Në datat 6 dhe 7 gusht në Manastirin e Ri të Shën Vlashit u bë një mbledhje e përgjithshme e klerikëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ajo iu dedikua rinovimit të tyre shpirtëror nëpërmjet shërbesave të përbashkëta, temave të mbajtura nga Kryepiskopi e Mitropolitët, diskutimeve e pyetjeve etj.Në këto ditë u festua dhe një përvjetor i veçantë dhe që solli gëzim mes pjesëmarrësve dhe urime të shumta: 50-vjetori i dorëzimit në dhjak i Kryepiskopit Anastas, që do të shënonte nisjen e një rrugëtimi shpirtëror të jashtëzakonshëm, brenda të cilit duam të veçojmë mrekullinë e ringjalljes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri.
Takimi do të niste të premten, 6 gusht,ora 1800, me Paraklisin e së Tërëshenjtës. Pastaj, në orën 19, filloi mbledhja, me fjalën hyrëse të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, që e merrte temën nga Letra e dytë e Petros (1:10) “Prandaj, vëllezër, kujdesuni më tepër të siguroni thirrjen dhe zgjedhjen tuaj”. Më pas Hirësia e Tij Ignati, Mitropolit i Beratit, mbajti temën “Transformimi ynë personal”, ndërsa Hirësi Joani, Mitropolit i Korçës, mbajti temën, që lidhej me përvjetorin e dorëzimit që kremtonte Kryepiskopi Anastas “50 vite shërbimi: Shembull për t’u imituar”.
Të nesërmen, 7 gusht, takimi vazhdoi pas Liturgjisë Hyjnore, me referatin e Hirësi Dhimitrit, Mitropolit i Gjirokastrës, me temë “Shërbimi priftëror”. Më pas u vazhdua të ndarë në disa grupe, me diskutime rreth temave dhe problemeve që dalin në kisha. Përfundimet e takimit, në seancën e fundit, u bënë nga Fortlumturia e Tij Anastasi.