Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

PASHKË 2010

ME GJITHË KËTO, KRISHTI U NGJALL

+Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

 

 

      Klerit dhe popullit shpresëtar e Orthodhoks,

      Bij të shtrenjtë më Zotin,

 

     “Nëse nuk u ngjall Krishti, besimi juaj është i kotë” (1Kor. 15:17)

    Një mesazh tronditës mbizotëron në të kremten e sotme. I thjeshtë dhe plot kuptim: Krishti u ngjall! Dhe kumbon për dyzet ditë në mbarë botën orthodhokse. Bëhet fjalë për një siguri në të cilën Kisha mbështetet. Krishti u ngjall dhe bashkë me Të u ngjall natyra njerëzore që Ai mori.      Sigurisht, kjo Ngjarje tronditëse nuk është pranuar nga shumë vetë. Këtu në Shqipëri, në periudhën e errët të diktaturës ateiste, besimi dhe referimi në Ngjalljen e Krishtit, konsideroheshin krim. Me gjithë këto, shumë njerëz, në thellësi të zemrës së tyre, pohonin: Krishti u ngjall! Për më tepër, edhe sot ekzistojnë ideologji dhe fe që mohojnë Ngjalljen e Perëndinjeriut. Me gjithë këto, Krishti u ngjall! 

    Vetë nxënësit e Krishtit ngurruan për lajmin e parë të Ngjalljes. Por më pas shpalosën të gjitha fuqitë e tyre për të predikuar mesazhin gëzimprurës që ndryshoi historinë e njerëzimit. Apostull Pavli, i cili bashkë me apostujt e tjerë ngulmonte në ngjarjen e Ngjalljes, në letrën e tij drejtuar Korinthianëve formuloi në mënyrë absolute një hipotezë të vyer: “Nëse nuk u ngjall Krishti, predikimi ynë është i kotë, dhe besimi juaj i kotë” (1Kor. 15:14). Dhe pastaj përsëriti: “Po nëse nuk u ngjall Krishti, besimi juaj është i kotë dhe jeni ende në mëkatet tuaja”  (1 Kor. 15:17). Pa sigurinë e Ngjalljes, besimi i krishterë është “i zbrazët”, bosh, pa përmbajtje esenciale dhe “i kotë”, i padobishëm.

    Kjo fjalë tingëllon e ashpër, por përbën esencën e Ungjillit. Nëse hiqet Ngjallja, e tërë ngrehina e krishterë rrëzohet. Nuk shpëtojnë as idetë e jashtëzakonshme, as mësimet e mrekullueshme, as shembujt e admirueshëm. Elementi i vyer, unikal dhe jetëdhënës i Krishterimit është Ngjallja. Shumë do të preferonin një predikim të krishterë që do të kufizohej në mësime morale edukuese dhe gjëra të përgjithshme rreth reciprocitetit, barazisë, paqes, pa pasur predikimin rreth Ngjalljes. Por një “krishterim” i tillë është pa shije, jo i përsosur, pa frymë jete. Përfundimisht nuk është Krishterim. 

    Arsyetimi i Apostull Pavlit plotësohet në vargun pasardhës, “në shpresofshim në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi më të mjerët e gjithë njerëzve” (15:19). Nëse shpresa jonë e krishterë kufizohet vetëm në këtë jetë, atëherë jemi njerëzit më të mjerë dhe të denjë për t’u vajtuar. Por e vërteta është se Krishti është ngjallur duke u bërë pema e parë për ngjalljen e të fjeturve. “Po tani Krishti u ngjall prej së vdekurish; u bë pema e parë e atyre që kanë fjetur” (1 Kor. 20-21). Pavli e shtjellon më tej argumentimin e tij duke theksuar se të gjithë e kemi prejardhjen nga Adami, por shton se të gjithë ata që janë trupëzuar në Krishtin do të marrin pjesë në jetën e re. “Sikurse vdekja erdhi me anë njeriu, kështu edhe ngjallja e të vdekurve është me anë njeriu. Sepse sikurse të gjithë vdesin në Adamin, kështu edhe të gjithë do të marrin jetë në Krishtin” (1 Kor. 21-22). Krishti jo vetëm u ngjall, por ngriti dhe ngjalli bashkë me Veten natyrën njerëzore, të cilën mori.

