Një ceremoni mbresëlënëse kishin organizuar drejtuesit e Universitetit Jonian në Korfuz, Greqi, për t’i dorëzuar Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, titullin Dr. “Honoris Causa” i Departamentit të Historisë të këtij Universiteti. Është e 15-ta herë e nderimit të Kryepiskopit Anastas me një titull të tillë.
   Më 20 mars, Kryepiskopin Anastas kishin dalë për ta pritur Mitropoliti i Korfuzit, Paksit dhe Ishujve Diapontile, Nektari, Mitropoliti i Zakinthit, Krisostomi, Prefekti i ishullit S. Pulimenos, Kryetari i Bashkisë S. Mikalef, Rektori i Universitetit prof. dr. Çugarakis etj.
   
     Kryepiskopi shoqërohej nga Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri dhe përfaqësues të tjerë nga  Kisha jonë.
     Në sheshin qendror të qytetit, para kishës historike dhe të nderuar të “Shën Spiridhonit”, vend i njohur pelegrinazhi, u organizua pritja madhështore nga populli, klerikët dhe autoritetet e qytetit dhe Shtatë Ishujve. Në kishën e “Shën Spiridhonit” u psal një lutje e shkurtër, u këmbyen fjalimet e mirëseardhjes nga ana e Mitropolitit të Korfuzit, Hirësisë së Tij Nektarit si dhe fjala përshëndetëse e Fortlumturisë së Tij Anastasit.
     Në fjalën e tij, Kryepiskopi me fakte konkrete theksoi zhvillimin e paparë në procesin e ringjalljes dhe ringritjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Ndonëse të pranishmit kishin dëgjuar për këtë mrekulli që po ndodh pak milje larg ishullit të tyre, nuk mund të imagjinonin përmasat reale të saj.
    
    I veçantë ishte interesimi i mediave lokale, të shkruara dhe elektronike, që transmetuan, të plota dhe në përsëritje, të gjitha aktivitetet që zhvilloi Kryepiskopi.
 
   Pasdite u organizua një ceremoni shumë e bukur në sallën e veprimtarive të korpusit qendror të Universitetit, e cila ishte mbushur plot e përplot nga stafi pedagogjik, studentë, intelektualë të qytetit etj.
   
   
     Mirëseardhjen Kryepiskopit Anastas ia uroi Rektori i Universitetit prof. dr. Çugarakis, ndërsa vendimin e Senatit për shpalljen e Fortlumturisë së Tij Doktor Nderi i Departamentit të Historisë të Universitetit Jonian e lexoi znj. Xh. Harlafti, përgjegjëse e këtij Departamenti. Profesori i Filozofisë Klasike z. Vajos Vajopoulos kishte përgatitur një fjalë të përzemërt me ritëm poetik për Kryepiskopin Anastas, për jetën e tij, e cila përbën shembull që flet për të gjithë njerëzit, për veprën e tij si hierapostull në Afrikë dhe si Kryepiskop i një Kishe të ringritur nga gërmadhat, për veprimtarinë e tij shkencore dhe në fushën e botimeve etj.
    Mes duartrokitjesh të të gjithë pjesëmarrësve Kryepiskopi u vesh me timvonin e profesorit dhe mbajti ligjëratën “Evropa me fe të ndryshme dhe Orthodhoksia”, e cila u prit ngrohtë dhe u komentua gjerësisht në qarqet intelektuale të ishullit edhe në ditët pasardhëse.
 
    Pjesëmarrësit, në pak minuta, ndoqën një dokumentar të shkurtër, ku prezantohej gjendja në të cilën Kryepiskopi e gjeti Kishën Orthodhokse në Shqipëri dhe disa nga arritjet në përpjekjen për ringritjen e saj.
 
   Ceremonia u mbyll me himne kishtare të kënduara nga kori i Departamentit të Muzikës të këtij Universiteti dhe kori i Shoqatës së Psaltëve të Korfuzit.
 
    Interesimi i veçantë për të ndjekur ligjëratën e Kryepiskopit kishte mbushur përveç sallës qendrore edhe sallonin e madh të pritjes në Universitet, ndërsa një fotoprojektor ishte vendosur në fasadë, në parkun e godinës dhe ndiqej nga qytetarë të shumtë.
 
    Në hollin e Universitetit Kryepiskopi përshëndeti dhe bekoi një nga një të gjithë pjesëmarrësit. Vlen të theksojmë se aktiviteti u bë pikërisht në godinën ku dikur ishte krijuar dhe funksiononte shkolla e famshme tregtare e Korfuzit. Në këtë shkollë kanë studiuar edhe shumë nxënës nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, të cilët pas kthimit në vend luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë.
 

     Edhe shumë nga besimtarët, anëtarë të Kishës sonë, që ndodhen për studime apo me mërgim në Korfuz, erdhën për të marrë bekimin e atit të tyre shpirtëror dhe për t’u gëzuar e krenuar në këtë nderim në personin e Kryepiskopit tonë.
   Të nesërmen Kryepiskopi vizitoi disa manastire të ishullit, duke vazhduar me vëllazëritë e murgjve dhe murgeshave bisedën për arritjet dhe momentet e hareshme të ringjalljes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri.
    Më pas Mitropoliti i Korfuzit, në pritjen që organizoi me këtë rast në prani të personaliteteve të rajonit, i dorëzoi Kryepiskopit Anastas medaljen e lartë “Kryqi i Artë i Shën Spiridhonit”.
 

Nderimi dhe ngrohtësia e mikpritjes korfiate vazhdoi edhe në ceremoninë e përcjelljes në portin e qytetit, nga ku Kryepiskopi dhe personat që e shoqëronin u larguan për në Sarandë.