Katekizmi i krishterë orthodhoks

 

    Katekizmi është mësimi sistematik për njohjen e besimit të krishterë dhe formimit në jetën e re më Krishtin.  Me anë të tij Kisha përpiqet të ushqejë dhe të ndërgjegjësojë anëtarët e saj në veprën shpëtimtare të Krishtit, në Lajmin e Mirë të saj.

    Që në vitet e para të riorganizimit kishtar, 1991 e në vazhdim, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, qindra e mijëra të krishterë orthodhoksë në mbarë vendin nisën të katekizoheshin me dëshirën e zjarrtë të besimit të munguar prej shumë vitesh. Katekizmi filloi të zhvillohej, me takime të rregullta dhe spontane, në natyrë, në rrënojat e kishave të vjetra, por edhe në kishat që i kishin shpëtuar shkatërrimit, në shtëpitë e besimtarëve ose jashtë në oborret e tyre, në biseda, në emisionet e para televizive rreth besimit etj.

    Veprimtaria katekizuese nisi në mënyrë të organizuar pikërisht në vendin ku filloi edhe shkatërrimi i kishave nga ateizmi gjatë periudhës komuniste, në rrënojat e Manastirit të Shën Vlashit, pranë qytetit të Durrësit. Kontributin kryesor në fillimet e saj e dhanë bashkëpunëtorët misionarë (klerikë e laikë), fillimisht në Kryepiskopatën e Tiranës, rreth të cilëve u mblodhën të rinj, burra e gra të zellshëm orthodhoksë. Në vazhdim u hartua program i posaçëm katekizues si dhe filloi trajnimi i grupeve të para katekizuese për t’i angazhuar ata me sa të mundnin në disa qytete e fshatra të vendit, fillimisht në Dioqezën e Tiranës, të Beratit, e në vazhdim atë të Korçës dhe të Gjirokastrës. Bashkëpunëtorë dhe protagonistë në këtë vepër katekizuese ishin njëkohësisht edhe klerikët e rinj dhe studentët e atëhershëm që studionin në Seminarin Hieratik-Teologjik në Durrës si edhe besimtarë vullnetarë me moshë dhe profesione të ndryshme.

    Kuptohet që mësimet ishin të thjeshta, shpjeguese, ungjillëzuese për besimin e krishterë orthodhoks, ndërsa të katekizuarit, duke ndarë përvojën e besimit që po përjetonin, shumë shpejt u pagëzuan. Pas 25 vjetësh errësire, pagëzimet po bëheshin publikisht dhe në masë. Kjo ngjante me thënien e profetit Isaia: “Populli që gjendej në errësirë pa një dritë të madhe, atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes, u lindi drita” (Is.9:1). Kjo veprimtari katekizuese vazhdoi pa ndërprerje dhe me frymën misionare duke shkuar vend më vend, duke katekizuar e pagëzuar me hirin e Perëndisë, fëmijë, të rinj, të rritur dhe të moshuar.

    Kuptohet që kjo vepër e madhe u mbështet te kuadrot me arsim dhe formim teologjik dhe zell apostolik. Kryepiskopi Anastas që në vitin 1992, hapi Seminarin Hieratik-Teologjik në Durrës (më vonë Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit), duke përbërë institucionin e vetëm për krijimin dhe formimin e kuadrove me formim dhe edukim teologjik, duke i shtuar dhe i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, dhe si rrjedhojë, duke e themeluar, fuqizuar dhe zgjeruar këtë vepër. Deri në vitin 2010 nga kjo shkollë studiuan 240 studentë, ku 160 prej tyre u bënë klerikë. Nga viti 1997 filluan të studiojnë edhe vajza, që do të shërbenin në veprën katekizuese të Kishës. Në këtë mënyrë, të gjithë studentët dhe të diplomuarit e kësaj shkolle, si klerikë ashtu edhe laikë (meshkuj e femra), merreshin me katekizëm, të ndihmuar edhe nga besimtarë vullnetarë (fëmijë, të rinj, të rritur, gra e burra, të profesioneve të ndryshme).