    Kisha Orthodhokse e shpall me këmbëngulje këtë siguri shpëtimtare, duke psalur në mënyrë të përsëritur “Krishti u ngjall!”. Dhe thekson në të njëjtën kohë: Ngjallja e Krishtit shpall se e vërteta është më e fuqishme sesa gënjeshtra; e mira është më e fortë sesa e keqja; dashuria është më e fuqishme se urrejtja; jeta është më e fortë se vdekja. Ungjilli nuk kufizohet vetëm në udhëzime morale. Vërteton edhe ngjalljen tonë ontologjike. Prandaj mbetet një mesazh gëzimprurës, i pandryshuar në shekuj. 

    Ne nuk jemi naivë, e dimë se shumë nga njerëzit tanë nuk e pranojnë “shpresën që ndodhet ndër ne”. Ndoshta me inat këmbëngulin për të mos e pranuar ose e quajnë të parëndësishme. Me gjithë këto, Krishti u ngjall! Nuk ka arsye ta fshehim se ngurrimi depërton edhe në zemrat e shumë të krishterëve. Por me gjithë ngurrimet dhe kundërshtitë, Krishti u Ngjall!

    Këtë siguri ngjallësore Kisha jonë na fton ta jetojmë në mënyrë sa më të ndërgjegjshme në të kremten e sotme të ndritshme. Edhe pse ndonjëherë mendja jonë ka besim të pakët, Krishti u ngjall! Ajo që sot kërkohet është që ky besim të mbështetet brenda nesh, të bëhet më i qartë dhe i palëkundur. Dhe për më tepër, të shpallet me guxim në ambientin tonë, si në të afërmin dhe në të largëtin: Krishti u Ngjall!

    Shekujt që kaluan dëshmojnë se besimi i krishterë ka qenë çdo gjë tjetër veçse  jo “i zbrazët” dhe “i kotë”. Ky besim çeli horizonte të reja për pranimin e të Pashprehshmit me fjalë. U ofroi miliona njerëzve fuqi të pashtershme qëndrueshmërie, krijimi dhe përpjekjesh të mrekullueshme, i shfaqi ata protagonistë të përparimit dhe qytetërimit.      Vëllezërit e mi, le të gëzojmë Pashkën e sivjetshme, duke i kërkuar Zotit të Ngjallur të fuqizojë besimin tonë në Ngjalljen e Tij dhe të përforcojë mentalitetin tonë ngjallësor. Në atmosferën mbytëse që derdhet përreth nesh, e cila shpesh na e vështirëson frymëmarrjen dhe shikimin, drita ngjallësore le të hedhë dritë mbi mendimin tonë, le të ndriçojë mendjen dhe ndërgjegjen tonë, le të fuqizojë zemrën tonë. Sigurisht, realiteti i përditshëm me të cilin përballemi, padrejtësitë, privimet, nuk kanë reshtur së ekzistuari. Me gjithë këto, Krishti u ngjall! Sigurisht, dhimbjet nga të papriturat- varfëria, sëmundjet, vdekjet dhe të tjera të këqija- janë shpesh të padurueshme. Me gjithë këto, Krishti u ngjall! 

    Po, besojmë në Ngjalljen. Këtë e shpall fuqishëm ky tubim i yni i tërëndritshëm. Dhe besimi ynë nuk është “as bosh” dhe as “i kotë”. Është burim i tërëndritshëm i jetës dinamike dhe frytdhënëse. Krishti u Ngjall!

 

 

Me dashurinë e tërë shpirtit në Krishtin e Ngjallur,

+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.