Diakonia Agapes – Zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që prej 1 marsit 2019, po zbaton në Bashkinë Belsh, Cërrik dhe Përrenjas projektin “Ri-integrimi i të kthyerve nga emigracioni dhe investimi për ta në Shqipëri” (RE-IN-VEST), që financohet nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, në kuadër të programit “Rikthim te Mundësitë e Reja”, zbatuar nga GIZ. Ky projekt zbatohet nga organizata World Vision, në partneritet me Shoqatën Kombëtare Edukim për Jetën dhe Fondacionin “Fryma e Dashurisë” – Diakonia Agapes.

Projekti synon të përmirësojë kushtet e jetesës së të kthyerve nga emigracioni, duke lehtësuar aksesin e tyre ndaj shërbimeve sociale dhe duke u krijuar mundësi për gjenerim të ardhurash të qëndrueshme. Përqasja e përdorur për realizimin e programit, vendos në qendër familjen dhe ofron mbështetje social-ekonomike, trajnime profesionale, si edhe synon fuqizimin ekonomik të pjesëtarëve të familjes nëpërmjet punësimit dhe përkrahjes së ideve të biznesit. Gjithashtu, synon të krijojë një rrjet të qëndrueshëm e bashkëpunues midis partnerëve lokalë e rajonalë, në mënyrë që të lehtësohet koordinimi dhe afrimi tek shërbimet, riintegrimi i fëmijëve në sistemin arsimor dhe të nxitet punësimi në nivel vendor.

Diakonia Agapes gjatë kësaj periudhe ka realizuar një sërë aktivitetesh në bashkitë e synuara nga projekti me grupe individësh si burra, gra, fëmijë e të rinj të rikthyer nga emigracioni, si dhe ata më të prekshëm dhe në risk për emigrim. Pas identifikimit të familjeve të rikthyera, me bashkëpunimin e ngushtë të institucioneve të ndryshme publike në këto Bashki, ata janë përfshinë gjerësisht në aktivitete të cilat kanë ndikim në jetën e tyre.

Gjatë periudhës gusht 2019 – janar 2020 është bërë mbështetja sipas programit “Menaxhim Rasti” e 68 familjeve (247 persona), të rikthyera nga Gjermania, por edhe disa në gjendje jo të mirë ekonomike, me pako ushqimore dhe higjienike, ku përfitues ishin individë e familje nga Bashkia Belsh (87 persona), Bashkia Cërrik (66 persona) dhe Bashkia Përrenjas (94 persona). Për shumë prej tyre ishte hera e parë që dikush u trokiti në derën e shtëpisë dhe u ofroi ushqime për ta dhe familjet e tyre, duke mos kërkuar asgjë në këmbim – kështu shprehet një nënë e rikthyer nga Gjermania në bashkinë Përrenjas. Në kuadër të këtij aktiviteti të tjerë individë janë çuar në institucionet përkatëse për pajisjen me karta shëndeti apo është biseduar me zyrat e punës apo biznese private për punësim. Kështu, falë përpjekjeve të Diakonia Agapes, 3 individë në Bashkinë Përrenjas janë punësuar në biznese private, duke përmirësuar kushtet e tyre të jetesës. Mbështetja do të vazhdojë edhe me ofrimin e një bonusi qiraje për familjet e rikthyera, që s’kanë mundësi të paguajnë, apo mbështetje me medikamente për raste të veçanta.

