NGA PROTESTA E KLERIT TË MITROPOLISË SË GJIROKASTRËS
PËR PROVOKIMIN NË KISHËN KATEDRALE “NGJALLJA E KRISHTIT”, NË TIRANË
Ne, klerikët e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, në emër edhe të enorive në të cilat shërbejmë, bashkojmë zërin tonë të protestës për provokimin shumë të rëndë në dëm të Kishës sonë. Ajo që u bë, duke shkelur pronën e Kishës së Hirshme Katedrale të Ngjalljes së Krishtit, nuk është çështje vetëm e pak metrave truall.
Nuk është i rastësishëm zgjedhja e objektivit. Në zemër të Kryeqytetit dhe në mes të Kreshmës së Madhe. Bëhet fjalë për mentalitete të cilat nuk kemi asnjë predispozicion t’i pranojmë pa protestuar.
Me po të njëjtën sjellje acaruese po përballemi edhe gjatë këtyre ditëve në Gjirokastër, në Enorinë e Kryeengjëjve, në lagjen Varrosh.
Ne klerikët dhe besimtarët Orthodhoksë jemi të bashkuar rreth Kryepiskopit tonë Anastas për të denoncuar këto akte abuzimi dhe njëherësh të paralajmërojmë se përbëjnë në thelb minim të bashkekzistencës paqësore.
Nuk kemi për ta ndërprerë protestën tonë, sepse shteti na ka borxh shumë, tepër shumë. Jetët e vëllezërve tani priftërinj që u ekzekutuan nga regjimi i mëparshëm, vlerat e pazëvendësueshme të të shenjtave që u grabitën në kishat tona, vetë kishat që na i rrëzuan nga themelet apo i përdhosën, pasurinë e paluajtshme të manastireve tona që ende nuk po na e dorëzojnë. Le të mos shtohen edhe të tjera episode.
Gjirokastër, më 5 mars 2015