    Në vazhdim, krijimi i kuadrove përmirësoi kushtet për organizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të katekizmit, duke zgjeruar dhe trajnuar personelin që do të përfshihet në zyra të veçanta koordinuese si: Zyra e Fëmijëve,  Zyra e Katekizmit,  Zyra e Rinisë,  Qendra Studentore dhe  Zyra e Grave, por edhe studentët e  Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”,  në Shën Vlash të Durrësit.

   

Zyra e Katekizmit

    Në vitin 2001 u krijua Zyra Qendrore e Katekizmit. Puna e saj është mjaft e gjerë dhe e rëndësishme, e cila përveç punës katekizuese me shumë grupe të ngritura të katekizmit me fëmijë, të rinj e të rritur ka edhe një vizion të qartë misionar rreth nevojave që paraqet kjo vepër në zona të ndryshme të vendit, jo vetëm duke ofruar ndihmën e nevojshme, por edhe ngritjen dhe koordinimin e grupeve të reja.

    Zyra e Katekizmit bashkëpunon ngushtë me klerikët, me Zyrat e Rinisë, të Fëmijëve, Qendrën Studentore, Zyrën e Grave dhe Akademinë Teologjike, duke ndihmuar dhe mbështetur secilin në veprën përkatëse katekizuese si dhe duke krijuar programe të përbashkëta.

    Me zhvillimin e mëtejshëm dhe stabilizimin e veprës katekizuese lokale, shtimit të katekistëve si dhe specifikave organizative mitropolitane, u krijuan sektorët lokalë mitropolitanë. Tashmë çdo mitropoli ka zyrën e katekizmit, të rinisë, të fëmijëve dhe katekistët e vet, klerikë ose laikë, duke organizuar katekizmin në dioqezën e tyre.
Vepra katekizuese e Shqipërisë është paraqitur edhe në takime dhe konferenca ndërorthodhokse, mes përfaqësish katekistësh e të rinjsh, duke krijuar edhe lidhje vëllazërore me homologët e tyre si edhe duke përfituar dhe shkëmbyer eksperienca dhe dëshmi besimi.

Qëllimi i katekizmit.

Katekizmi u drejtohet të gjithëve, por ai organizohet dhe realizohet sistematikisht në bazë të programeve të moshave përkatëse. Katekizmi klasifikohet në dy forma: a) katekizëm përpara pagëzimit, për anëtarësimin e njerëzve brenda Kishës; b) katekizëm për njohjen dhe thellimin në besimin e krishterë dhe jetën shpirtërore kishtare orthodhokse.

    Katekizmi, me miqësinë që ofron mes pjesëmarrësve, ka si qëllim: njohjen e besimit të krishterë dhe jetës kishtare orthodhokse, anëtarësimin në Kishë pra në komunitetin e besimtarëve të krishterë, marrëdhënien me Perëndinë, ushqimin shpirtëror, kuptimin e jetës, shpjegime të çështjeve të besimit, teorive dhe problemeve shoqërore, ndërgjegjësimin e frymës së apostullimit, njohjen e jetës së famullisë (të mbledhjes së besimtarëve, të kishave dhe adhurimit në to, të jetës baritore) dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në to. Programi i mësimdhënies së katekizmit zhvillohet në periudhën shtator-maj.

   

Përmbajtja e katekizmit.

Përmbajtja përshtatet me nevojat dhe formimin e pjesëmarrësve, duke filluar nga mësimet më të thjeshta e deri në ato teologjike dhe shkencore. Ajo përfshin të vërtetat themelore që rrjedhin nga Zbulimi i Perëndisë Triadik, Tradita e Shenjtë duke përfshirë Shkrimin e Shenjtë (Biblën) dhe jetën e përvojën shpirtërore të Kishës, Simbolin e Besimit, veprën shpëtimtare të Krishtit, dogmat, etikën e krishterë, jetën adhuruese kishtare, jetën dhe vlerën e njeriut etj..

