Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Pashkë 2009

të lirë nga frika

Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

 

 

 

 

 

    Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,

   Bij të shtrenjtë më Zotin,

 

 “Mos kini frikë” (Matth. 28:10)

    “Mos kini frikë”, u tha engjëlli i Zotit grave miroprurëse, të cilat i kishte pushtuar “tmerri dhe habia” para varrit të zbrazur. “Sepse e di se kërkoni Jisuin që u kryqëzua. Nuk është këtu, sepse u ngjall, siç pati thënë” (Matth. 28:6).

    Pas pak, vetë Krishti i ngjallur “u tha atyre: Mos kini frikë” (Matth. 28:10). E më tej, nxënësve të tij të frikësuar: “Përse jeni të turbulluar? Dhe përse hipin mendime në zemrat tuaja?” (Lluk. 24:38). Dhe duke u treguar shenjat e kryqëzimit në duar dhe në këmbë, i siguroi me praninë e Tij për ngjarjen e mrekullueshme të Ngjalljes së Tij.

    “Mos kini frikë!”. Mesazhi i Ngjalljes predikon në mënyrë diakronike lirinë nga çdo gjë që shkakton frikë. Fitorja e Krishtit dërrmoi zotërimin e fuqive demoniake, vendosi një urë mbi ndarjen e madhe që ekzistonte midis Perëndisë dhe njerëzve dhe rivendosi marrëdhëniet midis tyre. Rëndësinë ontologjike të Kryqit dhe Ngjalljes, na e zbuloi me një mënyrë unike apostull Pavli. Jisui u bë njeri dhe e pranoi Pësimin “që të prishë me anë të vdekjes atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të shpëtojë të gjithë ata, të cilët për frikën e vdekjes ishin gjithë jetën e tyre nën skllavëri” (Hebr. 2:14-15). Krishti i ngjallur është tashmë fillesa e njerëzimit të ri, “i parëlinduri prej të vdekurve, që të bëhet ai i parë në të gjitha” (Kol. 1:18-22). Me Ngjalljen e Krishtit ka nisur një formë e re ekzistence për njerëzit. Siguria e Ngjalljes, bindja se Atij iu dha “çdo pushtet në qiell dhe mbi dhè” (Matth. 28:19) i çliroi nxënësit e Tij nga çdo lloj frike dhe ankthi. Dhe i transformoi në predikues të guximshëm dhe burrërorë të jetës së re në Krishtin.

    “Mos kini frikë!” Në epokën tonë janë shumuar frikërat që kërcënojnë jetën tonë. Madje, kohët e fundit janë acaruar edhe për shkak të vuajtjeve që shkakton kriza ekonomike në tërë planetin. Fobi të reja dhe të vjetra qarkojnë mendjen tonë dhe na e shtrëngojnë zemrën. Brenda kësaj atmosfere të nderë vjen e kremtja e Ngjalljes që të ftojë çdo besimtar në një rrugëtim lirie nga frika:

    Nga frika e atyre që janë armiqtë tanë. Nga frika që krijon padrejtësia dhe egërsia e shoqërisë sonë. Nga frika e mëkatit shumëformësh që depërton në qenien tonë dhe na e tjetërson. Nga frika e dhimbjes, e varfërisë, e sëmundjes, e vetmisë, e rreziqeve dhe hidhërimeve që kërcënojnë jetën tonë. Nga frika e problemeve të mprehta të jetës së përditshme. Nga frika e së panjohurës, e dështimit, e pasigurisë për të ardhmen. Kulmi i mesazhit të Ngjalljes së Krishtit është çlirimi nga frika e vdekjes, e vdekjes sonë dhe e njerëzve tanë të afërm, frikë që na e ndrydh jetën. E kremtja e Ngjalljes nuk shpall thjesht një lajm, por na fton të marrim pjesë në lirinë që na fali Krishti.

 

*  *  *

 

    Kjo liri, sigurisht mbështetet në besimin. Kisha, duke brohoritur në mënyrë dhoksologjike “Krishti u ngjall!”, nuk kërkon strehë në argumentime për të imponuar të vërtetën që predikon. – Sa janë besimtarë! “Të lumur janë të gjithë ata që besojnë…”. Mjafton, sigurisht, që siç na thotë apostull Pavli  “të qëndrojmë në besim të themelosur dhe të patundur, e të mos luajmë nga shpresa e Ungjillit” (Kol. 1:23).

    Ngjallja e Krishtit e shpërbën frikën, sepse bashkërendohet me një fuqi të mrekullueshme, të cilën ftohemi ta ndiejmë në një mënyrë të veçantë gjatë kësaj të kremteje të tërëndritshme: “që të njohim madhësinë e pafund të fuqisë së tij (të Perëndisë), (Efes. 1:19). “Këtë fuqi e tregoi te Krishti kur e ngjalli atë prej së vdekurish, dhe e vuri të rrijë në të djathtë të tij në qielloret, përmbi çdo autoritet e pushtet e fuqi e zotërim e çdo emër që të quhet jo vetëm në këtë jetë, por edhe në atë që vjen” (Efes. 20-21).

    Kjo liri nga frika, dhuratë e Ngjalljes, duhet t’i japë formë pozicionimit të jetës sonë, “sepse ju, vëllezër, u thirrët në liri”. Por duke shtuar një qartësim në këtë rast: “vetëm mos e përdorni lirinë për shkak të mishit, po me anë të dashurisë, t’i shërbeni njëri-tjetrit” (Gal. 5:13). 

    Krishti, që është dashuria e personifikuar dhe e mishëruar e Perëndisë, me sakrificën e Tij mbi Kryq dhe fitoren e Ngjalljes shpalli qartë fuqinë unikale të dashurisë, që e çliron njeriun nga çdo formë frike. Sa janë të bashkuar me Atë në besim dhe dashuri, bëhen të denjë të jetojnë të vërtetën që zbulon Ungjillori Joan: “Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka mundim (përmban ndëshkim), dhe ai që ka frikë, nuk është i përsosur në dashuri” (1 Jn. 4:18).

    Vëllezërit e mi, le të gëzojmë pra, në mënyrë të veçantë gjatë këtyre ditëve të Pashkës, lirinë nga çdo lloj forme frike, duke e thelluar besimin dhe dashurinë tonë për Atë që mundi vdekjen, Zotin e jetës sonë. Për më tepër, le t’ua bëjmë të ditur edhe vëllezërve tanë të frikësuar se “Krishti u ngjall!”.

    Me dashurinë e tërë shpirtit në Krishtin e Ngjallur,

 

 

 

 

+ Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë