Ne, treqind e gjashtë delegatët e kishave të ndryshme në Evropë, të mbledhur në qytetin historik të Lionit, në datat 15-21 korrik 2009, me temë “Të ftuar në një shpresë në Krishtin”, me rastin e Asamblesë së 13-të të Përgjithshme dhe në përvjetorin e 50-të të themelimit të Konferencës Evropiane të Kishave, u dërgojmë këtë mesazh kishave të gjithë Evropës, anëtare të lëvizjes sonë ekumenike.
 
    Një shpresë në Krishtin
    Si të krishterë, ne guxojmë që të shpresojmë. Siç e pohon edhe letra drejtuar Hebrenjve, besimi është të qenurit e gjërave që ne i shpresojmë. Shpresa duhet të shikohet si një aspekt esencial i besimit të krishterë. Shpresa na fal gëzim, paqe, kurajo, fuqi dhe liri. Ajo na çliron nga frika, i hap zemrat tona dhe e forcon dëshminë tonë në Zotin e Ngjallur. Të gjithë të krishterët janë të ftuar në një shpresë në Krishtin, si një rrugë e dashurisë, faljes dhe e pajtimit. Si të krishterë, ne ndajmë shpresën tonë në Krishtin e ngjallur në komunitetet ku ne jetojmë dhe ku bëjmë pjesë. Charta Oecumenica është baza për angazhimin tonë në rang botëror dhe brenda shoqërive tona.  (Ky paragraf është marrë nga omelia e Kryepiskopit Anastas, që hapi veprimtarinë)
 
    Duke parë në të ardhmen
    Këshilli Evropian i Kishave u themelua 50 vite më parë në një Evropë të ndarë dhe është përpjekur të ndërtojë ura midis Lindjes dhe Perëndimit, për t’i afruar të krishterët. U themelua në një Evropë të plagosur nga luftërat dhe të ndodhur në një nevojë të dëshpëruar për farat e shpresës dhe të ngjalljes.
    Sot, ndërkohë që celebrojmë 50-vjetorin e KEK, situata në Evropë ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Këtë vit është 20-vjetori i rënies së perdes së hekurt, që dha një shpresë të re jo vetëm për Evropën, por për mbarë botën. Megjithatë, shumë shoqëri evropiane janë ende duke luftuar me pasojat e diktaturave komuniste në Evropën Qendrore dhe Lindore, gjë që ka cënuar qëndrimet, ka krijuar dyshime dhe ka penguar pajtimin e vërtetë midis Lindjes dhe Perëndimit.
 
    Ndërkohë që po punojmë në mënyrë energjike për këtë qëllim dhe po përgatitim përpara të tjerëve, një Evropë të bashkuar dhe të pajtuar, ne pikëllohemi për faktin që mure të rinj ndasish po ngrihen midis kombeve, kulturave dhe feve. Ne i shohim ndasitë e reja që shfaqen – midis vendasve dhe migrantëve, midis të pasurve dhe të varfërve, të punësuarve dhe të papunësuarve, midis atyre që u respektohen të drejtat dhe midis atyre që këto të drejta u lihen mënjanë.
    Ka kriza me shtrirje botërore, të cilat kanë pasoja globale. Ndryshimet e klimës dhe shkatërrimi i mjedisit na fton të punojmë për integritetin e krijesës, si duke influencuar tek politikanët dhe në vendimmarrësit, ashtu dhe me veten tonë, për të pakësuar impaktin tonë ekologjik dhe emetimin e CO2. Kriza financiare afatgjatë kërkon që ne të marrim parasysh mundësinë për një rend të ri botëror, që duhet të dalë në pah dhe t’i rikujtojmë botës nevojën për një ekonomi të bazuar në përgjegjësi etike dhe në mbrojtjen e ambientit – në të njëjtën kohë ne duhet të sigurohemi që kishat tona të investojnë burimet e tyre financiare me të njëjtat standarde të larta që ne ua kërkojmë të tjerëve. Të gjitha këto sfidojnë angazhimin tonë të thellë në procesin pajtues për drejtësi, paqe dhe për integritetin e krijesës.
    Pavarësisht gjithë këtyre, është bindja jonë e thellë se ne, si të krishterë, kemi një shpresë të veçantë për të ndarë në situata ku mund të duket se ka vetëm dëshpërim. Ne deklarojmë: Ka shpresë! në përpjekjen tonë për të drejtën dhe për drejtësinë. Ka shpresë, kur ne rezistojmë ndaj të gjitha formave të dhunës dhe të racizmit, kur ne mbrojmë dinjitetin e çdo qenieje njerëzore. Ka shpresë, kur ne insistojmë në obligimin tonë për solidaritet të painteres midis popujve dhe njerëzve; kur ne luftojmë për respekt të vërtetë ndaj krijesës.  (Ky paragraf është marrë nga omelia e Kryepiskopit Anastas, që hapi veprimtarinë)
    Ne besojmë se Evropa mund dhe duhet të jetë një kontinent mendjehapur, mikpritës dhe gjithëpërfshirës. Ne afirmojmë se dyert duhet të jenë të hapura për këdo që kërkon një strehë për t’u mbrojtur nga persekutimi dhe dhuna. Në këtë Asamble të KEK-ut, ne festuam bashkëpunimin e ngushtë të Komisionit të Kishave për Migrantët në Evropë. Kjo do të shpallet më qartë në vitin 2010, në vitin e “Kishave Evropiane që i përgjigjen migrimit”, kur së bashku, ne do të kemi rastin për të dëshmuar përkushtimin tonë të krishterë për refugjatët dhe migrantët.
    Asambleja, duke parë drejt së ardhmes, ka caktuar një grup pune për të ribërë një rishikim të KEK-ut në tërësi, duke përfshirë në këtë kuadër një qëllim të përbashkët, vizion dhe caktimin e qëllimeve strategjike – dhe se cilat struktura mund t’u shërbejnë këtyre qëllimeve në një mënyrë optimale. Asambleja u kërkon të gjitha kishave anëtare të jenë të përkushtuara ndaj këtij procesi rishikues që po zhvillohet brenda KEK.
 
    Sfidat për ne si kisha dhe të krishterë
    Sfidat që u dhanë nga kjo Asamble për të gjitha kishat anëtare  është mesazhi i guximshëm rreth shpresës – por një shpresë që nuk shprehet vetëm në deklarata boshe, por në vepra dhe me një besim të gjallë.
    Ne afirmojmë që kishat kanë nevojë të punojnë për drejtësi dhe të flasin të vërtetën para pushtetit! Kjo për të shkatërruar muret midis njerëzve, kulturave dhe feve, si dhe për të mësuar të kërkojmë ikonën e Perëndisë në fytyrën “e tjetrit”. Për të respektuar dhe jo vetëm për të toleruar qeniet e tjera njerëzore. Mbi të gjitha, kjo duhet realizuar për të gjetur shprehje të reja të solidaritetit me të varfrit midis nesh dhe në vende të tjera të botës. Së bashku le të kujtojmë fjalët e Apostull Petros, që deklaroi: “Jini gati përherë të mbroni me butësi dhe frikë cilindo që të kërkojë prej jush fjalë për shpresën që është ndër ju”. (1 Petro 3:15).