Rreth 60 nëna të rikthyera, nga bashkitë e Cërrikut, Belshit e Përrenjasit, u përfshinë dhe shkëmbyen përvojat, në trajnimet dyditore të realizuara gjatë periudhës nëntor 2019 – shkurt 2020. Trajnimet kishin tema të ndryshme mbi: “Disiplinimin pozitiv, komunikimin në familje, menaxhimi financiar i familjes dhe ushqyerja e shëndetshme” ishin temat kryesore mbi të cilat. Nënat kanë rritur nivelin e njohurive të tyre se si të komunikojnë në brenda familjes dhe se si të krijojnë një mjedis të shëndetshëm dhe një familje të lumtur, pavarësisht sfidave që u dalin tani që janë rikthyer. Gjithashtu, 10 familje (39 persona) nga bashkia Belsh dhe Përrenjas, pjesë e projektit RE-IN-VEST, morën pjesë në një trajnim tre ditor “Të festojmë familjen”, të organizuar në Manastirin e Shën Vlashit, Durrës. Ata janë përfshirë në një rrugëtim ku kanë rikujtuar të shkuarën, kanë kuptuar më mirë fëmijërinë dhe kanë vlerësuar rëndësinë e përvojave të tyre tek mënyra sesi i rrisin fëmijët sot. Ky reflektim ka ndihmuar prindërit e rikthyer, veçanërisht ato në risk për të emigruar, të gëzojnë marrëdhëniet e krijuar në familje, për t’i dhënë shpresë dhe vizion të ardhmes.

Diakonia Agapes, në bashkëpunim me rreth 148 të rinj të moshave 12-18 vjeç, kanë krijuar gjashtë grupe rinore ose Klube IMPACT-i në bashkitë Cërrik, Përrenjas dhe Belsh. Qëllimi i këtyre është ngritja e kapaciteteve dhe zhvillimi i të rinjve për t’u bërë qytetarë aktivë përmes modelit social IMPACT që janë duke ndjekur, do t’u sigurojë të rinjve njohuri, aftësi, sjellje dhe qëndrime të nevojshme që u duhen në jetë për të ndihmuar komunitetin e tyre. Secili grup drejtohet nga 2 liderë të certifikuar mbi modulet IMPACT dhe është mirëpritur nga të rinjtë, pasi ky model iu ofron diçka ndryshe, si dhe do të kenë mundësi për tu ndërmarra iniciativa për komunitetin e tyre. Rreth 45 të rinj të grup moshës 15 -18 vjeç, nga Bashkitë Cërrik dhe Përrenjas, morën pjesë në një kamp triditor me fjetje, ku patën mundësi të shpërndanin përvojat e tyre, vështirësitë e rikthimit, përjashtimin social etj. Rreth 146 fëmijë të moshës 6-14 vjeç u përfshinë në kampe triditore, të organizuara nga Diakonia Agapes në secilën bashki, për të zbutur problematikat sociale të këtyre fëmijë, si dhe për ta bërë më të suksesshëm ri-integrimin e tyre.

Një aspekt mjaft i rëndësishëm në këtë projekt është edhe komponenti ekonomik, për fuqizimin ekonomikisht të familjeve të rikthyera, për të siguruar qëndrueshmëri financiare në jetën e tyre. Pas procesit të identifikimit Diakonia Agapes realizoi gjatë muajve dhjetor 2019 – janar 2020, në Bashkitë Përrenjas, Belsh dhe Cërrik, trajnime 6-ditore mbi ngritjen e kapaciteteve për realizimin e biznes-planeve bazuar në metodologjinë CEFE. Në këto bashki rreth 73 individë të rikthyer nga emigracioni, por jo vetëm, si edhe individë vulnerabël në komunitet, të cilët kishin një ide biznesi, si dhe që duan t’i japin një kthesë jetës së tyre, u trajnuan për herë të parë mbi këto tematika. Rreth 21 individë do të mbështeten financiarisht me “startup”, duke siguruar vetëpunësim dhe fuqizimin ekonomik të familjes në komunitetet ku jetojnë.

Bashkëpunimi me institucionet publike, si dhe ngritja e kapacite­teve të rreth 60 punonjësve të institucio­neve publike në lidhje me çështjet e riintegrimit, ka qenë një nga pikat e forta të projektit. Diakonia Aga­pes ka realizuar një numër të madh takimesh e bashkëpunimesh në nivel vendor për të arritur një rezultate sa më të prekshme në jetën e këtyre komuniteteve.

Diakonia Agapes do të vazhdojë aktivitetet e saj në kuadër të projektit deri në 31 gusht 2020.