Duke psalur “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot…” mijëra e mijëra besimtarë në të gjithë vendin iu drejtuan kishave për shërbesat e Theofanisë e më pas në vendet ku do të hidhej kryqi në ujë. Temperaturat e acarta nuk penguan që shumë të rinj të hidheshin në ujërat e akullta për të marrë bekimin e kapjes së kryqit.

Në Tiranë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Liturgjia Hyjnore panegjirike u krye nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, bashkë me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin, Episkopin e Bylisit, Astin, si dhe klerikë të Kryepiskopatës. Në fund të Liturgjisë, Kryepiskopi kreu Bekimin e madh të Ujit. Pastaj uji u shpërnda në cisternat jashtë kishës, nga morën bekimin e kësaj dite gjatë gjithë ditës mijëra e mijëra besimtarë të kryeqytetit. Në qytetin e Durrësit, pas Liturgjisë në kishën “Apostull Pavli dhe shën Asti”, besimtarët u drejtuan nga kalatat e portit, ku u hodh kryqi në ujërat e Adriatikut. Ai u kap nga i riu Esi Papajorgji.

Në Berat, pas Liturgjisë Hyjnore në katedralen “Shën Dhimitri”, litania kaloi përgjatë rrugëve të qytetit dhe kryqi u hodh në ujërat e Osumit nga Mitropoliti Ignat, si tradicionalisht, nga ura e Goricës. Ai u kap nga 16-vjeçari Konstandin Musha. Gjithashtu, mund të veçojmë hedhjen e kryqit në det në qytetin e Vlorës, ku u kap nga i riu emigrant Altin Qirjo, hedhjen e tij në ujërat e Vjosës në Selenicë, të Semanit nëMazhaj etj.

 

 

Në Korçë, Liturgjia Hyjnore dhe shërbesat u kryen në Katedralen “Ngjalljae Krishtit”, ndërsa kryqi u hodh nga Mitropoliti Joan në shatërvanin e qytetit. Kryqi u kap nga 20-vjeçari Ronaldo Kovaçi. Kryqi u hodh më pas nga Hirësia e Tij Joani edhe në ujërat e acarta të liqenit të Pogradecit, gjë që nuk i pengoi një grup të rinjsh besimtarë të futeshin për ta kapur atë.

 

 

  Në Gjirokastër, Liturgjia dhe shërbesat u kryen në katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe pastaj kryqi u hodh nga ura në ujërat e lumit Drino, ku u kap nga i riu Haxhi Rexha. Shërbesa të tilla u kryen dhe në fshatra e qytetet e tjera të Mitropolisë, ku mund të veçohet hedhja e kryqit në det në Sarandë e Himarë.

 

 

Në Elbasan, pas Liturgjisë Hyjnore, qindra besimtarë u drejtuan me litani duke psalur tek kompleksi i pishinave, ku u hodh kryqi në ujë nga Mitropolit Andon. Ai u kap nga i riu Aleksando Llozi.

Në Fier, pas Liturgjisë në kishën e Shën Gjergjit, besimtarët u drejtuan për tek shatërvani i madh i qytetit, ku Mitropoliti Nikolla bëri bekimin dhe hodhi Kryqin në ujë. Përsëri ai u kap nga i riu Athanas Davidhi.