblidheshin së bashku për të njohur Perëndinë, për ta adhuruar Atë dhe për të ecur së bashku drejt qëllimit të jetës. Nevoja e thellë shpirtërore e studentëve kishte bërë që prej vitesh të ëndërrohej për një qendër të këtij lloji. Në fillim dukej e parealizueshme, por me kalimin e viteve, Kisha Orthodhokse nën kujdesin e kryebariut të saj, Kryepiskopit Anastas, e realizoi këtë ëndërr.

Në nëntor të vitit 2005 u ble një ndërtesë dykatëshe dhe në janar të vitit 2006 filloi të funksionojë si Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse. Në 14 janar të vitit 2007 Kryepiskopi Anastas kreu shërbesën e Ajazmës, ku pas bekimit të Qendrës, të cilën preferonte ta quante “Foleja studentore”, ai theksoi: “Ju jeni një brez i privuar. Njohja që keni rreth besimit është e kufizuar. Jeni ende në stadet e para të besimit dhe fakti që dimë disa gjëra rreth Dhiatës së Re dhe Dhiatës së Vjetër nuk mjafton. Keni shumë gjëra për të mësuar rreth besimit. I gjithë personaliteti i njeriut është i hapur para Hirit të Perëndisë dhe kjo nuk është çështje intelekti. Në besim keni përpara një oqean të madh. Këto pak gjëra që dini, keni përgjegjësi t’i ndani me të tjerët. Rinia është një grupim që duhet të marrë përgjegjësi edhe në këtë moshë. Mos e shuani këtë besim të paktë”. Ai theksoi se rinia shqiptare përballet me një krizë vlerash. “Brenda besimit të krishterë theksohet liria, por që kjo liri të japë fryte duhet të frymëzohet nga dashuria. Në këtë drejtim, besimi i krishterë është i pazëvendësueshëm. Ky besim jep shembuj se si mund të realizohen këto gjëra. Krishti është shembulli i përsosur i dashurisë”.

Në Qendën Studentore të Kishës Orthodhokse do të gjeni: Sallën e takimeve dhe të shërbesave lutësore; këndin informativ me materiale të ndryshme rreth besimit dhe shoqërisë; sallën e shoqërizimit, ku zhvillohen edhe takimet në grup të vogël; bibliotekën e pasur me mbi 1000 libra të ndryshëm letrarë, shkencorë dhe fetarë; sallën e studimit; sallën e kompjuterave, në të cilën janë instaluar 6 kompjutera në shërbim të studentëve; si dhe këndin me modele të ndryshme të punimeve artizanale. Meqenëse u ndërtua gjatë kohës së regjimit komunist, kuptohet që Qyteti Studenti asnjëherë nuk i ka ofruar mundësinë studentëve të njohin besimin orthodhoks, atë besim që vetë apostulli i Krishtit, shën Pavli, e solli deri në vendin tonë. Shumë shpejt pas hapjes së Kishave, që prej 1994 Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka treguar interes të veçantë për studentët.

Atë Luka Veronis, misionar nga Amerika, ishte nismëtari që ftonte dhe i mblidhte studentët për të diskutuar rreth besimit të krishterë dhe thesareve të pafund që ai ka. Takimet e para zhvilloheshin nëpër dhomat e studentëve. Shumë shpejt u pa e domosdoshme marrja me qera e një salle, e cila do të ishte në shërbim të studentëve dhe aktiviteteve që do të organizoheshin për ta. Kjo u bë e mundur në 1995, kur pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti (qendër e zhvillimit të aktiviteteve për studentët) u mor me qera një sallë e vogël. Tashmë nuk organizoheshin vetëm takime në grupe të vogla, por takime ku merrnin pjesë më shumë së 60 studentë, celebroheshin Liturgji Hyjnore një herë në javë dhe aktivitete të tjera, si konferenca, ekskursione dhe vizita baritore. Një kontribut të çmuar në organizimin e punës me studentët kanë dhënë studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” së bashku me studentët më aktivë të Qytetit Studenti, të cilët organizonin aktivitetet dhe studimet biblike. Pjesëmarrja në veprimtari të tilla u dha mundësi studentëve të mësonin se si të përballonin më lehtë vështirësitë që hasin në jetën studentore, të hidhnin themelet e jetës me Zotin, si dhe të ndërtonin miqësi me themel dashurinë, dhe në qendër të të gjithave të ishte Krishti. Udhëtimi përgjatë viteve filloi të thurte edhe ëndrra të shumta.