    Që nga fillimi e deri tani janë krijuar programe katekizmi të ndryshme me përmbajtje dhe moshë të përcaktuara, që bazohen tek Shkrimi i Shenjtë (Bibla), tek jetë shenjtorësh, tek literatura të përgatitura nga klerikë e hierarkë të ndryshëm, të vendit dhe të huaj, (edhe nga kryepiskopi Anastas), teologë dhe bashkëpunëtorë të gjithë sektorëve përgjegjës të sipërpërmendur, që merren me veprën katekizuese, të botuar dhe ribotuar si libra të Kishës nga viti 1992 e deri më sot, si edhe krijime të reja apo përkthime të përshtatura. Një kontribut në këtë vepër ofron edhe revista për fëmijë “Gëzohu”, revista për të rinj “Kambana”, gazeta “Ngjallja”, faqja zyrtare e Kishës në internet   www.orthodoxalbania.org 

Vendi i katekizmit.

Katekizmi zhvillohet kryesisht në kisha, në qendra rinore, në shtëpi të besimtarëve etj. Takimet e rregullta të përjavshme të katekizmit kryhen zakonisht të dielën pas Liturgjisë Hyjnore ose të Shtunën, ose edhe në ditë të tjera të javës.

    Po bëhet një përpjekje e madhe që katekizmi të transmetohet, përveç mësimdhënies gojore dhe literaturave të shkruara në letër, edhe nëpërmjet mjeteve bashkëkohore teknologjike si dhe mediatike. Media shihet sot si një mundësi bashkëkohore e mirë komunikimi dhe transmetimi të fjalës së Perëndisë. Në emisione të ndryshme në mediat kombëtare dhe ato lokale kanë qenë të ftuar edhe klerikë e katekistë, të cilët kanë folur për besimin orthodhoks. Janë realizuar seri emisionesh të veçanta në bashkëpunime me televizione lokale, si në Tiranë, Durrës, Lezhë, Laç, Elbasan, Peqin, Gramsh etj. Gjithashtu, janë realizuar emisione radiofonike, çdo të hënë, në valët e Radios “Ngjallja”, FM 88.5 Mhz, në ciklin “Katekizmi i Krishterë Orthodhoks”. Me interes është parë edhe dublimi i filmave dokumentarë kishtarë në shqip, disa prej të cilëve janë transmetuar edhe në mediat e lartpërmendura. Katekizmi i krishterë orthodhoks duke përdorur internetin, këtë dritare globale, kapërcen kufijtë dhe i paraqitet kujtdo nëpërmjet faqes zyrtare të Kishës:  www.orthodoxalbania.org Facebook,  YouTube  etj.

   

Veprimtari të ndryshme.

Programi katekizues përmban edhe lutje, shërbesa lutësore, shërbime gjatë adhurimit, veprimtari kulturore, argëtuese, pelegrinazhe, ekskursione etj. Këto mund të jenë programe të vetë katekistëve ose dhe programe e aktivitete të përbashkëta me zyrat e tjera të sipërpërmendura (shiko veprimtaritë e tyre) si p.sh., gjatë periudhës së Krishtlindjes, Theofanisë, Pashkës, verës, në fillim të vitit shkollor etj.

    Në bashkëpunim me klerikët në kishat e zonave të tyre, ditën e diel, gjatë Liturgjisë Hyjnore ose edhe gjatë të kremteve të mëdha, katekistët dhe pjesëmarrësit në grupet e katekizmit jo vetëm që marrin pjesë në shërbesat adhuruese, por edhe shërbejnë sa munden. Njëkohësisht, katekistët shërbejnë edhe si psaltë, kishtarë dhe predikues.

    Në bashkëpunim me të rinj e të reja aktivistë të grupeve rinore e katekitike, katekistët drejtojnë kampet, të cilat zhvillohen gjatë periudhës së verës në Manastirin e Shenjtë të Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Zvërnec të Vlorës, në Manastirin e Shenjtë të Shën Joan Vladimirit në Shijon të Elbasanit, në Manastirin e Shenjtë të Shën Gjergjit në Çukë të Sarandës, në Glikomil të Gjirokastrës, në Manastirin e Shenjtë të Shën Joan Prodhromit në Voskopojë të Korçës, si edhe kampe të tjera disa ditore nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë.