Pas suksesit të shkëlqyer që pati çelja për herë të parë në Kryeqytet e ekspozitës “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”, nisi cikli shëtitës në qytetet kryesore të Shqipërisë me qëllim njohjen e publikut të gjerë me këto thesare. Në datën 7 janar, në Korçë, u bë çelsja zyrtare e kësaj ekspozite në mjediset e Qendrës Kulturore “Vangjush Miho”. Ajo u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë-Departamenti i Historisë i Universitetit të Tiranës, Mitropolia e Hirshme e Korçës, Bashkia Korçë dhe Prefektura e Qarkut Korçë. Mbikëqyrja shkencore e kësaj veprimtarie u krye nga historiani/paleografi Andi (Andrea) Rembeci dhe arkivisti/paleografi z. Sokol Cunga.

    Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin prof. dr. Nevila Nika, Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shqiptare, prof. dr. Valentina Duka, zv/dekane e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë së Universitetit të Tiranës,  imzot Joan Pelushi, Mitropolit i Korçës, z. Andrea Mano, Prefekt i Qarkut Korçë, z. Sotiraq Filo, nënkryetar i Bashkisë së Korçës, përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues të pushtetit vendor, historianë, intelektual të njohur, klerikë etj.

    E para i përshëndeti të pranishmit drejtorja e Arkivit Qendror Shtetëror, Nevila Nika, e cila e cilësoi këtë ekspozitë si dritare njohjeje me paraardhësit tanë. Sipas saj, “Pafundësia e materialeve dokumentare që flasin për Korçës, ku renditen edhe kodikët e Mitropolisë së Korçës, janë një pasuri kulturore që mbërrin tek ne brez pas brezi. Këto libra janë dëshmi e gjallë e nivelit arsimor dhe kulturor të paraardhësve, dikur e përdorur në çdo ditë të jetës së tyre. Le t’i soditim, t’i çmojmë dhe le t’ua lëmë me respekt trashëgimi pasardhësve tanë, ashtu siç i morëm nga paraardhësit”.

    Në vijim, fjalën përshëndetëse e mbajti zv/dekanja e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, znj. Duka, e cila theksoi rëndësinë që kishte çelja e një ekspozite të tillë në Korçë. Ndër të tjera ajo shtoi: “Kjo ekspozitë shfaq vlerën e jashtëzakonshme që mbartin këto dëshmi shumëshekullore për historinë e popullit tonë, që nga perandorët e parë bizantinë e deri tek patrikët e fuqishëm që ushtronin veprimtarinë e tyre brenda Perandorisë Osmane; çel një dritare njohjeje me të shkuarën kulturore të trevave mesjetare të Shqipërisë dhe depoziton një dëshmi shumë të vyer për kontributin dhe rolin aktiv të Shqipërisë në zhvillimin kulturor”.

    Më pas të pranishmit i përshëndeti Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joan Pelushi, i cili ndër të tjera theksoi se “një ekspozitë mbi historinë e së kaluarës bëhet si në funksion të së tashmes, ashtu edhe në atë të së ardhmes, sepse vetëm duke u njohur mirë me të kaluarën ne mund të kuptojmë të tashmen dhe mund të ndërtojmë të ardhmen… Studimi i këtyre dorëshkrimeve, ashtu si i çdo aspekti të historisë, duhet të paraqesë realitetin ashtu siç është, me tërë bukurinë, madhështinë dhe dobësitë që ato mund të kenë” … “Kam përshtypjen që shpeshherë, kur flitet rreth këtyre dorëshkrimeve nuk është dhënë një informacion i plotë… Është folur shumë pak për autorët, qofshin edhe anonim, akoma edhe më pak për frymën që i frymëzonte ata si edhe për ambientin e tyre fetaro-kulturor ku ata jetonin. Kisha Orthodhokse, e cila ishte krijuesja e këtyre, për arsye të ndryshme, përmendet fare pak ose aspak, duke lënë pothuajse në hije… Jam i gëzuar, sepse kohët e fundit shihet një qasje më realiste dhe më shkencore ndaj tyre”.

    Fjala e përshëndetjes së radhës iu dha Prefektit të Korçës, z. Andrea Mano, i cili i përshëndeti të pranishmit duke nënvizuar se “për publikun e gjerë ekspozita e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine është një pjesë e asaj vetëdije të prekshme të shqiptarëve që na bën të ndjehemi krenarë për të shkuarën. Korçarët, në veçanti, me plot të drejtë mund të krenohen për kontributin që kanë dhënë paraardhësit e tyre në zhvillimin shoqëror, kulturor dhe historik të Shqipërisë”. Pasi përmendi si shembull rëndësinë e madhe historike që paraqet Kodiku i Korçës dhe Selasforit, ai përfundoi duke thënë: “Si Prefekt i Qarkut të Korçës dhe si qytetar i saj, vlerësoj hapjen e kësaj ekspozite dhe kam besim se Korça do të vazhdojë të kontribuojë në fushën e kulturës edhe ndër brezat që do të vijnë”.

    Në emër të Kryetarit të Bashkisë së Korçës, z. Niko Peleshit, çeljen e ekspozitës e përshëndeti nënkryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, i cili shprehu rëndësinë e kësaj veprimtarie kushtuar vlerave të besimit dhe dijes. Ai shtoi: “Si enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë, kodikët e Shqipërisë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit në trevat tona dhe mbajnë vulën e hapësirës, ku kanë jetuar shqiptarët dhe të parët e tyre…. Këta libra të vjetër, ofrojnë një model të rrugës, nëpër të cilën eci krishterimi në vendin tonë dhe tregojnë sesi u transmetua besimi dhe dija nga njëra gjeneratë në tjetrën. Roli i Kishës Ortodokse në Shqipëri për këtë proces është i pazëvendësueshëm”.

     Më pas, të pranishmit vizituan ekspozitën, e cila do të qëndrojë e hapur për të gjithë ata që duan ta vizitojnë deri në 15 janar.

    Në të u paraqitën në penale fotografike 54 kodikë, që i përkasin periudhës së historike nga shek. VI deri në shek. XVIII. Ndër to spikatnin dhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESKO-s, të cilët shoqëroheshin edhe nga maketet dhe faksimilet e tyre.

    Pasditen e kësaj dite, në ambientet e universitetit të Korçës “Fan S. Noli” u zhvillua një takim shkencor mbi të njëjtën temë. Në këtë takim të pranishëm ishin rektori i Universitetit të Korçës, z. Gjergji Mero, profesorë nga vendi dhe të huaj, studiues, intelektualë, përfaqësues të komuniteteve fetare, të pushtetit vendor, klerikë dhe studentë. Gjatë zhvillimit të këtij takimi shkencor u mbajtën referate të ndryshme, që hodhën dritë mbi një pjesë të vyer të historisë dhe traditës së pasur kulturore të krishterë në vendin tonë, konkretisht me historinë dhe traditën e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine, vlerën e tyre shumëdimensionale si burime historike dhe veçantitë artistike të ato mbartin.

    Veprimtari të kësaj natyre kanë për qëllim njohjen e studiuesve dhe e publikut të gjerë me një pjesë të vyer të historisë dhe traditës së pasur kulturore të vendin tonë, e cila është krijuar kultivuar dhe sjellë përgjatë shekujve nga të krishterët orthodhoksë dhe që sot ruhen në AQSh.