Në vitin 2002, në sallën e vogël të Qytetit Studenti u krijua një bibliotekë e vogël për studentët. Përveç takimeve javore me tema të ndryshme, Liturgjisë Hyjnore të së enjtes dhe aktiviteteve si konferenca e ekskursione, studentët filluan të takohen te kjo sallë çdo të hënë për studim biblik dhe ditëve të tjera bënin çdo pasdite Mbrëmësoren ose Paraklisin e Shën Marisë, ndërsa në fundjavë ndihmonin në katekizmin e fëmijëve që zhvillohej në zona të ndryshme të Tiranës. Dy herë në vit kryeshin Agripni të organizuara së bashku me disa studentë e pedagogë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës. Pas çdo takimi, studentëve iu shpërndaheshin materiale shpirtërore për t’i lexuar e studiuar.

Në vitin 2005, me ndihmën e Zyrës “Diakonia Agapi” të Kishës sonë u hartua një projekt-propozim 3-vjeçar për gjithë aktivitetin në Qytetin Studenti. Projekt-propozimi parashtronte shtimin e aktiviteteve dhe ofrimin e më shumë shërbimeve për studentët si: bibliotekë më të pasur, sallë kompjuterash, vizita baritore, trajnime, punë në grup etj. Kur ky projekt u miratua dhe hyri në zbatim, lindi nevoja për zgjerimin e ambientit, gjë që bëri të mundur realizimin e ëndrrës 10-vjeçare.Kështu, në nëntor të vitit 2005, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bleu një ndërtesë, e cila funksionon si Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse dhe bëri të mundur rritjen e numrit dhe cilësisë së shërbimeve për studentët.

Në vend të tryezës së thjeshtë me materiale të ndryshme, që prej 2007 te këndi informativ janë vënë në dispozicion shumë broshura e libra, që studentët të kenë mundësi t’i lexojnë e të risin njohuritë e tyre në besim dhe në shoqëri. Biblioteka e thjeshtë e përbërë nga një raft me disa libra, në vitin 2007 u pasurua me rafte e libra të tjerë, ndërsa në fillim të vitit 2009 u zëvendësua me bibliotekë shumë të pasur me libra fetarë, shkencorë, artistikë, historikë dhe edukues. Së bashku me bibliotekën lindi dhe ideja për të pasur një kënd ku do të shiteshin artikuj kishtarë, të ardhurat e të cilëve do të shkonin për mirëmbajtjen e Qendrës Studentore. Ky kënd ndodhet në të njëjtën sallë me bibliotekën, dhe ofron këta artikuj: ikona, komboskinë, kryqe, varëse, kartolina etj. Disa artikuj janë punime të studentëve. Në katin e dytë të Qendrës ndodhet salla e komjuterave, zyra e punës e pajisur me objektet dhe materialet përkatëse, DVD me filma të ndryshëm fetarë dhe edukativë, CD me muzikë të zgjedhur etj. Tashmë kjo Qendër është foleja e dashurisë dhe e paqes, ku përikin shumë studentë, si dhe vendi ku mësojnë për jetën. Për vitin 2008-2010 u miratua projekt-propozimi i dytë 3-vjeçar për Qendrën Studentore, me moton “Të jetojmë së bashku në një komunitet dashurie”.

*   *   *   *   *

 

    Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse
Ajo është në shërbimin tuaj çdo ditë duke ofruar:
– Materiale shpirtërore dhe sociale;
– Sallë studimi me bibliotekë të pasur;
– Mësime për misterin e Pagëzimit të shenjtë;
– Kurse kompjuteri për formimin bazë;
– Sallë kompjuteri për përgatitjen e detyrave të shkollës.

Fb: Qendra Studentore (E Kishës Orthodhokse)

Blog: http://gezohugjithmone.blogspot.com 

*   *   *   *   *

 

    Gjithashtu ajo organizon këto aktivitete javore:

 

– Takimi i përgjithshëm me referate – Çdo të martë, ora 17:00.

Në këto takime marrin pjesë 40-50 studentë. Referohen tema të larmishme shpirtërore e sociale dhe drejtohen nga referues e të ftuar të veçantë si, episkopë, teologë, dhe specialistë të fushave të ndryshme sociale. Qëllimi i tyre është të ndihmojnë studentët të njohin më mirë besimin dhe ta jetojnë atë çdo ditë e më tepër, si dhe të ndërgjegjësohen për problemet e mprehta sociale me të cilat ndeshet përditë.

 

– Lutje/Studim Biblik – Çdo të mërkurë, ora 17:00.

Gjatë këtyre takimeve marrin pjesë rreth 20 studentët, ku luten dhe himnojnë së bashku Perëndinë në shërbesat kishtare si: Paraklisi i së Tërëshenjtës Mari, Pasdarka e Madhe, Kanuni i Ngjalljes etj. Në këtë mënyrë, të rinjve u jepet mundësia të mësojnë të komunikojnë më Krijuesin dhe t’ia parashtrojnë Atij jetën dhe dëshirat e tyre, por dhe të luten për të tjerët. Përveç lutjes afro 20-minuta zhvillohet një diskutim mbi Shkrimin e Shenjtë. Qëllimi i këtij diskutimi është të njohim më mirë Shkrimin e Shenjtë dhe mësimet e çmuara që përcjell.

– Takimi në grup të vogël: “Të ritim njohuritë tona!” – Çdo të enjte, ora 17:00.

Duke u bazuar në një libër të caktuar bisedojmë së bashku në këto takime për tema që kanë të bëjnë me jetën dhe problemet e saj, si dhe thellohemi më tepër në njohjen e besimit tonë. Në këto takime marrin pjesë rreth 15 studentë.

 

Aktivitete periodike:

 

Çdo të shtunë të parë të muajit, ora 8:00

– Liturgji Hyjnore;
– Vizita baritore;
– Aktivitete sportive;
– dhe punime artizanale.

 

    Të mërkurën pasdite, ora 15:30 – Liturgji e Parashenjtëruar

 

Dy herë në vit gjatë periudhës së Kreshmës së Madhe, afro 15 studentë marrin pjesë në Liturgjinë e Parashenjtëruar në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit, Durrës. Ditën e Ungjillëzimit (25 mars) dhe të Dielën e Dafinave, ora 13:00, 50 studentë përgatitin së bashku drekën dhe festojnë të Kremtet Kishtare. Këtu mësojnë rëndësinë e festave dhe përgatiten për fillimin e Javës së Pësimeve të Krishtit për shpëtimin tonë.

   

Aktivitete vjetore

    Workshope

 

Takime njëditore, të cilat kanë si qëllim përforcimin e bashkësisë së studentëve në përjetimin e jetës së krishterë dhe ndërgjegjësimin e tyre për rolin që kanë në shoqëri, si përçues të dritës së Krishtit. Në këto takime marrin pjesë 20 studentë. Takimet zhvillohen jashtë Qendrës Studentore, në ambiente që ndihmojnë për reflektim dhe përqendrim.

 

Trajnime

 

Takime njëditore me tema sociale, që ofrohen nga Zyra Diakonia Agapes, dhe që ndihmojnë në ndërgjegjësimin e studentëve në lidhje me problemet sociale me të cilat hasen çdo ditë. Në trajnimet që zhvillohen në ambientet e Qendrës Studentore marrin pjesë 20 studentë.

 

Takime Studentore

 

Takime dyditore që organizohen jashtë Qendrës Studentore me pjesëmarrjen e 100 studentëve dhe kanë si qëllim përforcimin e komunitetit studentor dhe rritjen e tyre shpirtërore. Këto takime kanë program të larmishëm të mbushur me lutje, meditime, referate, diskutime në grup, vizita baritore, aktivitete sportive, argëtuese etj.

Pelegrinazhe

 

Aktivitete dyditore që kanë të bëjnë me njohjen e vlerave historike, kulturore, fetare dhe artistike të vendit tonë. Në këto pelegrinazhe marrin pjesë 60 studentë, të cilët vizitojnë dhe njohin nga afër vlerat e monumenteve kulturore e historike të vendit. Programi i këtyre pelegrinazheve përmban lutje, diskutime në grup, referate dhe aktivitete argëtuese.  Këto dhe shumë aktivitete të tjera ofrohen për ju studentë të dashur, me qëllim që të mësojmë për jetën dhe të jetojmë çdo ditë sipas porosive të Krijuesit tonë duke udhëtuar së bashku drejt qëllimit të jetës.

*   *   *   *   *

 

  Duke ju uruar suksese dhe përparim në formimin tuaj intelektual,

ju ftojmë gjithashtu të bëheni pjesë e aktiviteteve të Qendrës Studentore.

Shfrytëzoni këtë mundësi që Kisha Orthodhokse ju ofron.

  Për më tepër informacion kontaktoni:

069 46 16 300

për më tepër informacion ndiqni:

Fb: Qendra Studentore (E Kishës Orthodhokse):  https://www.facebook.com/studentkoash/

Blog: http://gezohugjithmone.blogspot.com